E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hervin Çuli rishfaqet tek “Metropolitan”



Drejt rrugës së rikonstruksionit dhe hapjes së sallave të reja më intime për teatrin, qendra teatrore “Metropolitan” shpall njëkohësisht dhe sezonin artistik 2009-2010 me komedinë e Carlo Goldonit, "E zonja e bujtinës", me regji të Hervin Çulit. Prania e tij në këtë teatër nuk është e papritur pasi dihet bashkëpunimi i tij me drejtorin e “Metropolitan”, Kiço Londo. Javën që vjen, ditën e enjte do të ketë një premierë të veçantë për mediat. “E zonja e bujtinës” është komedia më moderne e reformatorit të teatrit Italian Carlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore ai ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. “Nuk ka sesi në botën shqiptare, fatkeqësisht me një kulture tejet maskiliste, kjo vepër të mos jetë një apel për emancipim” – është si duket kjo shtyra e regjisorit për ta vënë në skenë këtë vepër, duke e gjetur si përputhje aktuale, me atmosferën e kohëve që jetojmë. “Çdo ditë ne prekim që nga ekranet e televizioneve e deri tek tavolinat e kafeneve prepotencën e burrave ndaj grave. Ndoshta ditën që, si atëherë kur lindi jeta, dy sekset do të kenë një raport të barabartë ndoshta do të zbuten konfliktet, do të rriten më mirë brezat e mundet që të gjithë do të jemi më të lumtur”. Kjo është Mirandolina, asgjë më shumë se kaq e shkrimtarit Goldonit, me regji nga Hervin Çuli dhe me një kast aktorësh: Eni Jani, Adelina Muça, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia, Ermonela Alikaj Plasari, Fatbardha Aliçkaj (Maya).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›