Vdekja në maternitet, ende asnjë analizë
Korçë- Familjarët e viktimës së mjekëve në maternitetin e Korçës kërkojnë ndihmën e mediave. “Na ndihmoni të zbardhet e vërteta”, kjo është thirrja e të afërmve të Fatbardha Alikos, e cila ka vdekur në rrethana të paqarta në Maternitetin e juglindjes, ku qëndronte e shtruar prej dy javësh pas një ndërhyrje kirurgjikale. Edhe pse kanë kaluar plot 40 ditë nga vdekja misterioze e 49-vjeçares, Fatbardha Aliko, ende nuk ka një përgjigje të ekspertizës mjeko-ligjore për këtë hetim të hapur nga organi i akuzës në juglindje. Por teksa kanë pritur gjatë që jeta e gruas fatkeqe të shpagohet me drejtësi, ndërsa dosja e vdekjes së gruas të pluroset për t’ia lenë më pas vendin harresës. Nuk dihet nëse kjo është e qëllimshme ose jo, por pas 40 ditësh pritje kanë vendosur të reagojnë të afërmit e viktimës. Familjarët kërkojnë përgjigjen e shpejtë të analizave, ndërsa besojnë se ndërhyrja e medias me rikthimin te publiku i kësaj ngjarje të ndikojë në vënien në lëvizje të organeve të drejtësisë dhe në rastin konkret të prokurorisë në Korçë. Djali i gruas fatkeqe, që mbeti e vdekur në banjon e spitalit, teksa kishte kaluar një operacion dhe sipas mjekëve ajo e kishte kaluar rrezikun për jetën, ka vendosur të flasë, ndërsa ajo që e bën më të mistershëm këtë hetim është mungesa e përgjigjes së raportit përfundimtar mjeko-ligjor, pas autopsisë që është ushtruar mbi trupin pa jetë të gruas. “Nuk mund ta besoja që shteti të na braktiste në këtë mënyrë, kur nëna ime mbeti e vdekur nga mjekët në një spital shtetëror. Që të vritet një njeri qetësisht nga pakujdesia nga mjekët dhe më pas në mënyrë cinike, mjeku të më dalë para syve sikur nuk ka ndodhur asgjë, këtë nuk mund ta besoj dot. Jemi të zhgënjyer, por shansi unë i fundit është ndihma e gazetarëve”, ka bërë të ditur për gazetën Alget Aliko, djali i të ndjerës. “Ne na u bë e ditur se përgjigja vjen për dy javë, por u bënë 40 ditë që nëna ime nuk jeton më për një trombozë që mund të shmangej dhe nuk shoh asnjë masë të marrë për përgjegjësit që vazhdojnë punën e qetë, duke kërcënuar jetën e të tjerë personave”, ka nënvizuar më tej i biri i viktimës nga pakujdesia e bluzave të bardha. Në prokurorinë e juglindjes, ende nuk ka shkuar raporti mjeko-ligjor i autopsisë, gjë që le shumë të dyshohet për një zvarritje të qëllimshme të këtij procesi. Fatbardha Aliko mbeti i vdekur më 5 qershor të këtij viti në tualetin e maternitetit të Korçës, 10 ditë pas një ndërhyrje kirurgjikale. Familjarët akuzuan mjekët, duke depozituar dhe një padi në prokurori, ndërsa policia vuri menjëherë nën akuzë 4 mjekë, nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj pacientes në fjalë.