E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, apeli i eksportuesve: Po falimentojmë,qeveria të marrë masa

 

Kriza globale financiare ka ulur ndjeshëm eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja. Përmes një deklarate për media, eksportuesit i kanë kërkuar sërish qeverisë që të marrë masat e duhura për të ndihmuar biznesin fason. “Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve deklaron sot se janë mbi 50 ndërmarrje në rang vendi që kanë ndërprerë pjesërisht apo tërësisht veprimtarinë e tyre prodhuese. Numri i punëtorëve të shkurtuar, i atyre që punojnë me ndërprerje për shkak të mungesës së porosive dhe i atyre që janë dërguar në shtëpi, në pritje të lidhjes së kontratave të reja shënon rreth 11 mijë”, janë shprehur dje drejtues të kësaj dhome. Sipas tyre, pavarësisht premtimeve të bëra nga qeveria, deri më tani nuk është marrë asnjë masë lehtësuese ndaj tyre. “Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve priti që qeveria të lehtësonte këtë sektor për një periudhë kalimtare, jo duke ulur taksat dhe as duke falur detyrimet, por duke përdorur fondet parazitare dhe korruptive të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional, si fonde të garantimit të pagimit të detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore, të paktën për një periudhë 6 – mujore”, u shprehën eksportuesit. Sipas tyre, kjo do të ndihmonte ata, në kapërcimin e vështirësive të momentit, deri në një periudhë kur biznesit të fasoneve t’i rikthehej likuiditeti i munguar nga pasojat e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania etj, kompanitë e të cilave kanë krijuar probleme të mungesës së likuiditetit për kompanitë shqiptare në këtë periudhë krize. Duke iu referuar shifrave të Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare të publikuara dy ditë më parë, deklarojmë se ka një ngadalësim të dukshëm të rritjes së eksporteve. Në vitin 2007 rritja e eksporteve të fasonit ishte 19 %. Në fund të vitit 2008 kjo rritje ishte vetëm 4,5 %. Gjatë të njëjtës periudhë importet e fasonit ranë me 5,5 %, gjë që do të shfaqej në muajt e parë në eksportet e fasonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›