E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë e politikës inflatore

Nga Mehmet Kraja

Nuk jam nga ata që mbaj ditar. Megjithatë, për datën 22 janar mbajta ca shënime, të cilat do t’i nxjerr këtu, ashtu siç i vendosa në një fletë të formatit A-4.

Prishtina, në mëngjesin e 22 janarit, pas shkrirjes së borës, i ngjan një strofke qeni, e mbushur me mbeturina, me letra, me qese najloni, me hedhurina gjithfarëshe. Era që fryn pështjellueshëm, kësaj radhe nuk ndihmon asgjë. Është një pamje e shëmtuar, e mjerueshme, nga ato që të bëjnë t’i lutësh Zotit që bora të mos hiqet aq shpejt. Vetëm dy-tri ditë pasi është shkrirë, të merr malli për bardhësinë e saj. Dhe për iluzionin e dëlirësisë që krijon ajo. Marr një krah gazeta dhe në lokalin e afërt ngadalë gjerb një kafe me shije lëng verri. Kamerieri më shikon herë mua dhe herë gazetat, disi turbullt, përhumbshëm dhe me një dozë keqardhjeje. Nuk ia vë veshin. Kaloj një për një faqet e gazetave dhe diku më zë syri një deklaratë ose reagim të kryetarit të komunës së Prishtinës. Drejtoritë e komunës, thotë ai, kanë punuar mirë. Nuk është e vërtetë se jam i pakënaqur me punën e tyre, thotë ai. Nuk e di, tashmë kam harruar nëse kam votuar për të ose jo. Por e di që është kryetari i katërt i Prishtinës pas luftës. Kot. Më duket se nëpër qoshet e rrugëve të lagjes sime janë po ato hedhurina, po ato mbeturina, që nuk i ha dreqi as të kalben, por rrinë aty nga një mandat në tjetrin. Mbase presin mandatin e pestë.

Një ditë më parë, më 21 janar, është shënuar 3-vjetori i vdekjes së Rugovës. Të gjitha gazetat thonë të njëjtën gjë: homazhe, fjalime, deklarata. Nuk lexoj asnjë, jo pse një natë më parë i kam parë në televizor, por ngaqë shihet një unifikim zërash deri në refuzim. Nuk më pëlqen ajo që thotë Sejdiu, sepse është inflatore. Ajo që thotë Thaçi, është kurtuazi. Nuk më duken të sinqertë as ca miq të mi shkrimtarë, të cilët në bibliotekë promovojnë për të dytën herë ca libra për Rugovën. Më shkakton njëfarë pështjellimi në mendje dhe ndjenja të përziera fakti se disa nga shkrimtarët tanë poltronizohen dhe Rugovën e përdorin si mjet, si instrument për karrierën e tyre. Njësoj si Gërvallën para ca ditësh. Përdorimi i të vdekurve për promovime personale është joetike. Po kujt ia ndien. Bota është kthyer përmbys dhe shfaq anën e saj më të shëmtuar. Ana e saj e pasme, me rrjebull, me zgjebë, të rri para sysh, ngado që të sillesh.

Ja edhe kultura, bota e artit, ku politika thonë se nuk duhet të ketë punë. Para disa ditësh kisha takuar Fadil Hysën, njërin nga regjisorët e mi të preferuar dhe shkarazi më ishte ankuar për gjendjen në Teatrin Kombëtar. Kur ky ankohet, thash me vete, që është këshilltar i kryeministrit, ç’të bëjmë ne të tjerët, që publikisht na thonë: nuk do t’ju lëmë kurrë më të futni këmbën në këtë institucion. Jo, more, nuk mund të ndodhë, nuk mund të bëhet kështu, sepse, fundja, e kemi Fadilin në kryeministri dhe ai... E kuptoni vetë ku e kam fjalën. Dhe diku, në një cep gazete, lexoj lajmin: “Fadil Hysa do të bëjë shfaqje në Teatrin Kombëtar”. Ue! Iku edhe ky! E hëngri llokumin. Një herë Bekim Lumi, këshilltar i ministrit të Kulturës bën shfaqje, tani Fadil Hysa, këshilltar i kryeministrit. Në radhë është ndonjë këshilltar i presidentit. Edhe nëse nuk ka ndonjë të tillë, do ta gjejmë, se nuk bën. Shkojmë më tej. Toka sillet, pavarësisht nëse dikujt i merren mendtë. Sekush komenton lajmin e disa ditëve më parë për bordin e Galerisë së Arteve. Ia fusin kot. Nuk e thonë atë që duhet. Luan Mulliqi, pas dhjetë vjetësh drejtor, përsëri bëhet anëtar i bordit. Kush çan kokën se kjo është antiligjore. Pastaj Ulpiana Lama, ç’lidhje ka ajo me punët e ngatërruara të artit te ne?! Në të vërtetë, shprehjen e Tiranës “Ia fusin kot”, këtu në Kosovë do të duhej ndryshuar: Ta fusin kot, do të duhej thënë.

T’i kthehemi politikës, se vetëm ajo e bën botën të duket kështu siç është. Ajo e bën rozë, ti i hedh ca blozë dhe çdo gjë bëhet gri, si qielli i Prishtinës në këtë mëngjes. Puna e zgjedhjeve. Si mund t’i kalosh gazetat, pa lexuar ndonjë margaritar për këtë problem. Opozita thotë, duam zgjedhje sipas Pakos së Ahtisaarit. Pozita thotë, nuk ka zgjedhje, sipas Kushtetutës së Kosovës. Pieter Feith futet në mes dhe mban anën e pozitës. Unë, po të më pyeste njeri, do të mbaja... Jo, nuk dua të deklarohem! Në të vërtetë, sipas rregulli të përbotshëm, krijuesit do të duhej të ishin opozitë e pushtetit. Por a e keni vënë re se te ne, të gjithë krijuesit që i përziejnë këmbët me politikën, janë me pozitën, nuk janë me opozitën. Edhe në këtë pikë ne jemi rast “sui generis”. Lëpijmë çanakët, sepse të tillë, pa dinjitet, na ka stisur perëndia. Shkojmë më tej. Toka vazhdon të sillet, pavarësisht se dikë e mundojnë të vjellat. Në njërën nga gazetat, dikush nga opozita përmend legjitimitetin e pushtetit të dalë nga zgjedhjet e fundit. Sipas tij, pozita nuk ka legjitimitet të mbajë pushtetin, sepse në zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë votuar rreth 40% të elektoratit. Hi, hi! Por as opozita nuk ka legjitimitet, sepse edhe ajo është produkt i këtij dyzet përqindëshi. Obscurum per obscurus.

Në orët e para të pasdites shikoj në televizor debatin në parlamentin e Kosovës për një rezolutë rreth krimeve të komunizmit. Kamerat e RTK, të ushtruara për të bërë “politikë” edhe me pamje, ndërsa diskutohet rezoluta, nga dy mundësitë që kanë, për ta treguar sallën e Kuvendit gjysmë bosh ose gjysmë plot, ato zgjedhin këtë të fundit. Çështja është serioze, por diskutimet janë monotone, si në mulli. Kotem. Pastaj këndellëm dhe në ekranin e televizorit shoh një votim, nuk e di saktë se di për çka, por shifrat e votimit m’u fiksuan mirë në mendje: 24 deputetë votuan “po”, 4 “jo” dhe 6 abstenuan, që domethënë se në sallën e Kuvendit, përfshirë edhe kryeministrin dhe disa ministra, ishin plot 34 deputetë. Ashtu, si nëpër tym u përpoqa të bëj një matematikë: sa i bie, afërsisht, 35 përqindëshi i 40 përqindëshit? Kjo duhet të jetë përqindja jo e legjitimitetit, por e ndërgjegjes, e etikës së njerëzve që përbëjnë “Res Publica” të Kosovës. Është kjo shifër inflatore, e cila po mbyllte ngadalë një ditë të politikës sonë gjithashtu inflatore.

Pak më vonë u ngrita, e bëra duç fletën ku kisha mbajtur shënimet e ditës dhe e hodha në mbeturina. Kurrë më nuk do të provoj të mbaj ditar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›