E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat e shërbimeve sociale, qeveria ndryshon rregullat e funksionimit

Jonida Tashi

Ndryshojnë rregullat e funksionimit të qendrave sociale rezidenciale dhe ditore që ofrojnë shërbime për të moshuarit. Qeveria ka miratuar së fundi udhëzimin e ministrit të Punës, Spiro Ksera, “Për zbatimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror, për të moshuarit në qendrat rezidenciale dhe ditore”. Në këtë udhëzim, që pas miratimit nga Këshilli i Ministrave është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, ministri i Punës ka përcaktuar kushtet e reja që duhet të plotësojnë qendrat e shërbimeve sociale për të ushtruar aktivitetin e tyre. Sipas udhëzimit të Kserës, qendra rezidenciale dhe ditore, publike dhe jo publike, të përkudjesit shoqëror për të moshuarit ofrojnë shërbime në përputhje me standardet e shërbimeve dhe procedurave të mëposhtme.
Deklarata e qëllimit
Ministri i Punës ka vendosur që të gjitha institucionet rezidenciale dhe komunitare, publike dhe jo publike të kujdesit për të moshuarit të hartojnë një deklaratë qëllimi, ku të parashtrohet filozofia, synimet dhe objektivat e institucionit. Në deklaratën e qëllimit do të përcaktohet misioni, objektivat dhe vlerat e shtëpisë/qendrës, shërbimet që ofrohen, struktura organike e qendrës, të dhënat për personelin, procedurat e shërbimeve sociale, mbrojtja dhe siguria e të moshuarve, lidhja me familjarët dhe të afërmit, procedurat e ankimimit, largimi nga qendra dhe procedurat në çastin e fundit të jetës. Deklarata e qëllimit, sipas udhëzimit të Kserës, ndihmon personat përgjegjës të vlerësojnë nevojat e të moshuarve dhe sistemimin e tyre në institucion; informon stafin, të moshuarit, familjarët dhe miqtë e tij për strukturën e qendrës dhe shërbimet që ofrohen; ndihmon drejtuesin për të marrë vendimet e duhura për sistemimin tyre dhe shërbimet ndaj tyre. Ministri i Punës ka kërkuar nga qendrat e shërbimeve sociale për të moshuarit që ta vendosin deklaratën e qëllimit në një vend të dukshëm për të gjithë anëtarët e stafit, të moshuarit, fëmijët e të moshuarve dhe personat e afërt të tij. Për të vërtetuar deklaratën e qendrës, të moshuarit, fëmijët e tyre ose të afërmit (vëllezër, motra etj.) duhet të konfirmojnë se janë njohur dhe e kanë marrë një kopje të saj. Po ashtu, institucionet e kujdesit duhet t’u vënë në dispozicion të moshuarve një udhëzues, i cili përmban në mënyrë të përmbledhur objektivat e institucionit, llojet e shërbimeve, metodologjinë e asistencës social-mjekësore, respektimin e kërkesave kulturore dhe fetare, format e menaxhimit të institucionit, kërkesat strukturore, ambientale, organizative e funksionale dhe burimet njerëzore të qendrës. Ky dokument duhet t’u jepet të moshuarve që në momentin e vendosjes në institucion. Ndërsa përsa i përket mënyrës së hartimit të deklaratës nga qendrat sociale, Spiro Kesra ka udhëzuar që ajo të përgatitet duke përfshirë stafin e qendrës si dhe të moshuarit.
Vlerësimi i nevojave
Një pikë tjetër e udhëzimit të ministrit të Punës është ajo për vlerësimin e nevojave të të moshuarve dhe mundësitë që ofron qendra për përmbushjen e tyre. Për këtë arsye, Ksera ka kërkuar që të moshuarve t’u ofrohet informacion me shkrim dhe me gojë për filozofinë e shërbimeve, komoditetet e ofruara dhe standardet e përkujdesjes. Sipas udhëzimit të tij, çdo institucion duhet të ketë një rregullore të brendshme, ku përcaktohen qartë rregullat e jetesës në shtëpi për të moshuarit ashtu edhe për personelin. Në këtë mënyrë personeli njihet me misionin, filozofinë e përkujdesjes dhe vetë rregulloren e brendshme që duhet të zbatojë. Po ashtu, institucionet duhet të përgatisin dhe shpërndajnë broshura/fletëpalosje/dokumente që përshkruajnë mjediset e shtëpisë dhe shërbimet që ofrojnë. Ndërkaq, familjarëve të të moshuarve do t’u krijohet mundësia që të vizitojnë shtëpinë dhe të informohen për të gjitha çështjet që iu interesojnë. Ndërsa vlerësimi i nevojave të të moshuarve do të realizohet nga profesionistët e qendrës në bashkëpunim me klientin dhe familjarët e tij dhe përcaktojnë shërbimet dhe kërkesat e klientit që institucioni merr përsipër të ofrojë. Nevojat e identifikuara për shërbime ndaj klientit dhe mundësitë e plotësimit të tyre nga institucioni do të përfshihen në një kontratë tip, e cila do të nënshkruhet nga përfaqësuesi i institucionit dhe përfituesi. Në këtë kontratë do të përcaktohet: misioni i institucionit, strategjia, objektivat, marrëdhëniet e institucionit me të moshuarit, lista e shërbimeve dhe mjediset që ofron institucioni, të drejtat dhe detyrimet e të moshuarve, marrëdhëniet me personelin dhe me njëri-tjetrin, detyrimet e personelit etj.

Si do të hartohet plani i përkujdesit për të moshuarit

Plani i përkujdesit për të moshuarit do të përfshijë masat që do të merren për plotësimin e nevojave të tyre. Për hartimin tij duhet të grumbullohet informacion i plotë për çdo përfitues, nëpërmjet intervistave me të moshuarit dhe të afërmit e tij. Mbi këtë bazë do të vlerësohen nevojat social-mjekësore dhe do të përcaktohet plani i shërbimeve që do të ofrohen për të moshuarit në përputhje me moshën, gjininë, besimin fetar, etninë etj. Për hartimin e planit të përkujdesit duhet të ndërmerren disa hapa si dhe të plotësohen katër dokumente kryesore që janë: formulari për informacionin e të moshuarve; raporti për vlerësimin e nevojave; plani i kujdesit; raporti i ecurisë. Formulari për informacionin e të moshuarve ofron të dhëna të mjaftueshme, të cilat shërbejnë për hartimin e planit të kujdesit. Informacioni duhet të grumbullohet brenda javës së parë pas vendosjes së të moshuarit në institucion. Ky informacion duhet të sigurohet nëpërmjet intervistave të drejtpërdrejta me të moshuarin nga punonjësi social dhe personeli tjetër i angazhuar për ofrimin e shërbimeve sociale në institucion. Më pas, informacioni i mbledhur duhet t’i vihet në dispozicion stafit profesional që punon drejtpërsëdrejti me të moshuarin në institucion rezidencial ose komunitar. Plani i kujdesit shërben për realizimin e objektivave afatmesme e afatgjatë të nevojave të identifikuara për të moshuarit. Plani i kujdesit duhet të hartohet brenda tre muajve pas pranimit të të moshuarit në institucion. Punonjësi kyç i caktuar për të moshuarin është përgjegjës për hartimin e planit të kujdesit, i cili bashkëpunon me profesionistët e angazhuar për këtë qëllim.

Pjesët
Plani i kujdesit për të moshuarin përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përfshin planin e përgjithshëm, i cili përmban informacionin individual të klientit, burimet ekonomike, preferencat, sistemimin në institucion dhe të dhëna të tjera që lidhen me jetën e tij. Pjesa e dytë e planit përbëhet nga disa rubrika ku zhvillohet plani për: shërbimet shëndetësore; zhvillimet emocionale dhe sjellja; identiteti; marrëdhëniet sociale; lidhjet me familjen; paraqitja dhe aftësitë e vetëkontrollit; faktorët mjedisorë; pikëpamjet etj. Plani i kujdesit për çdo rubrikë zhvillohet në një modul tip, në të cilin pasqyrohen nevojat
e identifikuara për të moshuarin dhe masat për plotësimin e tyre, afatet e realizimit, personi përgjegjës dhe afatet e pritshme. Për institucionet rezidenciale dhe komunitare të kujdesit për të moshuarit, shërbimi social shtetëror cakton një inspektor që ndjek nga afër ecurinë e zbatimit të planit për çdo të moshuar.

Vaktet e ngrënies dhe orari i tyre
Ushqyerja duhet të bëhet në përputhje me kërkesat dietike individuale dhe kërkesat ushqimore të moshës në përputhje me kërkesat dietike të vendosura nga Drejtoria e Shëndetit Publik. Buxheti i institucionit për ushqimin të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat dietike. Klientët me nevoja dietike të kenë ushqim dietik të veçantë, që të plotësojnë nevojat bazë në sasi e cilësi. Të moshuarit inkurajohen dhe përfshihen në planifikimin e menysë, blerjen e ushqimeve, përgatitjen e vakteve, orarin e ngrënies dhe shtrimin e tavolinës për ngrënie. Intervistat me të moshuarit dëshmojnë për plotësimin e standardeve të ushqimit të tyre. Të moshuarit mund të mbajnë disa ushqimeve në kushte higjienike dhe të drejtën e
përgatitjes së një pijeje për vete dhe për vizitorët. Mbrojtja e të drejtave të klientëve, shmangia e abuzimit dhe procesi i animimit. Të moshuarit gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore të mbrojtjes nga abuzimet financiare, psikologjike, fizike dhe seksuale. Klientëve u krijohet mundësia që të marrin pjesë në procesin politik dhe në votime sipas dëshirës. Personeli që punon me klientët duhet të ketë dëshmi penaliteti. Personelit i ndalohet marrja e
dhuratave (para, sende etj.). Për shkelësit vendosen sanksione. Në rregulloren e brendshme ka procedura për raportimin e rasteve të abuzimit, ku përcaktohen afatet e kthimit të përgjigjes dhe emrat e personave/organeve që do të merren me ankesën. Inspektimi i ankesave vërteton se ato janë trajtuar me seriozitet dhe në kohën e duhur.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›