E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, pranga për vrasjen e kreut të KESH-it

OPERACIONI/ Bekim Dauti u arrestua ndërsa po tentonte që të largohej nga fshati Margegaj për në Kosovë

TROPOJË - Arrestohet nga policia e Tropojës njëri prej bashkëpunëtorëve në vrasjen e Sadri Metalisë, ish-drejtorit të KESH-it, vrasje e ndodhur mesditën e 9 nëntorit në qendër të qytetit të Bajram-Currit. Bekim Dauti, 23 vjeç, nga fshati Markaj i rrethit të Tropojës, u arrestua në orën 05:00 të mëngjesit, disa metra në territorin e Kosovës, ku Dauti kishte kaluar ilegalisht, bëjnë të ditur burime të policisë së komisariatit të Tropojës. Bekim Dauti akuzohet për vrasjen e Sadri Metalisë së bashku me dajëne tij Astrit Breçani. Sipas burimeve nga policia, 23-vjeçari ka qenë nën drejtimin e automjetit tip “Mercedes”, kur nga sedilja e pasme e automjetit, daja i tij, Astrit Breçani, ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të Sadri Metalisë, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke plagosur shtetasen Rabie Mala, 40 vjeçe, shitëse mishi në një dyqan. Plagosja e Males ka qenë aksidentale. Pas kryerjes së vrasjes ata janë larguar nga vendi i ngjarjes për në drejtim të fshatit Koçanaj. Policia gjatë këtyre ditëve përcaktoi vendndodhjen e Bekim Dautit, i cili ishte fshehur në fshatin Margegaj dhe natën duke gdhirë e mërkurë u nis për në Kosovë. Policia është vënë në ndjekje të tij dhe e ndaloi disa metra pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës, në zonën e Kamenicës. Ndërkohë që kreu i bluve të Bajram Currit, Hasan Hasani, bëri të ditur se policia është në ndjekje të autorit kryesor të kësaj vrasjeje, Astrit Breçani. Motiv i vrasjes së Sadri Metalisë ishte gjakmarrja, pasi rreth tre vjet më parë dy vellezërit e Metalisë, plagosën në grindje e sipër 40-vjeçarin Tahir Breçani, vëllai i Astrit Breçanit, i cili vdiq më pas nga plagët e marra. Sadri Metalia ka qenë protagonist në ngjarjet e Tropojës të pas vitit 1991. Me shpalljen e pluralizmit në Shqipëri Sadri Metalia ishte pozicionuar në krahun e majtë të politikës, ndërkohë që bashkëpatriotët e tij, Sali Berisha e Azem Hajdari, ishin bashkëthemeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në Shqipëri. Sadri Metalia është identifikuar si një ndër organizatorët e antimitingut që organizoi Partia Demokratike në janar të vitit 1991 në qytetin e Bajram Currit. Pas fitores së socialistëve në vitin 1997, Sadri Metalia u emërua drejtor i filialit të KESH-it në Bajram Curri. Metalia njihet edhe si mik i Fatmir Haklajt, person i njohur në Tropojë si autor i një numri të madhvrasjesh, i cili mbeti i vrarë nga një atentat me minë të telekomanduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›