E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat, raportim në telefon në rast efekti anësor

Efektet anësore të barnave tani e tutje nuk do të kalojnë pa u marr vesh. Nëse më parë qytetarët merrnin një medikament, apo një pacient i shtruar në spital i përshkruheshin në kurën trajtuese barna që ndikojnë negativisht, këto gjëra do të mund të raportohen përmes një numri telefoni. Burime pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave bëjnë të ditur se të gjithë qytetarët, mjekët, ambulancat dhe spitalet, tashmë mund të raportojnë efektet anësore të barnave mjekësore që përdorin, përmes një numri telefoni të vënë në dispozicion të tyre.

Raportimet

Burime nga QKKB thanë se "në kuadër të hedhjes së hapave të parë në fushën e farmakovigjilencës është vënë në dispozicion të qytetarëve, mjekëve, ambulancave dhe spitaleve, numri i tel 2376-045 dhe adresa e e-mail-it informacion@qkkb.gov.al, për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre pas periudhës së regjistrimit".

Sipas këtyre burimeve, "kjo nismë është marrë, duke pasur parasysh nevojën e implementimit të kësaj fushe në vendin tonë, në përputhje edhe me direktivat e fundit të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë".

Vëzhgimet

Për herë të parë në vendin tonë po hapet perspektiva që të survejohen të gjitha llojet e medikamenteve, si ato që merren nga vetë pacienti, ashtu edhe ato që përshkruhen nga mjekët. Përmes raportimit të barnave që kanë shkaktuar efekte anësore tek qytetarët, burime pranë QKKB-së sqarojnë se rasti i tyre do të merret në regjistrim për t’u verifikuar më pas.

Në të shumtën e rasteve barnat që kanë efekt negativ nuk zbulohen nga specialistët. Kjo, pasi deri më tani nuk ka ekzistuar një mënyrë, përmes së cilës të komunikohej dhe të raportoheshin dëmet që sjellin këto barna.

Gjithashtu, edhe specialistët theksojnë se krijimi i një qendre farmakovigjilence në Shqipëri, e cila do të ndihmonte në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe të gjitha problemeve të tjera që lidhen me konsumimin e barnave, konsiderohet si mjaft e rëndësishme nga specialistët e kësaj fushe.

Farmakovigjilenca (Pharmakon (greqisht) = bar dhe Vigilare (latinisht) = të vëzhgosh) është një shkencë relativisht e re, e cila ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, duke qenë se barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin si pasojë vdekjen.

Punësimi

Sistemi informatik do të shtrihet në zyrat e tjera rajonale

Sistemi Informatik i Punësimit, që po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Zyrat Rajonale Pilot të Punësimit në Tiranë dhe Korçë, shumë shpejt do të shtrihet edhe në Zyrat e tjera Rajonale të Punësimit.

Burime zyrtare nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bënë të ditur se informatizimi i shërbimeve të punësimit vjen në zbatim të prioriteteve dhe angazhimeve që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për zhvillimin e “e-government” dhe në kuadër të fushatës “Mosha e Internetit”. Sistemi informatikë do të shtrihet në të gjithë vendin, duke synuar si thithjen e donacioneve nga donatorë, por edhe duke investuar nga buxheti i shtetit.

Ministria e Punës vlerëson se projekti ka pasur një vështrim kompleks për përmirësimin e eficencës së punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke marrë në konsideratë eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së, në mënyrë të veçantë në fushën informatike; eksperiencën e një vendi shumë të zhvilluar si Suedia.

Ngritja dhe funksionimi i Sistemit Informatik në Shërbimin Kombëtar të Punës dhe në Zyrat Rajonale të Tiranës dhe Korçës është kryer falë një investimi konkret në hardware dhe software nga qeveria suedeze në shumën 300 mijë euro. Ky sistem, i përuruar në fillim të këtij viti, përmban informacion për vende të lira pune, punëkërkues të papunë dhe regjistrimin e biznesit.

Nëpërmjet këtij sistemi informatik, Drejtoritë Rajonale të Punësimit në Tiranë dhe Korçë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit po bëjnë të mundur për punëdhënësit (biznesin) publikimin e ofertave të punësimit, duke krijuar më shumë mundësi për të gjetur kandidatin e përshtatshëm për të plotësuar vendet e lira të punës. Ndërsa për punëkërkuesit dhe personat e tjerë që kërkojnë punë, sistemi ofron më shumë mundësi për të kërkuar vende të lira pune të përshtatshme për profesionin e secilit.

MASH

Rreth 40% e nxënësve, kualifikim në arsimin profesional

Rreth 40 për qind e nxënësve që përfundojnë arsimin bazë do të kualifikohen në arsimin e mesëm profesional.

Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se ky objektiv është në koherencë me programin qeveritar për zgjerimin e arsimit profesional. Këtij objektivi i shërben dhe një vendim i marrë së fundi nga MASH për liberalizimin e pranimeve në shkollat e mesme tekniko-profesionale e social-kulturore në vend. Nga ky vendim i MASH-it janë përjashtuar shkollat e mesme artistike dhe sportive për shkak të profilit të tyre të veçantë, ku talenti mbetet kriter kryesor, si dhe seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze. Qëllimi i politikave të MASH-it mbështetet edhe nga Strategjia Ndërsektoriale e Përfshirjes Sociale (2007- 2013), e cila parashikon rritjen e numrit të nxënësve në arsimin profesional në vitet në vazhdim. Ky dokument përcakton hapjen e një sërë shkollave profesionale në zonat rurale, kryesisht për agrobiznes, me qëllim tërheqjen e më shumë se 40% të nxënësve që përfundojnë arsimin bazë.

Ndjekja e kësaj politike do të ndikojë në zhvillimin e krahut të punës së kualifikuar, një faktor që do të mbështesë më tej rritjen ekonomike në vend.

Në vend funksionojnë rreth 70 shkolla të arsimit tekniko–profesional dhe social-kulturor, të ndara në këto fusha kryesore: elektro-mekanike, ekonomike, ndërtim mobilerie, bujqësi, pyje dhe veterinari, gjuhë të huaja, art, sport dhe pedagogji. Nxënësit e këtyre shkollave studiojnë në rreth 45 specialitete kryesore. Numri i nxënësve të regjistruar në këto shkolla përbën rreth 20 për qind të numrit të nxënësve që përfundojnë arsimin bazë.

Moti

Edhe java e ardhshme, me të njëjtat temperatura

Java që do të vijë do të karakterizohet nga një mot i qëndrueshëm, me vranësira të pakta, të cilat do të jenë më të theksuara në verilindje të vendit, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë në 22 gradë. Shërbimi Sinoptik Ushtarak parashikon një përçarje të vranësirave, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 22 gradë celsius.

Pjesa e parë e ditës së sotme ka qenë në aktivitetin e masave ajrore të paqëndrueshme, kjo gjë ka sjellë mëngjesin e sotëm vranësira dhe reshje të dobëta në jugperëndim të vendit. Pasditen e sotme temperaturat maksimale nuk do të pësojnë shumë ndryshime nga dita e djeshme, ato do të kapin vlerat nga 14 në veri të vendit deri në 22 gradë, pasi pritet një përmirësim gjatë pasdites. Ndërsa dita e hënë do të jetë më e qëndrueshme, me vranësira të pakta dhe kthjellime. Vranësirat më të theksuara do t’i kemi në verilindje, ndërsa temperaturat do të pësojnë një zbritje graduale mbi 2-3 gradësh, ndikimi i tyre do të ndihet në mëngjes. E njëjta situatë do të mbizotërojë edhe në ditët e para të javës, ku një mot i qëndrueshëm me vranësira të pakta do të mbizotërojë në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›