Papandreu viziton Serbinë, rikonfirmon qëndrimin për Kosovën
Kryeministri grek Jorgos Papandreu zhvilloi një vizitë njëditore në Serbi, ku u takua me presidentin Boris Tadiç dhe kryeministrin Mirko Cvetkoviç. Papandreu do të marrë pjesë edhe në konferencën e ambasadorëve të Serbisë në rajon, çka i jep një motivim të veçantë këtij udhëtimi në kryeqytetin e Serbisë. Athina ka pasur tradicionalisht marrëdhënie shumë të mira me Beogradin, ndërsa vetë zoti Papandreu me presidentin serb, Boris Tadiç kanë një lidhje më shumë për këto marrëdhënie, dhe kjo është internacionalja socialiste, ku zoti Papandreu është president dhe partia e zotit Tadiç është anëtare. Sipas burimeve nga ministria e jashtme, kryeministri grek iu referua në diskutime iniciativës së Athinës për integrimin në BE të Ballkanit perëndimor, ose siç quhet tashmë, Axhenda 2014, që përmban objektivin ambicioz që vendet e rajonit të anëtarësohen në Unionin Europian brenda 2014-s, që është një vit simbolik, teksa shënon 100 vjetorin e luftës së parë botërore që nisi nga Sarajeva, pra nga Ballkani. Në këtë kuadër, Papandreu përshëndeti aplikimin e Serbisë për anëtarësimin në BE, që e dorëzoi presidenti Tadiç më 22 dhjetor dhe do të shprehë mbështetjen e Athinës ndaj këtij aplikimi. Njëkohësisht, ai inkurajoi autoritetet serbe për të gjetur dhe arrestuar kriminelët e luftës që kërkohen nga gjykata e Hagës për krimet në ish Jugosllavi, mes të cilëve edhe gjenerali Ratko Mlladiç. Në këtë vizitë u diskutua edhe për çështje si Kosova dhe Maqedonia. Papandreu përsëriti se qëndrimi për Kosovën mbetet i njëjtë, duke pretenduar se Greqia nuk do ta njohë shtetin e ri për një kohë të gjatë.
5 Janar 2010