E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2009-ën, kredi për emergjencat nga Banka Botërore

Fondi i emergjencave për vitin 2009 për herë të parë mendohet të sigurohet me kredi. Bëhet fjalë për një kredi që shteti shqiptar do ta tërheqë nga Banka Botërore, e cila do të jetë me terma të butë. Një kredi e tillë në fakt tërhiqet edhe nga vende të tjera, të cilat e përdorin në raste fatkeqësish apo emergjencash. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, para Komisionit të Ekonomisë, kur po miratohej në parim projektbuxheti i vitit 2009. Për herë të parë qeveria do të miratojë një skemë të re për përballimin e katastrofave dhe emergjencave natyrore. “Në bashkëpunim me Bankën Botërore është siguruar një fond prej 150 milionë dollarësh, i cili mund të tërhiqet menjëherë në formën e kredisë në rast të ndonjë emergjence apo fatkeqësie natyrore. Por, nëse fondi nuk tërhiqet, atëherë shteti shqiptar nuk do të paguajë interesa”, - ka sqaruar zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Kjo kredi do t’i vijë në ndihmë shtetit për të përballuar situatën e vështirë që krijohet në raste katastrofash, duke i thënë zgjidhje të menjëhershme situatës që mund të vijë krejt papritur. Ky fond i siguruar nga Banka Botërore që vjen pas një marrëveshjeje që qeveria shqiptare ka arritur të nënshkruajë me këtë institucion financiar, mund të aktivizohet në momentin që ndodh katastrofa dhe lind nevoja për ndërhyrje emergjente. Në momentin që ky fond tërhiqet nga shteti shqiptar, ai merr formën e kredisë dhe shteti shqiptar paguan interesat për të, sigurisht në terma të butë. Ndërkohë deri në momentin që fondi i destinuar për qeverinë shqiptare nuk tërhiqet, vendi ynë nuk paguan asnjë lloj interesi për të. Zëvendësministri ka sqaruar se kjo lloj kredie quhet bono e rezervuar.

“Bono e vonuar ose e rezervuar, që në rast se ndodh në Shqipëri një katastrofë e përmasave të mëdha, ne kemi të drejtë tërheqjeje të menjëhershme deri në 150 milionë dollarë. Në momentin e tërheqjes kjo shumë shndërrohet në kredi”, - ka sqaruar zëvendësministri Shehu, duke dashur të shpjegojë se që nga ky moment do të paguhet interesi mbi të. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar se skema është pjesë e një projekti që Banka Botërore po zbaton në nivel rajonal. Një ndër elementet e projektit është edhe ngritja e një agjencie për emergjencat, anëtare të së cilës do të jenë të gjitha vendet e Ballkanit.

Kjo marrëveshje do t’i vijë në ndihmë qeverisë shqiptare në raste fatkeqësish natyrore apo katastrofave, duke mos e detyruar të miratojë fonde shtesë gjatë vitit për të përballuar situata të tilla. Pritet që kjo shumë të aktivizohet apo të marrë formën e kredisë në raste emergjencash apo katastrofash të rënda, pasi për raste të përballueshme nga buxheti i shtetit do të përdoret fondi i emergjencave apo ai rezervë, që është parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2009.

Rasti më me rëndësi ishte tragjedia e Gërdecit, ku qeveria përballoi me fondin rezervë të saj dëmshpërblimin e qytetarëve të dëmtuar për të blerë apo ndërtuar shtëpitë e tyre. Fondi i emergjencave është përdorur edhe në raste përmbytjesh ku qytetarët janë dëmtuar dhe kanë humbur shtëpitë e tyre apo edhe në raste zjarresh, të cilat nuk kanë kursyer edhe shtëpitë.

Ndërkaq, për vitin 2009 në projektbuxhetin e miratuar nga qeveria, i cili ka kaluar në parim edhe në Komisionin e Ekonomisë, parashikohet që fondi për rezervën e shtetit si dhe fondi i kontigjencave të jetë rreth 21 miliardë lekë.

Ndërtuesit: Paralajmëruam fatkeqësinë, kompani fantazmë ngrenë pallate

Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar dje pas ngjarës së rëndë në Gjirokastër, ku një pallat u shemb, si pasojë e gërmimit të thellë ndodhur pranë tij, për të ndërtuar një tjetër pallat. Ndërtuesit kanë deklaruar dje se kohë më parë kanë paralajmëruar rrezikun që mund të vinte nga hyrja në treg e kompanive ndërtuese të paspecializuara dhe personelit të pakualifikuar. Shoqata e Ndërtuesve ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e rendë të ndodhur në Gjirokastër me shembjen e një pallati nga punimet që po kryheshin pranë tij. “Fatkeqësi të tilla na kthejnë vëmendjen tek fakti se jeta e një njeriu është më e rëndësishme sesa çdo ngrehinë. Shoqata nga ana e saj do të vërë në dukje se është e dhimbshme që ne kujtohemi vetëm në raste tragjedish të tilla për të ndarë përgjegjësitë dhe për të rritur standardet e punës”, - tha dje Ilir Hebovija, nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai sqaroi se shoqata ka si objekt të saj kryesor ndërtimin me cilësi dhe me standarde të larta, duke respektuar ligjet në fuqi dhe normat e BE-së për ndërtimin. Por sipas Hebovijës, ndodh shpesh që kompani të ashtuquajtura fantazmë, që ngrihen dhe vdesin me ndërtimin e një pallati, marrin përsipër të ndërtojnë vepra jashtë kapacitete të tyre. “Shoqata e Ndërtuesve është e gatshme të marrë përsipër krijimin e një institucioni ndoshta në formën e një urdhri, ku kompanitë do të marrin vlerësimin real për punën që janë të afta të bëjnë, sepse sot ndodh që një shoqëri që ka ndërtuar vetëm një magazinë, të marrë përsipër të bëjë pallate shumëkatëshe apo vepra të tjera publike ku mundësitë për fatkeqësi janë shumë të mëdha”, - tha Hebovija.

Ndërtuesit sqarojnë se në një vepër që ndërtohet janë të pranishme shumë profesione dhe secili prej tyre kërkon një kualifikim të veçantë, i cili duhet të jetë i matshëm dhe i vlerësuar nga një institucion i specializuar. Sipas ndërtuesve, eliminimi i disa licencave nga ana e qeverisë, duket se do ta përkeqësojë gjendjen. “Vetëm pak kohë më parë qeveria me një të rënë të lapsit fshiu disa leje dhe licenca shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit. Mund të marrim një shembull tipik që ka të bëjë me patentën e manovratorëve të makinerive të rënda e cila nuk jepet më. Tashmë askush nuk të pengon të ushtrosh këtë profesion pa kaluar në kursin përkatës që bëhej pranë SHNSH-së”, - sqaron Hebovija. Po kështu, janë edhe një sërë licencash dhe lejesh për ushtrimin e profesionit, të cilat janë të domosdoshme për të kontrolluar të gjitha hallkat e ndërtimit dhe rritur përgjegjësinë e secilës palë. Shoqata e Ndërtuesve me kapacitetet e saj është plotësisht e aftë që të marrë përsipër kualifikimin dhe patentizimin e këtyre profesioneve, duke e liruar administratën nga ngarkesa të tilla, por duhet një vullnet më i madh për të marrë në konsideratë këto probleme dhe për t’i zgjidhur në mënyrë që të jemi parandalues dhe jo pritës të fatkeqësive të rënda, të cilat nuk kthehen mbrapsht.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›