Itali, një shqiptar i infektuar me virusin A/H1N1
SAVONA-Një shqiptar emigrant në Itali ka rezultuar i prekur na virusi A/H1N1. Ai është një 31-vjeçar me banim në Savona dhe prej disa ditësh ndodhet i shtruar në terapi intensive në repartin e reanimacionit në spitalin “San Martino” të Xhenovas. Lajmi bëhet i ditur nga media italiane, sipas së cilës gjendja shëndetësore e shqiptarit po mbahet në monitorim mjekësor. 31-vjeçarit shqiptar i janë konstatuar simptomat e sëmundjes virale si temperaturë të lartë dhe probleme të rënda të frymëmarrjes. Mjekët thonë se shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, nuk vuante nga sëmundje të tjera patologjike. Ky është rasti i parë në këtë zonë me AH1N1 në gjendje të rënduar, por që nuk hyn në kategorinë e konsideruar rrezik. Në Savona pandemia shkaktoi vetëm një viktimë në nëntor të vitit të kaluar. Drejtoria e shërbimit shëndetësor të kësaj zone bëri të ditur se situata është nën kontroll, për vetë faktin se në spitalin “San Martino”, nuk ka të shtruar të tjerë me virusin AH1N1 përveç shqiptarit. Edhe në Shqipëri muajin e fundit është shtuar numri i të prekurve nga virusi A/H1N1, i cili ka shkuar në 400, dhe deri tani janë shënuar 8-të viktima nga gripit i derrit.
5 Janar 2010