Dhuna, këmbëkryq në futbollin shqiptar

(www.albania-sport.com) - Rastet e dhunës në stadiumet shqiptare kanë fituar një status të veçantë, aq sa kur ato nuk ndodhin mund të konsiderohet si çudi, pasi janë bërë kaq të zakonshme, sa po to ndeshjet e futbollit tonë – rëndom të gjithë para takimit beton për “Fair play” – do të dukeshin thjesht “kronikë e 90 minutave të paralajmëruara”.
Dy rastet më të fundit ekstreme ndodhën pikërisht në javën e 22-të, në takimet Gramozi-Vllaznia (u godit anësori Denis Agaraj dhe futbollisti i Vllaznisë, Liridon Leci) dhe Flamurtari-Kastrioti, kur pas një penalltie të akorduar në minutën e 89-të të takimit nga gjyqtari Sokol Jareci në favor të vlonjatëve, ekipi krutan u tërhoq nga fusha ndërkohë që dy futbollistë, Halim Begaj i Flamurtarit dhe Gentian Gjondeda i Kastriotit u konfrontuan fizikisht midis tyre. Të paktën, dy klube kanë deklaruar bojokotim të kampionatit nëse nuk merren masa ndaj gjyqtarëve. Kastrioti braktisi fushën në Vlorë, ndërsa Gramozi paralajmëroi bojkotim të kampionatit.
Albania-sport.com prezanton disa prej tyre të ndodhura gjatë këtij sezoni në kompeticionet e ndryshme futbollistike që organizon Federata Shqiptare e Futbollit, ato të Superligës, Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
LOJTARI PA NDJENJA - Sulmuesi i Laçit, Jetmir Nino, rrezikoi jetën në Ersekë në ndeshjen Gramozi-Laçi (1-2, java 13). Futbollisti laçjan u godit me shkelma e grushte në hyrje të dhomave të zhveshjes. Nino shkëmbeu fjalë me tone të ashpra me sulmuesin e Gramozit, Genn Hyseni (autori i golit të vetëm të kolonjarëve), dhe ky i fundit e goditi me grushte. Pas kosovarit ndaj Ninos qëlluan edhe lojtarë të tjerë të Gramozit. Nino ra pa ndjenja dhe u dërgua me ambulancë, ku mjekët e risollën në vete. Tifozët e Gramozit sulmuan me gurë dhe autobusin e Laçit. Trajneri i Gramozit, Agim Canaj, akuzoi treshen e gjyqtarëve me në krye Kridens Metën, duke pohuar se arbitri nuk ka një penallti dhe i mohoi një gol kolonjarëve.
SHERR PRESIDENTËSH – Presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj dhe homologu i tij te Bylisi, Besnik Kapllanaj, shkëmbyen replika të forta me njëri-tjetrin gjatë ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Dinamo-Bylis (3-0, turi i dytë), aq sa është ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Gjithçka ndodhi pas golit të dytë të Dinamos, të realizuar nga Elis Bakaj dhe festimeve të këtij të fundit. Në konfrontim u përfshinë edhe trajneri i portierëve të Bylisit, Arbër Sino, me zëvendëspresidentin e Dinamos, Avni Braçe. Forcat e policisë nxorën nga stadiumi me forcë presidentin e Bylist, Besnik Kapllanaj dhe trajnerin e portierëve të Bylisit, Arbër Sino.
SHKELMA GJYQTARIT - Lojtarët e Vlorës zunë me shkelma e grushte gjyqtarin nga Erseka, Mane dhe ndihmësit e tij, Qiriazi e Maze, të cilët i konsideruan fajtor në humbjen 1-0 me Domosdovën të zhvilluar në Përrenjas. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut. Golin e vetëm të takimit e shënoi Karaj në minutën e 13-të. Në minutën e 80-të trajneri i Vlorës, Rrapo Taho, tërhoqi skuadrën nga fusha, ndërkohë që lojtarët iu sulën me shkelma gjyqtarëve. Gjyqtaret u morën në mbrojtje nga policia lokale.
GODITET TRAJNERI - Trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, është goditur me një send të fortë në krah gjatë një dalje të tij nga bankina në ndeshjen Besa-Tirana (1-1, java 15). Pasuesi i kroatit Ilija Lonçareviç ishte duke i kërkuar sqarime njërit prej anësorëve të ndeshjes, kur një objekt e goditi në krah. Alban Tafaj u pa të dilte nga stadiumi me krahun e lidhur. “Jam goditur me një send të fortë nga ndonjë tifoz i papërgjegjshëm”, - tha Tafaj pas ndeshjes.
ZENKA MASIVE – Dhuna në stadiume vazhdoi serialin e telenovelës së saj. Në takimin Këlcyra-Tomori (0-1, 06.12.2009, java 11 e Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), loja u ndërpre në minutën e 80-të nga gjyqtari Shkëlqim Balliu, pasi ndeshje u shoqërua nga tensioni i lartë. Në minutën e 50-të anësori Dyrmishi u godit me gur, ndërsa gjyqtarët në shenjë proteste ndërprenë për dhjetë minuta takimin, për të rifilluar më pas.
BRAKTISET NDESHJA - Në takimin Domosdova-Butrinti (3-2, i vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), skuadra nga Saranda braktisi fushën në minutën e 83-të, menjëherë pas golit të Domosdovës të realizuar nga Karriqi, duke pasur kontestime të forta ndaj gjyqtarit korçar Kello. Maloku i Domosdovës në minutën e 65-të nuk realizoi nga pika e bardhë, asistenti Kaçani urdhëroi përsëritjen e penalltisë, sarandiotët kundërshtuan fort, por në gjuajtjen e dytë, Maloku realizoi golin 2-2 të ndeshjes. Butrinti protestoi edhe për golin e tretë të Domosdovës, pasi sipas tyre Karriqi ishte në pozicion jashtë loje. Zënka ka pasur edhe në sfidën Veleçiku-Mamurrasi(2-0, vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Veriut).
SHPULLA ANËSORIT - Futbollisti i Flamurtarit, Halim Begaj, goditi me shpulla gjyqtarin anësor Biçaku, duke protestuar për golin e shënuar nga Dinamo në humbjen 1-0 (java 13) në Tiranë. I nervozuar nga pësimi i golit vetëm pesë minuta përpara përfundimit të ndeshjesh, Halim Begaj, nuk i mbajti nervat duke goditur me shpulla e duke lëshuar një lumë të sharash, përpara se gjyqtari Lorenc Jemini ta ndëshkonte me karton të kuq. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e ndëshkoi veprimin e lojtarit të tij. Pas ndeshjesh, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, bëri një debat normal me trajnerin e Dinamos, Shkëlqim Muça, në lidhjen me golin që solli edhe fitoren e vuajtur të kryesuesve të Superligës.
GRUSHTE NË DERBI - Katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrje fortë e policisë për të vënë rregull, e më në fund fitore 2-1 e Dinamos (java 18), në një pjesë të dytë që zgjati gati 60 minuta. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, goditi me shkelm e më pas me grusht sulmuesin e Dinamos, Elis Bakajn, menjëherë sapo lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2009 shënoi golin e fitores për kryesuesit e kampionatit dhe të 11-in sezonal. Bakaj doli nga fusha i gjakosur dhe i fashuar. Gjithçka më pas nuk është futbolli, por një turp për dy skuadrat e elitës shqiptare të futbollit dhe në mes të kryeqytetit shqiptar, jo në ndonjë fushë të kategorisë së dytë. Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që në tapetin e “Qemal Stafës”, policia ndërhyri për të rivendosur rregullin.
GODITET PORTIERI - Portieri i Shkumbinit, Ibrahim Bejte, u godit me sende të forta në ndeshjen e humbur në Laç (1-0), duke qëndruar për rreth 4 minuta i shtrirë në zonën e tij. Presidenti i Shkumbinit, Dyrmishi: “Takimin në Laç e kemi ndjekur sikur të ishim 13 vjet më parë, në vitin 1997. Kemi qenë në një trysni të habitshëm gjatë gjithë takimit. Presidenti Laskaj, kryesori Pashaj dhe anësori Tartari vendosën fatin e kësaj ndeshjeje me anë të 11-metërshi fantazmë”. Bejte: “Vërshuan nga të gjitha anët sende të forta dhe sharje pa mbarim. Gjyqtari Pashaj nuk e ndali ndeshjen”.
GJAKOSET TRAJNERI - Mesfushori i Kamzës, Saimir Patushi, dhe trajneri i Pogradecit, Ylli Çekiçi, janë përfshirë në një konfrontim fizik midis njëri-tjetrit pas ndeshjes Kamza-Pogradeci (0-0, java 18, Kategoria e Parë, 14 shkurt 2010). Ish-futbollisti i Tiranës, Patushi, i ardhur te Kamza gjatë merkatos dimërore, goditi me kokë trajnerin Çekiçi, duke e gjakosur këtë të fundit. Në incident është përfshirë edhe presidenti i Kamzës, Naim Qarri, ndërsa ai i Partizanit, Paro Laçi, ndërhyri për ta qetësuar situatën.
Saimir Patushi, mesfushori 33-vjeçar i Kamzës u pezullua një vit nga aktivitetet futbollistike për shkak të goditjes me kokë e gjakosjen e trajnerit të Pogradecit, Ylli Cekiçi, pas përfundimit të ndeshjes Kamza-Pogradeci (0-0), java e 18-të e Kategorisë së Parë. Patushi duhe të derdhë në arkën e FSHF-së edhe 200 mijë lekë në formën e gjobës. Po nga lojtarët e Kategorisë së Parë, Ervin Medani (Memaliaj) u dënua me 2 ndeshje pezullim dhe 30 mijë lekë gjobë. Gerald Duli (Veleçiku, Kategoria e Dytë) u pezullua 1 vit për goditjen e asistentit dhe me 30 mijë lekë gjobë.
PRESIONI I DEPUTETIT – Mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila, akuzoi deputetin e Partisë Demokratike, Dashnor Sula, njëherësh edhe një nga sponsorët e Shkumbinit, se ai i ka bërë presion gjatë ndeshjes Shkumini-Tirana (1-0, java 21, Kategoria Superiore, 14 shkurt 2010). “Kam tetë vjet që luaj futboll, - tha Lila për “Sport Ekspres”, - dhe në mënyrë të përsëritur deputeti Sula më ka bërë presion. Kjo ka ndodhur qysh kur luaja me Besën”. Lila u godit me bërryl nga sulmuesi i Shkumbinit, Mustafaj (ky u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Jareci). Lila doli tej vijës anësore për t’u mjekuar dhe sipas futbollistit të Tiranës, ai u godit nda ndihmësi i trajnerit Përparim Daiu, Dervishi. “Do t’i kërkoj takim kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Patozi, pse jo dhe kryeministrit Berisha. Mos më merrni për të çmendur”, - pohoi 24-vjeçari Lila. 24 orë më pas, deputeti Dashnor Sula kërkoi publikisht falje, duke theksuar se nuk do ta përsërisë më.
SULM NDAJ DUROS - I ati i futbollistit të ri të Besës, Celhaga, ka pasur një konfrontim me forcat policore, pasi në fund të ndeshjes ka dashur të sulmojë trajnerin e Besës, Shpëtim Duro, pasi ky i fundit nuk e ka aktivizuar për asnjë moment djalin e tij në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Besa-Tirana (2-0). Duro nuk ktheu përgjigje, ndërkohë që, sipas gazetës “Sport Ekspres”, është parë që i ati i lojtarit ka goditur me shuplakë një nga policët. Lojtari po në ato çaste i kërkoi falje trajnerit për sjelljen e babait të tij.
FORCAT E NATO-s - Trajneri i Burrelit, Vladimir Gjoni, deklaroi pas fitores me Adën (2-1, java 17 e Kategorisë Superiore): “Ne nuk na ka surprizuar ardhja e forcave speciale në ndeshjet e futbollit. Sikur trupat e NATO-s të vijnë në “Liri Ballabani”, ne nuk emocionohemi, por fitojmë me meritë”.
PISTOLETA E MEMELLIT - Sipas gazetës sportive “Sport Ekspres”, sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli është kërcënuar me jetë nga drejtuesit e Laçit, nëse golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar do të shënonte në pjesën e dytë të ndeshjen Laçi-Flamurtari (3-2, java 21, 12 shkurt 2010). Ish-sulmuesi i Tiranës kishte shënuar në pjesën e parë golin e parë të Flamurtarit ne pjesën e parë të mbyllur me rezulatin 3-2. Gjithçka ka ndodhur në pushimin midis pjesëve të ndeshjes. Sipas gazetës “Sport Ekspres”, “drejtuesit e Laçit, madje dhe presidenti Laska është futur në dhomat e zhveshjes dhe ka terrorizuar futbollistët miq”. “Ka pasur një pistoletë të vendosur në brez – shkruan “Sport Ekspres”, - dhe ka lëshuar një mori fyerjesh kundër sulmuesit Memelli. Duke qenë pika më e fortë e skuadrës vlonjate, ai e ka kërcënuar rëndë, me jetë, nëse ai do të shënonte në pjesën e dytë”. Në fakt, të pesë golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e parë. Drejtuesit e Flamurtarit nuk kanë bërë një denoncim për një ngjarje të tillë. Gjyqtari i takimit ishte ndërkombëtari Albano Janku.
GODITET ANËSORI – Në ndeshjen Gramozi-Vllaznia (1-1, java 22, Kategoria Superiore, 19 shkurt 2010), në përfundim të takimit pati një konfrontim të dukshëm fizik ndaj anësorit Agaraj, i goditur me grusht nga një përfaqësues i Gramozit pikërisht kur asisteni po i drejtohej dhomave të zhveshjes. I gjakosur pasi gjatë takimit kishte dhënë pozicione jashtë loje për Gramozin.. Përpara tij, mesfushori i Vllaznisë, Liridon Leci, ishte goditur nga Klement Xhyra i Gramozit. Leci: “Unë doja të ndaja kundërshtarët nga anësori ndërkohë që Xhyra më goditi pas shpine. Më pas nuk mbaj mend asgjë”. Aktualisht, klubi i Gramozit përmes një deklarate paralajmëroi bojkotimin përmes një deklarate për shtyp të presidentit Mustafa Taçi. Gramozi do të kërkojë një takim me drejtuesit e FSHF-së për të parë pamjet filmike për rastet e dyshuara dhe më pas do të mblidhet me të gjithë stafin drejtues të klubit për të vendosur.
PLAS NË VLORË - Flamurtari dhe Kastrioti nuk e kanë përfunduar takimin e javës së 22-të të kampionatit, pasi krutanët në minutën e 89-të e kanë braktisur atë në shenjë proteste për penalltinë e dhënë në favor të vlonjatëve nga gjyqtari, Sokol Jareci. Penallti, gola, tension, grushte dhe në fund braktisje të lojës. Kjo ka qenë tabloja e takimit të javës së 22-të të kampionatit, midis Flamurtarit dhe Kastriotit. Në minutën e 89', Bilen do të fusë një top në zonë për Shehajn, por ndaj tij ndërhyn në mënyrë të gabuar, Ylli Shameti. Menjëherë, gjyqtari i takimit, Sokol Jareci do të akordojë një penallti për vlonjatët. Kjo gjë, i acaroi krutanët, të cilët reaguan menjëherë. Pankina e Kastriotit kërkon largimin e ekipit nga fusha e lojës dhe në këto momente përplasen edhe dy lojtarët Gjondeda për Kastriotin dhe Begaj për Flamurtarin, që më pas u ndëshkuan me karton të kuq. Fillimisht pati polemika mes tyre, por më pas pati edhe konfrontim fizik. Madje Bega tentoi ta gjuante Gjondedën me grusht dhe më pas me shkelma.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 22 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili