E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna më 21 Janar, lirohet një tjetër demonstrues

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga qelia një prej protestuesve të 21 Janarit, i dënuar me 8 muaj heqje lirie për akuzën e goditjes për shkak të detyrës së punonjësve të policisë. Pak ditë pas dënimit, Olti Topi ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit, pasi ka përfunduar dënimin e dhënë. Sipas vendimit të gjykatës rezulton se Olti Topi, me vendimin numër 1067 datë 30 qershor 2011 të Gjykatës së Tiranës, është deklaruar fajtor për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe është dënuar me 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit për kërkuesin ka filluar më datë 25.01.2011. Nga llogaritjet e bëra rezulton se kërkuesi Olti Topi e ka plotësuar afatin e dënimit të dhënë prej 8 muajsh” - thuhet në vendimin që i jep lirinë një prej demonstruesve të 21 Janarit, të dënuar nga Gjykata e Tiranës. Sipas vendimit të dënimit të tij, rezulton se ka qenë punonjësi i policisë, Klodian H. i cili ka depozituar një kallëzim penal ndaj Topit më datën 24 janar, ku thotë se ditën e protestës, së bashku me kolegët e komisariatit nr.3 kanë qenë me shërbim pranë Kryeministrisë. “Rreth orës 14:00 në afërsi të godinës së Kryeministrisë është afruar turma e cila po protestonte për të drejtat dhe liritë si dhe për gjendjen ekonomike. Në turmë, ku ka pasur shumë pjesëmarrës kanë qenë dhe të pandehurit Olti Topi dhe Ervis Domi. Shtetasi Klodian H. ka deklaruar se të pandehurit Olti Topi dhe Ervis Domi kanë filluar të hedhin gurë dhe pllaka mermeri në drejtim të punonjësve të policisë si dhe kanë goditur me shkopinj punonjësit e policisë” - thuhet në vendimin e gjykatës që shpall fajtorë dy demonstruesit e 21 Janarit. Ky fakt është pohuar edhe nga dy kolegët e policit të dëmtuar më 21 Janar, të cilët gjithashtu kanë qenë me shërbim te Kryeministria. “Sajmir Sh. ka deklaruar se më datë 21.01.2011 ka qenë i planizuar me shërbim pranë godinës së Kryeministrisë, së bashku me shtetasin Selam B. dhe Klodian H., dhe në mes të turmës ka njohur shtetasin Olti Topi, i cili po qëllonte forcat e policisë së shtetit”- thuhet në vendim. Goditja e uniformave blu është pranuar edhe nga i pandehuri Topi, i cili gjatë hetimeve paraprake ka deklaruar se ka qenë së bashku me të pandehurin Ervis Domi dhe që të dy kanë hedhur gurë në drejtim të policisë. Për këtë ngjarje, Topi është dënuar me 8 muaj heqje lirie nga gjykata, ndërsa pak ditë më parë ka rifituar lirinë pasi ka shlyer masën e dënimit. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›