Dhuna ndaj grave, problem edhe në qytet
Dhuna në familje vijon të mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare. Por teksa flitet se pjesa më e madhe e viktimave i përkasin zonave rurale, duket se ndodh pikërisht e kundërta. Shifrat e raportuara së fundmi nga Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare dëshmojnë se, pjesa më e madhe e grave, ndaj të cilave është ushtruar dhunë jetojnë në qytet dhe janë të arsimuara. Një pjesë e mirë e tyre paskësaj kanë depozituar një padi në gjykatë. Në 42.85% paditëset, viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare janë të martuara dhe në 9.82% të rasteve paditësja është e divorcuar. Shifra prej 9.82% e paditësve të divorcuar, tregon se zgjidhja e martesës shoqërohet me probleme të mprehta sociale, të cilat shfaqen si dhunë midis ish-bashkëshortëve. Kjo ndikohet edhe nga fakti se në një përqindje të lartë të rasteve, pas zgjidhjes së martesës, ish-bashkëshortët vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe hasin vështirësi e probleme të mirërritjes, edukimit dhe kontributit për fëmijët.