E Shtunë, 31 Tetor 2026

U merrnin lekë invalidëve, arrestohen 3 mjekë

06/11/2009  Kapen në flagrancë nga agjentët e policisë

ELBASAN- U merrnin para invalidëve për t’u siguruar pensionin, ndaj janë arrestuar. Tre mjekë të Elbasanit janë prangosur dje në kushtet e flagrancës me akuzën e mitmarrjes nga persona me aftësi të kufizuar, të cilëve u premtohej pensioni i invaliditetit. Ervedin Purde, vjeç 49, mjek i përgjithshëm në spitalin e Elbasanit, Adrian Palloshi, vjeç 43, mjek urolog në spitalin kirurgjik dhe Astrit Leka, vjeç 62, mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit janë arrestuar në flagrancë në zyrën e komisionit të invaliditetit pranë Sigurimeve Shoqërore Gramsh. Hetimet nga Prokuroria kishin nisur prej kohësh dhe operacioni drejtohej nga agjentë të Tiranës, por gjithçka do të mbyllej mesditën e së enjtes kur në zyrën e komisionit në Gramsh kanë hyrë agjentët civilë, duke kapur në flagrancë me paratë mbi tavolinë mjekët. 3 mjekët ishin anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor, ndërsa si duket e kanë shfrytëzuar për një kohë të gjatë këtë detyrë duke kryer korrupsion. Mësohet se pas një hetimi disa mujor të nisur nga disa denoncime të vetë qytetarëve për zvarritje procedurash me qëllim marrjen e parave është arritur në vërtetimin e këtyre ankesave nëpërmjet operacionit policor. Sipas policisë, tre mjekët firmosnin në mënyrë fiktive dokumentet, duke u marrë para qytetarëve banorë të rrethit Gramsh në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuar. Ankesat e qytetarëve kishin lidhje pikërisht me këto zvarritje që sipas hetimeve të policisë sillnin edhe shpërblimet për mjekët, të cilët merrnin shuma të ndryshme deri në 10 mijë lekë për person. Sipas hetimeve, rezulton se mjekët gjatë vlerësimit dhe përcaktimit të grupit të invaliditetit, u nxirrnin qytetarëve pengesa pa shkaqe ligjore në lidhje me dokumentet e paraqitura, kategorinë e sëmundjes dhe grupit të invaliditetit më qëllim që t’u jepnin para në këmbim të nënshkrimit të raportit mjeko-ligjor, për grupin e invaliditetit të kërkuar. Në momentin e arrestimit 3 mjekëve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 65 000 lekë të reja, që ua kishin marrë 9 qytetarëve, tre mjekët e arrestuar. Ata akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim”. Vetë mjekët i kanë hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se nuk kanë marrë para, por janë dëmtuar nga persona të caktuar që kanë shfrytëzuar policinë për të arritur qëllimin e tyre. Gjithsesi pritet që avokatët e tyre të sjellin edhe reagimin e mjekëve, pasi ata janë emra të njohur në fushën e mjekësisë. Adrian Palloshi, një ndër mjekët e specializuar të spitalit kirurgjik prej pak kohësh, kishte përfunduar një specializim jashtë vendit. Ai ka drejtuar spitalin kirurgjik për disa vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›