E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG, një shpërblim paraburgimi për Mediun

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare po mban larg syve të publikut procedurën e privatizimit të kompanisë shtetërore, INSIG. Njoftimi për shitje është bërë, kur procedura kishte përfunduar dhe pas gjithë procesit ka qëndruar ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas të dhënave nga zyrtarë brenda INSIG, i autorizuari i parë me të drejta të plota në formën e përfaqësuesit për procesin e privatizimit ka qenë kunati i zotit Mediu, Ilirian Celibashi, por, për shkak të frikës nga debati politik, gjatë rrugës është ndryshuar përfaqësuesi formal, duke mbetur ai përfaqësuesi real.

Problemi i parë madhor që del dhe nga ky privatizim është mungesa e një blerësi serioz strategjik që vjen këtu për të investuar. Njësoj si në rastin e ARMO-s, blerësit praktikisht janë shqiptarët që qëndrojnë pas privatizimit, të cilët me 25 milionë euro kanë blerë një kompani që ka mbi 60 milionë euro asete dhe kapitale të qarkullueshme.

Për ta kuptuar më mirë diferencën mes plaçkitjes që i është bërë pasurisë shtetërore në këtë rast mjafton të krahasojmë shitjet e kompanive private të sigurimeve në raport me atë shtetërore. SIGAL dhe SIGMA, dy kompani private që kanë nisur aktivitet në vitin 1999 dhe që përveç pranisë në treg nuk kanë ndonjë aset të vetin, janë shitur te dy kompani shumë prestigjioze austriake. SIGAL është shitur tek UNIQUA, një kompani lider në Austri, që e njeh çdo austriak për shkak të prestigjit të saj dhe SIGMA është shitur te Vienna Insurance Group, po ashtu një kompani shumë agresive në tregun e sigurimeve në Austri. Edhe kompani më të vogla tonat, siç është rasti i INTERALBANIAN, është shitur te një grup prestigjioz në Greqi. Në ndryshim nga këto, kompania jonë shtetërore shitet te një kompani thuajse inekzistente në SHBA, e cila ende nuk ka një faqe të saj interneti, por funksionon me link brenda një dege banke që e ka blerë. Sipas vetë deklarimit të saj “American Reserve Life Insurance Company” (ARL) është pronare me një qind për qind e Liberty Bankers Life Insurance Company. ARL është tërësisht në pronësi të Heritage Guaranty Holdings, Inc. ARL ofron risigurim dhe mbështetje financiare për degët e saj. ARL u themelua në 1922 dhe u ble nga American Reserve Group në 1999. American Reserve Life dhe kompanitë përbërëse të saj janë kompani të vogla sigurimesh për standardet amerikane. Njohësit e saj thonë që ka një histori të errët në veprimtarinë e saj dhe nuk përbën asnjë faktor në tregun e sigurimeve amerikane. ARL është e vendosur në shtetin e Oklahoma-s dhe me qendër në Dallas. Për gjithkënd që e njeh qoftë dhe një ditë Fatmir Mediun ose është ulur me të në tavolinë, me siguri që ka dëgjuar për Nick-un ose për Xhimin në SHBA, në Dallas, të cilët janë miqtë e tij familjarë dhe ndoshta miqtë e jetës së tij. Nick, në fakt e ka emrin Nazar, është nga fshati i Ridvan Bodes (ish-pronarit shtetëror të INSIG), por familja e tij ka emigruar në fshatrat e Prespës matanë kufirit. Xhimi është miku i Nazarit që shërbente gjithmonë si shoqërues i Mediut në udhëtimet e tij në Dallas. Këta janë blerësit e autorizuar të INSIG.

Në fakt, me aq sa unë njoh background-in e tyre, Nazari, ose Nick, siç i thërret Mediu, mund ta blinte INSIG-un dhe mund të bëhej aksioner i tij. Jo vetëm se ka lidhje dhe me Ridvan Boden, por se mbi të gjitha ka pará. Ai është pronar i disa klubeve striptizmi në Dallas dhe supozohet se ka bërë shumë pará më anë të këtij biznesi. Mediu bën kujdes, sa herë është me dikë të rëndësishëm, për shembull dikur me Fatos Nanon ose tani me Berishën, i bën telefon Nazarit dhe pastaj ia zgjat telefonin Berishës, Nanos apo dikujt që ka rëndësi për imazhin e tij te Nick. Kjo e lartëson shumë figurën e Mediut te Nazari.

Edhe ky Xhimi mund ta blinte INSIG-un, nëse donte, se ka plot pasuri në Dallas. Problemi është se nuk e ka blerë asnjë njëri e as tjetri, por i kanë mundësuar një biznes Fatmir Mediut, duke i dhënë kartëvizitën e një kompanie thuajse të parëndësishme amerikane për të maskuar pronarin dhe përfituesin real nga ky privatizim. Po t’i shtojmë kësaj skeme dhe drejtorin aktual të INSIG-ut, një ish-emigrant i rëndomtë, që ka qenë roje godine në Bruksel dhe është emëruar aty dhunshëm nga kryeministri, vetëm pse djali i tij e kishte njohur gjatë kohës së mërgatës në Bruksel, lidhja mes Fatmir Mediut dhe Shkëlzenit na forcohet dhe ngjan dukshëm si një shpërblim për heshtjen dhe sjelljen shembullore të Mediut gati një vit pas tragjedisë së Gërdecit.

Siç e theksova, në këtë privatizim nuk janë problem emrat që janë përdorur dhe as kartëvizita amerikane e kompanisë. Problem është se qeveria po përdor standarde shumë herë më të ulëta nga tregu privat për të shitur pasuritë e saj. Dhe arsyeja e vërtetë është se njerëz të saj qëndrojnë gjithmonë pas çdo kontrate apo pas çdo blerjeje.

Tashmë, INSIG formalisht është pjesë e një kompanie, e cila është më e dobët ose më pak e njohur se INSIG. Tashmë, INSIG është shitur më pak se sa ka asetet e tij. Mbi të gjitha, tashmë INSIG është shitur te një kompani, e cila është shumë herë më e dobët se kompanitë e huaja austriake apo greke që kanë hyrë në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Shkaku është se nuk është shitur për të investuar, por për t’u plaçkitur. Të gjitha këto më duket se e kanë bërë më të sigurt Fatmir Mediun, pasi e dëgjova dje që kërkonte konsensus kombëtar për t’u anëtarësuar në BE. S’di kush është ndonjë forcë antiperëndimore në këtë vend që Mediu i kërkon konsensus. Ajo që shihet qartë, është se gjestet më antiperëndimore po i bën qeveria dhe ato kanë të bëjnë me prishjen e rregullave të ekonomisë së tregut, dëmtimi i lirisë ekonomike, korrupsioni me pasojë 26 të vdekur dhe futja në konflikt me institucionet e gjyqësorit vetëm për shkak të këtyre aferave. Pas kësaj i vetmi konsensus që duhet të kërkojmë është t’i japim zemër drejtësisë, e cila duhet ta shikojë këtë gjest si një shpërblim paraburgimi për të pandehurin Fatmir Mediu nga pushteti, i cili është i përfshirë në krim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›