Qafë-Gjashta, Agim Shehu në gjyq
Ish-zv.ministri i Brendshëm, në listën e dëshmitarëve për djegien e policit Gjergj Mehmeti
TIRANË-Masakra e Qafë-Gjashtës pritet të dërgojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda ish-zv.ministrin e Brendshëm në vitin 1997, Agim Shehu. Prokuroria e Krimeve të Rënda, me mbarimin e fazës hetimore dhe dorëzimin e dosjes penale në gjykatë ndaj 10 të pandehurve, të akuzuar si protagonistë të “masakrës” së Qafë Gjashtës, dorëzoi edhe listën me 65 dëshmitarë, të cilët me deklarimet e tyre do të hedhin dritë mbi ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997, ku mbeti i vrarë dhe më pas iu dogj trupi policit Gjergji Mehmeti. Sipas burimeve zyrtare pranë organit të akuzës mësohet se prokurori i çështjes, Adnan Xholi, gjatë fazës hetimore ka arritur të sigurojë përveç provave të shumta materiale, edhe dëshmitë e 65 personave, në cilësinë e deklaruesve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen e 4 marsit në Sarandë.
“Nga hetimet e kryera për procedimin penal me numër 198 të vitit 2004 dhe nga analiza e hetimeve 12- mujore ka rezultuar se 10 të pandehurit: Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa kanë qenë personat që kanë qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë së Vlorës, të cilët po ktheheshin nga Saranda për në Gjirokastër, në vendin e quajtur Qafë Gjashtë. Nga shkëmbi i zjarrit është vrarë dhe më pas djegur polici i komisariatit të Vlorës, Gjergji Mehmeti, ndërsa kolegu i tij, Sokol Bizhga, ka mbetur i plagosur dhe Eduart Aliaj është marrë peng, duke u torturuar për disa ditë. Për të vërtetuar këto të dhëna të dosjes, kërkojmë nga gjykata të thirren rreth 65 dëshmitarë, të cilët do të provojnë faktet dhe provat materiale të siguruara gjatë hetimit”,-thuhet në kërkesën për gjykim, që “Shekulli” e botoi një ditë më parë të plotë.
Sipas dosjes që prokurori Xholi ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, listës së dëshmitarëvei prin ish-zvministri i Rendit dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agim Shehu i kthyer nga ekzili verën e vitit 2005. Pas kthimit nga Gjermani, ku ka qëndruar për 9 vite, gjeneral Shehu është thirrur disa herë pranë organit të akuzës për të dhënë shpjegime në lidhje me disa ngjarje të vitit 1997, kohë kur kryente detyrën e ish-Ministrit të Rendit. Mësohet se Agim Shehu ka urdhëruar efektivët e policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi, Eduart Aliaj dhe viktimën Gjergji Mehmeti që të udhëtonin nga Vlora për në Sarandë për të vendosur rimëkëmbjen e komisariatit të Sarandës, i cili ishte djegur një ditë më parë. Mësohet nga burimet e akuzës se përveç dëshmive të personave të ndryshëm që kanë dijeni për çështjen, dëshmia kryesore vlerësohet ajo e efektivit të policisë, Eduart Aliaj i cili u morr peng për disa ditë në qytetin e Sarandës nga të pandehurit, të cilët ushtruan dhunë çnjerëzore mbi të. “Dëshmia e dhënë para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është rrëqethëse dhe mjaft e provuar, pasi ka dëshmuar dhe drejtuar gishtin te thuajse të gjithë të pandehurit të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij”,-thuhet nga prokuroria. Përveç këtyre dëshmitarëve, edhe disa nga të pandehurit kanë pranuar të bashkëpunojnë me organin e akuzës duke dhënë detaje të rëndësishme për hetimin dhe zbardhjen e çështjes. Mes të pandehurve që kanë pranuar të flasin, sipas akuzës, janë Vladimir e Nestor Sinani si dhe Edmond Bejko, të cilët kanë deklaruar “të vërtetën” e ngjarjes së 4 marsit 1997, ku makina me katër efektivë të policisë u sulmua me armë zjarri.