Ditari i Adamit dhe (i Evës herë tjatër)
E Hënë
Kjo kafshë e re me krifë të gjatë po fillon të ma shpifi. Më rri gjithmonë nëpër këmbë dhe më ndjek ngado. Nuk më pëlqen; nuk jam mësuar të jem vetë i dytë. Do doja të këpuste qafën me shtazët e tjera… Sot: mot me ré dhe erë nga ana e Lindjes. Gjasa reshjesh, këtu tek ne… Ne? Ku e peshkova këtë fjalë?... Tani po më kujtohet: e përdor kafsha e re.
E Martë
Eksplorim i ujëvarave të mëdha. Është gjëja më e bukur e këtij çifligu, ma ha mendja. Kafsha e re i quan Ujvarat e Niagarës. Kjo nuk është një arsye: është kryeneçësi dhe budallëk i pastër. Nuk arrij absolutisht të gjej një emër për gjërat. Kafsha e re ivë emër çdo gjëje që takon, pa më dhënë kohë që unë të protestoj, dhe gjithë me po të njejtin pretekst: ngjan si kjo a si ajo. Kemi (dronte), për shembull. Thotë se, posa dikush e sheh, kështu, pas një shikimi të vetëm, sheh që «ka pahjen e një dronti». Dhe sigurisht duhet të mbajë atë emër. Më ka ardhur në majë të hundës duke u nxehur me të, dhe është e kotë. Dronte. Ka pahjen e një dronti siç e kam unë!
E Mërkurë
Ndërtim strehe për shiun, por e pamundur t’i gëzohem në paqë. Kafsha e re hyri, natyrisht pa leje. Kur u përpoqa t’a përzë, derdhi ujë nga brimat që i shërbejnë për të parë, dhe mandej e fshiu me kurrizin e putrës dhe lëshoi një zë siç e kanë disa nga shtazët e tjera kur pikëllohen. Do doaj që të mos fliste; flet gjithmonë, gjithmonë. Kjo mund të duketdi fyerje meskine, një akuzë kundër kafshës së shkretë, por nuk është kështu. Për të shkuarën nuk kam dëgjuar kurrë zërin njerëzor, dhe çdo tingull i ri dhe i çuditshëm që e thyen heshtjen solemne të këtyre vendeve të shkreta vegimtare ma vret veshin, më duket një notë fallco. E mandej ky tingull i ri më është kaq afër: te supet, te veshët, herë këtu e herë atje, dhe unë jam i mësuar me tinguj që janë pak a shumë larg meje.
E Premte
Pavarësisht çdo përpjekje që bëj unë, mania e saj për të vënë emra nuk ka të sosur. Unë kisha një emër fare të bukur për punën, melodioz dhe të hijshëm: KOPSHI I EDENIT. Vazhdoj ta quaj kështu privatisht, por jo dhe në publik. Kafsha e re thotë se është gjithë pyje, shkëmbinj dhe pamje panoramike, dhe prandej s’ka fare pahjen e një kopshti. Thotë se ka pahjen e një parku, që ka vetëm këtë pahje: të një parku. Për pasojë, pa mu konsultuar, i ka vënë një emër të ri: PARKU I UJVARAVE Të NIAGARëS. Kjo më duket mjaft arbitrare. Dhe qysh tash flakëron kartela:
MOS
E SHKILNI BARIN
Jeta imë nuk është më e lumtur si përpara.
E Shtune
Kafsha e re ha shumë fruta. Pas pak, sipas të gjitha gjasave, do na mbarojnë rezervat. Do na mbarojnë: prapë «neve»! Kjo është një tjetër fjalë e saja; dhe tash edhe e imja, duke e dëgjuar aq shpesh. Shumë mjegull sot në mëngjes. Me mjegull, unë nuk dal. Kurse kafsha e re, po; del me çfarëdo moti, dhe mandej të rraset këtu brenda me këmbët e llangosura. Dhe flet! ishte kaq bukur qetë këtu, dikur.
E Diele
Kaloi, më në fund. Kjo ditë po bëhet gjithmonë e më e mërzitshme. Nëndorin që shkoi qe zgjedhur e vënë mënjanë si ditë pushimi. Të tilla i kisha nja gjashtë çdo javë. Sot në mëngjes: gjeta kafshën e re, duke gjuatur buca, për të shkundur mollat nga ajo pema e ndaluar.
E Hënë
Kafsha e re thotë se emri i saj është Eva. Mirë de, mirë, nuk kam gjë kundra. Ajo thotë se duhet për ta thirrur, kur dua që të vijë. U përgjigja se atëherë, qenka i tepërt. Fjala, me sa duket, ka shtuar respektin e saj për mua dhe, në fakt, është një goxhà fjalë dhe, po të përsëritet, nuk do zhubravitet. Thotë se nuk është kafshë por njeri. Kjo, me gjasë, është e mëdyshtë; gjithsesi, për mua është krejtësisht e papeshë; nuk do doja t’ia di edhe sikur të ikte në punë të vet e të mos ia dëgjoja atë zërin që ma ka si gërnetë.
E Martë
Ajo e ka mbushur çifligun me emra të krupshëm dhe udhëzime të neveritshme:
KëNDEJ: TE VORBULLA
KëNDEJ: TE UJDHESA E DHIVE
TE GUVA E ERNAVE: KëNDEJPARI
Thotë se parku do bëhej një vedth fort i këndshëm verimi sikur të kishte një taksë hyrjeje. Vendtth verimi… Ja një shpikje tjetër nga të sajat! Fjalë, vetëm fjaël pa kuptim. Çka është një vendth verimi? Por është më mirë të mos e pyes: është manjake e shpegimeve!
E Premte
Ajo ka filluar të më lusë të mos hidhem nga Ujëvarat. Kushedi pse mandej. Unë e kam bërë sehera: hedhja dhe mandej freskia… më kanë pëlqyer gjithmonë këto gjëra. Ma hakesh mendja se Ujvarat ishin aty bash për këtë punë. Me sa di, nuk duhen për tjetër, dhe një arsye e kanë pse janë. Ajo thotë se janë bërë vetëm për panoramën: sikurse rinoceronti dhe mastodonti. U hodha nga Ujëvarat mbrenda një fuçie: nuk e kapërdiu. E përsërita këtë gjë në një govatë: as këtë s’e kapërdiu. Notova përmes Vorbullës dhe Rrymave në kostumin tim prej gjethesh fiku. U rrudh dukshëm. Vijuan ankesa të mërzitshme për ekstravagancën time. Këtu jam tepër I penguar në lëvizjet e mia. Kam nevojë të ndërroj ajër.
E Shtune
Të martën që shkoi, natën, u arratisa; eca dy ditë, ndërtova një strehë tjetër në një vend të veçuar, dhe fshiva gjurmët e mia siç dita, por ajo më zbuloi me ndihmën e një shtaze që ka zbutur dhe e quan ujk, dhe erdhi këtu të nxirrte akoma atë tingull të përvajshëm dhe të nxirrte ujë nga brimat që i duhen për të parë. U detyrova të kthehesha mbrapsht me të, por do emigroj akoma, shumë shpejt, posa të më paraqitet rasti. Ajo merret me një gamë marrëzish; mes të tjerash, studimi i arsyeve pse kafshët e quajtura luanë dhe tigra ushqehen me bar dhe lule kurse – thotë ajo – tipi i dhëmbëve që zotërojnë shenjuakësh se janë bërë për të ngrënë sho-shoqin. Kjo është marrëzi, sepse po ta bënin do të thoshte të vritesh mesveti, çka do i çonte, në mos gabohem, në atë që quajnë «vdekje». Dhe vdekja, me sa më kanë thënë, nuk ka hyrë akoma te Parku. Çka, për disa arsye, është mëkat.
E Dielë
Kaloi, më në fund.
E Hënë
Besoj që e kuptoj se përse duhet java: për të dhënë kohën për t’a marrë veten nga mërzia e së dielës. Më duket një goxhà ide… Ajo është kacavarur edhe një herë mbi pemë. E përzura poshtë me gurë. Tha se nuk e shihte njeri. I duket një justifikim i mjaftueshëm për të bërë gjërat më të rrezikshme. I thashë si më sipër. Fjala justifikim ngjalli admirimin e saj: dhe edhe lakminë e saj, ma do mendja. është fjalë për kokë të fjalës.
E Martë
Ajo më tha se është krijuar me një brinjë të shkulur nga trupi im. Kjo është, pak me thënë, e dyshimtë. As që e kam vënë re se më munguakesh një brinjë… Tash atë po e grin meraku për pojanën (la pioana). Thotë se bari i bën keq; ka frikë se nuk do ia dalë ta rrisë; mendon se pojana është krijuar për tu ushqyer me peshk të prishur. Pajona u dashka të zdërhallet me atë çka gjindet. Nuk mund ta hedhim në erë të gjithë sistemin veç për t’i bërë qejfin pojanës.
E Shtunë
Dje ajo, teksa po pasqyrohej mbi ujët e gjolit – sikurse bën orë e çast – ra pëlltum brenda. Për pak sa s’iu mor fryma dhe më tha se kishte provuar një ndjesi fare të pakëndshme. Kjo gjë e shjeu në merak për kafshët që jetojnë aty brenda, në gjol, që ajo i quan peshq; sepse vazhdon tu vërë emra gjërave që s’kanë nevojë dhe që, po t’i thërrasësh me ato emra, nuk të vijnë aspak, çka asaj as që i hyn në sy: kaq të fortë e ka kaplloqen. Kështu nxori një tufë të majme peshqish prej gjolit, dhe mbrëmane i solli në shtëpi dhe mi shtjeu në shtrat për t’i mbajtur ngrohtë, por i pashë para një çasti dhe s’po më duket se aty, mbi shtrat, janë më të lumtur se qëparë: thjesht janë më të qetë. Sa të bëhet natë, do t’i hudh jashtë. As më shkon bira e mendjes të flë me ‘ta: më ngjajnë të flashkët dhe, kur je lakuriq, të flesh mes tyre është fort e sikletshme.
E Dielë
Kaloi, më në fund.
E Martë
Tash ajo është lidhur më një gjarpër. Kafshëve të tjera u është bërë zemra mal pasi vazhdonte tu çante kokën me eksperimentet e saj; edhe unë jam shend e verë pasi gjarpri e mban me muhabet dhe kjo më lejon që unë të rri rehat.
E Premte
Ajo thotë se gjarpri e ka këshilluar të hajë nga pemët e atij drurit, dhe thotë se rezultati do jetë një edukim i madh, i përsosur dhe fisnik. I thashë se rezultati do ishte krejt tjetër: kjo gjë do ia çelte derën hyrjes së vdekjes në këtë botë. Bëra gabim: më mirë ta kisha mbajtur për vete këtë mejtim. Thjesht i dhashë një ide: që mund të shpëtonte pojanën e sëmurë dhe t’i jepte mish të freskët luanëve dhe tigrave të depresuar. E paralajmërova të rrinte larg asaj peme. Ajo tha jo. Parashikoj telashe. Shoh emigrim në horizont.
E Mërkurë
Kam patur ditë shumë të rrasta. U arratisa para ca netësh, dhe gjithë një natë e yshta përpara kalin me sa munda, duke shpresuar të dilja nga Parku dhe të fshihesha në ndonjë tjetër truall para se të fillonin telashet: nuk ia arrita. Rreth një orë pas ngritjes së diellit, teksa kalëroja mes një rafshulte të lulëzuar, ku me mija kafshë kullosnin, mrizonin a loznin mesveti, sipas zakoneve, papritur shpërtheu një stuhi, dhe çilembyll sytë në rrafshultë u bë një zhumhurë e llaftarshme dhe çdo kafshë zuri ta shqynte shoqen. E dija se çka donte me thënë. Kishte hëngër atë frytin dhe vdekja kishte depërtuar në këtë botë… Tigrat ma shqyen kalin, pa më pyetur fare se po i urdhëroja të ndalnin, dhe do më kishin ngrënë edhe mua, po të kisha ndenjur, gjë që nuk e bëra; për kundrazi, ia dhashë vrapit me të katra… Mandej e gjeta këtë vend, jashtë Parkut, dhe jetova në terezinë time për ca ditë, deri që edhe aty ajo më zbuloi. Më zbuloi dhe ia vuri emrin vendit Tonaëanda: thotë se atë pahje ka. Me të vërtetë nuk mu prisha gjiza pse erdhi, sepse këtu frutat për tu ngrënë janë fare pak, dhe ajo na kish sjellë ca nga mollët e saj. Nuk munda të rri pa i ngrënë: po më grinte uria!... Ishte kundër parimeve të mia, por zbulova se parimet janë me të vërtetë të forta, veç kur njeriu e ka stomakun plot… Ajo erdhi gjithë e stolisur me gjethe dhe buqeta lulesh dhe, kur e pyeta se ç’i duheshin gjithë ajo lalje-lule, dhe, duke ia shkulur prej shtatit ia flaka përdhé, ajo kukurisi tërë nerva dhe u bë all e kuqe. S’e kisha parë ndonjëherë tjetër një qenie të gjallë tek zgërdheshej dhe skuqej, dhe mu duk diçka pa vend dhe fare debile. Ajo tha se së shpejti do e kisha marrë vesh edhe unë përse bëhej fjalë. Tekstualisht. I uritur siç isha, e lashë mollën të ngrënë përgjysëm – molla më e mirë që kisha parë ndonjëherë, duke marrë parasysh edhe stinën e tejshkuar – dhe u lulepsa me gjethet dhe lulkat e hudhura; mandej i fola me rrebtësi, duke i dhënë urdhër të shkonte dhe të merrte të tjera e të mos dilte në gazetë. U bind, dhe pasi u kuturisëm dalë ngadalë aty ku kishte ndodhur ploja e shtazëve të egra, mblodhëm ca lëkurë dhe unë e urdhërova të na sajonte nja dy kostume për rastet selemne. Janë kabà, vërtet, por kanë hije, dhe kjo, kur është fjala për rrobe, është gjëja kryesore. Po vëj re se, pa ‘të, tash që i humba me rroc e me koc, do ndjehesha i vetmuar dhe i depresuar. Edhe diçka: ajo më tha se i madhi ka thënë se tash e tutje, duhet punuar për të jetuar. Ajo do më hyjë në punë. Unë do bëj mbikqyjësin.
Dhjetë ditë më pas
Më akuzon mua se jam shkaku i fatkeqësisë sonë. Thotë me sinqeritetin e bindjen më të madhe po ta dëgjosh, se, me sa e pat siguruar Gjarpri, gështenjat dhe jo mollët, ishin fryti i ndaluar. Atëherë e kuptova se ishte e pafajshme, pasi nuk kishte ngrënë gështenja. Tha se, sipas informacioneve të Gajrprit “gështenjë” është një kaptim metaforik për të thënë “batutë e vjetër dhe e ndenjur”. Duke dëgjuar këtë gjë, u zbeha sepse, për t’i shtyrë orët e gjata dhe monotone, kisha thënë shum batuta dhe barcaleta, dhe ndonjëra mes tyre mund të ishte e atij lloji, eshe pse, me shum ndërshmëri, kur i kisha shqiptuar, kisha supozuar se ishin të reja. Ajo më ka pyetur nëse kisha thënë një pikërisht në momentin e katastrofës. U detyrova të pranoj se e kisha thënë një, veç jo me zë të lartë. Po mendoja për Ujvarat dhe i thashë vetes:n “Sa gjë e mrekullueshme është të shohësh gjithë atë dynja uji të bjerë teposhtë!”. Në një rrfé, më kish kaluar nëpër mendje një ide hokatare, dhe, pa reflektaur, i kisha thënë vetes: “Më e mrekullueshme akoma do ishte ta shihja të binte përpjetë!...” dhe isha gjithë gjithë duke ia plasur gazit kur lufta dhe vdekja u skatenuan në të gjithë natyrën, dhe m’u desh të arratisesha për të shpëtuar. – Ja, – ma priti ajo me pahje triumfale – pikërisht kështu. Gjarpri e përmendi atë batutë; e quajti Gështenja e Parë, dhe tha se ishte e kohës së Krijimit. – I gjori unë! është sak faji im. Sa do doja që të mos isha kaq hokatar! oh, sikur të mos e kisha pasur kurrë atë ide brilante!
Përktheu Astrit Cani