Dhuna mbi 18-vjeçarin, KLD, kontroll në Sarandë
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë nis inspektorë në drejtim të Sarandës, për të kontrolluar procedurat e ndjekura nga Gjykata për 18-vjeçarin Aristidh Glluçaj. Një ditë pas akuzave të Avokatit të Popullit se ndaj 18-vjeçarit është ushtruar dhunë nga policia, ndërsa gjyqtarja e ka lënë në arrest me burg, në kohën që ai humbi ndjenjat nga torturat, KLD-ja ka reaguar duke nisur një grup inspektimi. Sipas burimeve zyrtare mësohet se me urdhër të zvkryetarit të këtij këshilli, Kreshnik Spahiu, janë nisur në drejtim të Gjykatës së Sarandës dy inspektorë të këtij institucioni për të verifikuar veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares në seancë gjyqësore. “Po gjyqtarja e Sarandës, pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Por kur njëri prej tyre u “këput” para syve të saj, pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës?”, -pohoi dy ditë më para avokati Dobjani gjatë një konference për shtyp. Kaq ka mjaftuar që zvkryetari i KLD-së të nisë inspektorët për verifikim të punës së kryer nga gjyqtarja gjatë seancës së masës. Sipas denoncimit të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, keqtrajtimi i të riutGlluçaj që tentoi të kalonte kufirin në mënyrë ilegale nga Shqipëria në Greqi u krye nga Ardit Hasanbega, i cili u arrestua dy net më parë.