E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Tregtisë, pro amnistisë fiskale

Komuniteti i biznesit kërkon që në rast se zbatohet amnistia fiskale të aplikohen tarifa tatimore minimale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh dje, se kjo amnisti duhet të përfshijë  edhe detyrimet e prapambetura. Sipas përllogaritjeve të bëra,

rreth 1/3 e parave qarkullojnë  jashtë bankave, ndërsa nga  amnistia fiskale pritet të futen në ekonominë shqiptare mbi 3 miliardë dollarë. Vetëm pak kohë më parë Ministri i Financave, Ridvan Bode, konfirmoi nismën e qeverisë për ndërmarrjen e një amnistie fiskale e në shërbim të biznesit e cila sipas tij do të krijonte një klimë më të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Bode pranoi nisjen e negociatave me grupet e interesit duke theksuar se tashmë është momenti i duhur për kryerjen e kësaj reforme duke marrë parasysh nivelin në rritje të informalizimit të ekonomisë. "Është e vërtetë që ka një kërkesë për amnistinë fiskale nga bizneset kemi pasur një kuotat të parë informal për të dëgjuar versionet e tyre në lidhje me këtë masë. Kryerja e amnistisë fiskale është një masë e domosdoshme që kushtëzohet nga shumë elementë. Jo vetëm nga fakti që gjatë periudhës së tranzicionit Shqipëria nuk ka bërë ndonjëherë amnisti fiskale, por kjo reforme vjen pikërisht në momentin e duhur. Administrimi i tatimeve dhe taksave është në nivelin më të lartë historik që ka pasur vendi, gjithashtu modernizimi i sistemit tatimor për vitin 2010 do të konkludohet së shpejti. Pra informatizimi i sistemit është në fazën përfundimtare", tha Bode. Krahas masave të marra në sistemin tatimor, marrja e një mase të tillë është plotësisht e mundshme sipas Bodes duke marrë parasysh edhe miratimin e ligjit "Për goditjen dhe parandalimin e krimit të organizuar". "Besoj se me miratimin e këtij ligji, është krijuar konturi i përgjithshëm për të kryer një reforme të tillë duke relaksuar biznesin. Amnistia do të jetë në favor të biznesit dhe jo të kriminalitetit", - theksoi ai.

Last Updated on E Shtune, 08 Maj 2010 08:08

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›