E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhomat e Tregtisë dakord me Gjykatën e Apelit

06/11/2009  Pas kontrollit në firma të KLSH-së

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit për të rrëzuar padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, ndaj një urdhri të Drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve që nuk lejonte kontrollin e drejtpërdrejtë që disa inspektorë të KLSH-së kishin ushtruar ndaj biznesit. Më shumë se 2 muaj më parë disa inspektore të KLSH-së ushtruan kontroll dhe mbajtën 105 proces-verbale që çuan në penalizimin e padrejtë të biznesit, për detyrime gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008.

Duke u mbështetur në pikën 1 të nenit 14 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve nxori një urdhër të brendshëm për të mos lejuar vazhdimin e kontrolleve të tilla nga KLSH sepse “Administrata Tatimore është autoriteti i vetëm tatimor në Republikën e Shqipërisë, ç’ka do të thoshte që asnjë punonjës i KLSH apo Auditit nuk ka të drejtë të komunikojë apo të verifikojë dokumentacionin dhe mjediset e tatimpaguesve (biznesit). “Po kështu, sipas nenit 25 të ligjit, dokumentacioni dhe informacioni i tatimpaguesve është konfidencial” ishte argumentimi i urdhrit.

Protestat e biznesit dhe më pas reagimi i Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve u kundërshtuan nga KLSH që e çuan çështjen në Gjykatën e Apelit.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit që rrëzoi padinë e KLSH-së, që në këtë rast po përpiqet të institucionalizojë precedentë, që do të krijojnë një zinxhir të pafund kontrollesh në dëm të biznesit. Vendimi Gjykatës së Apelit konfirmoi qëndrimin e BDHTISH se asnjë përfaqësues i KLSH-së apo Auditit të Brendshëm nuk ka të drejtë të vendosë, të ndryshojë apo të heqë detyrimet tatimore ndaj tatimpaguesve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›