E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhori Qiriazi, mësuesi i mësuesve

Në kujtim të përvjetorit të lindjes së poetit dhe përkthyesit të madh
Ilir Kaso

Të flasësh për jetën e një mësuesi është e thjeshtë, sepse nuk ka shumë variacione, por kur bëhet fjalë jo thjesht për një mësues, atëherë sikur puna ndërlikohet pak. Dhori nuk ishte vetëm një mësues, por ai ishte dhe një poet, publicist, studiues, analist, përkthyes, që me të drejtë ne kolonjarët atë e kemi quajtur enciklopedist.

Është lindur në fshatin Lëngës të rrethit Kolonjë, më 03. 01.1933. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes, një fshat shumë i bukur, i vogël, me diell gjithë ditën, i begatë. Shkollën fillore Dhori e ka bërë pjesë –pjesë, në disa vende, si në Ersekë, Korçë, Gostivisht, dhe e përfundoi në Lëngës, në vitet 1942 – ‘46. Në vitet 1947 – ‘50 përfundoi 7-vjeçaren në qytetin e Ersekës me rezultate shumë të mira dhe për këtë i jepet e drejta të vazhdojë shkollën e mesme, me bursë shteti në gjimnazin e Shkodrës, i ndihmuar për fat të mirë dhe nga ish shefi i Seksionit të Arsimit, Tedor Vezuli.

Mbaron me rezultate të shkëlqyera gjimnazin në vitin 1954 dhe i jepet e drejta për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Tiranës dhe më pas u quajt Universiteti Shtetëror i Tiranës, në Fakultetin Gjuhë-Letërsi dhe Histori, të cilin e mbaroi në vitin 1958, përsëri me rezultate të shkëlqyera.

Me mbarimin e Universitetit kthehet në Kolonjë dhe fillon punë në shtator në gjimnazin e ri “Petro N. Luarasi” të Ersekës, i cili u çel këtë vit. Dallohet në punë, veçohet për përgatitje të lartë profesionale e metodike, admirohet nga nxënësit dhe për këtë në vitin 1960 emërohet zëvendësdrejtor i gjimnazit, detyrë të cilën e mban deri në vitin 1967. Të gjithë ish-nxënësit e kujtojnë me shumë respekt, i dedikojnë shumë fjalë të mira dhe falënderime. Në këto vite ai ka hedhur dhe hapat e parë në fushën e krijimtarisë dhe po çante me sukses. Por pikërisht në këto vite, kur ai po fillonte të korrte frytet e punës së tij, dikush fillon dhe gërmon në biografinë e tij dhe mësues Dhori filloi të shihet me sy tjetër. Shkarkohet nga detyra e zëvendësdrejtorit dhe mbetet mësues i thjeshtë në gjimnaz deri në vitin 1975 kur e largojnë dhe nga gjimnazi. E kufizojnë për të shkruar dhe botuar, i nxjerrin plot pengesa sa dhe filloi të mbyllej pak në vetvete.

Në vitin shkollor 1975 – ‘76 e çojnë mësues në shkollën 8-vjeçare ”Dy Dëshmorët” në Boshanj, meqënëse kjo shkollë kishte në CL 45-50 nxënës. E vështirë për të, rruga e largët dhe çdo ditë vajtje –ardhje, transporti ishte deri në Mollas, i sëmurë me stomak. Në vitin shkollor 1976 – ‘77 dhe deri në vitin 1981 ai transferohet në shkollën e mesme të bashkuar ”Mustafa Jashari” në Mollas, për të gjitha drejtimet këtu ai ishte më mirë. Kam pasur fatin të punoj më këtë mësues; ishte i rrallë për çdo gjë. Intelekti i tij ishte për t’u habitur, kishte një kulturë për ta pasur zili, ishte poliedrik; ta pyesje për çdo gjë, merrje vetëm përgjigje të sakta. Edhe këtu nuk e lenë rehat. Bile e rrezikojnë duke e provokuar, por fati qe me të dhe shpëtoi për mrekulli. Në shtator të vitit 1981 e kthejnë në gjimnazin e Ersekës dhe vazhdon punë deri në vitin 1988, vit kur doli në pension.

Kanë qenë me fat ata që kanë bërë mësim me Dhorin. Ata merrnin njohuri të sakta për disa lëndë, nuk ndodhte që t’i bëje pyetje e të mos merrje përgjigje nga ai njeri. Nuk dinte të nxehej apo të fyente nxënësin. Fatkeqësi dhe veprim i ulët për rrethin tonë që e trajtoi në këtë mënyrë një figurë me të tilla përmasa, është vështirë t’i vijë Kolonjës një i dytë.

Dhori nuk ishte vetëm një mësues. Ai ishte dhe krijues, një poet i mrekullueshëm lirik, që rrallë lindin të tillë. Ka marrë vlerësimet maksimale nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Gurakuqi për shkrimet dhe lirikat e tija. Ai ishte dhe një përkthyes i talentuar. Janë gjithë ata shkrimtarë dhe poetë që Dhori i bëri të flisnin shqip. Ai zotëronte dhe komunikonte lirshëm në gjuhët anglisht, rusisht, italisht, greqisht. Kjo vërtetohet me përkthimet e tij nga origjinali i disa veprave të shkrimtarëve me famë botërore.

Dhori ka qenë mësuesi ynë, - shprehet Dr. Caci Simeoni, ”Mësues i merituar”. Kur ishim nxënësit e tij, po e po, dhe kemi qenë me fat; u mësuam prej tij, por dhe mësuam nga ai në profesionin e mësuesit, sepse kam punuar disa vite me të. Në gjimnaz, Dhorin e kemi pasur ”Mësues të mësuesve”. S’kishte ditë që njeri nga ne mësuesit të mos e pyeste atë për lëndën e vet, për ndonjë shkencëtar, personalitet, për ndonjë figurë historike, për ndonjë fjalë të re, dhe kishte për borxh të ta shpjegonte, ne do të shfletonim shumë dhe a do ta gjenim. Ai komunikonte në disa gjuhë dhe kishte literaturë, mbi të gjitha kishte metodë studimi dhe kujtesë të fortë.

Një kontribut të veçantë ka dhënë Dhori në grumbullimin dhe përpunimin e fjalëve të reja, fushata që u bë nga mësuesit pas viteve ’80. Ai jo vetëm që i sistemonte, por dhe shpjegonte me kompetencë dhe origjinën e tyre, mbi të gjitha ishte fjalë shqip apo e huazuar.

Por vlera më e madhe e tij për rrethin e Kolonjës ka qenë në grumbullimin, sistemimin dhe sqarimin e folklorit të kësaj treve. Këngët ”perla” të kënduara nga grupi folklorik i Kolonjës, janë puna, mundi dhe djersa e tij. Ai i merrte këngët, i sistemonte, sqaronte çdo fjalë, i zbukuronte, i ledhatonte, i përkëdhelte dhe luante me ato si të ishin qenie e gjallë, dhe po të shikojmë në të gjitha vitet grupi folklorik i Kolonjës zinte vende nderi, sepse ai e dinte se çfarë këngë duheshin, cilat janë autoktone, amtare, të krahinës. Këngët valle të grupit të grave, këngët e kënduara po nga gratë dhe vajzat, veshjet e tyre, apo disa këngë të burrave janë mundi dhe djersa e Dhorit. Edhe Komisioni Qendror i Festivalit i ngritur nga Ministria e Kulturës, kur kontrollonte programet dhe dëgjonte se këto kishin kaluar në filtrin e Dhorit, nuk i diskutonin fare; e kishin marrë ok-ein.

Dhori ka qenë dhe një patriot e atdhetar i mirë. Ashtu si bleta që mbledh nektarin për mjaltë, ashtu dhe ai mblidhte fjalën dhe vargun shqip, këngën dhe vallen, veshjen dhe kulturën materiale, mjetet dhe ndërtimet. Duke qenë se ai shfletonte shumë, lexonte, i binin në dorë dhe fotografi, shkrime, skica. Këto i grumbullonte dhe me shënime sqaruese i dërgonte në Muzeun e Ersekës. Janë me dhjetëra dokumentet dhe relike që mbajnë firmën e tij në muze. Gëzohej për to sikur të kishte gjetur thesarin e botës, por dhe hidhërohej kur këto nuk mirëmbaheshin.

Ishte fundi i vitit 1993. Në qytetin e Ersekës u vodh reliefi i Luftëtarit të Rilindjes. Kur e mori vesh këtë ai është shqetësuar aq shumë sa nuk e kish ndjerë veten më keq. Kam qenë prezent dhe kam dëgjuar nga goja e tij që u shpreh: “Një qeveri që nuk është në gjendje të mbrojë kulturën dhe historinë e saj nuk është qeveri, ajo duhet të largohet një orë e më parë”. Disa kohë më parë ishte vjedhur dhe bazilika e Beratit.

Dhori ka lënë pas një thesar të madh. Shumica e tyre janë botuar, por gjatë periudhës që ai banoi në Tiranë grumbulloi dhe shumë materiale të tjera, të cilat janë të pabotuara. Unë me këtë rast u bëj apel kolonjarëve, sidomos atyre që janë në gjendje të mirë ekonomike që të ndihmojnë familjen e tij dhe gjithë Kolonjën e Shqipërinë që këto të botohen. Në këto shënime ka thesare, dikush tjetër që t’i nxjerrë këto nuk do mundet, ai ishte i lindur për këto punëra, ai kishte një jetë që studionte dhe gërmonte, ai kishte shfletuar me mijëra e mijëra faqe në shqip dhe sidomos në gjuhë të huaj. Këto shënime nuk janë të një studiuesi apo historiani, por janë të një gjuhëtari, historiani, studiuesi, poeti, përkthyesi, janë shënime të një figure poliedrike, e cila vjen rrallë mes ndër ne. Bëjeni këtë punë se besoj ky do të ketë qenë dhe amaneti i tij i fundit, sepse vdekjen e kemi të gjithë borxh.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›