Gripi, 240 fëmijë në ditë në pediatrinë e Tiranës
zirina llambro
Fluks fëmijësh në urgjencën e pediatrisë, të prekur nga gripi stinor dhe ai i derrave.
Dje, plot 240 të vegjël janë paraqitur në spital për të marrë asistencë mjekësore. Bluzat e bardha sqarojnë se, simptomat kryesore kanë qenë temperaturë, kollë dhembje trupi dhe dhembje koke. Sipas tyre, nuk është shënuar asnjë rast i rëndë me komplikacione. “Kemi shtruar vetëm 10-12 fëmijë për të cilët është vendosur se kanë nevojë të rrinë disa ditë në spital për t’u trajtuar”, thonë mjekët. Ata shtojnë se prindërit duhet të bëjnë kujdes dhe të mos neglizhojnë shenjat e gripit, por nga ana tjetër të mos alarmohen. ”Janë viruse që qarkullojnë dhe duhet të kapen në kohë në mënyrë që të mos i shkaktojnë fëmijëve komplikacione. Ndaj prindërit duhet të jenë të vëmendshëm dhe të konsultohen me specialistët”, shprehen bluzat e bardha. Rastet me gripin sezonal dhe A/H1N1 janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, një situatë kjo e paralajmëruar për shkak të kombinimit të dy viruseve. Ministria e Shëndetësisë deklaroi disa ditë më parë se Shqipëria ndodhet aktualisht në prag epidemie. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se, në vijim pritet të regjistrohen rreth 15 mijë raste në javë të prekur nga të dy viruset. Sa i përket vaksinës kundër AH1N1, ajo pritet të vijë në ditët e para të dhjetorit. Vendi ynë në këtë drejtim mund të quhet me plot gojën i vonuar, pasi edhe në Kosovë e Maqedoni kanë mbërritur që prej një jave dozat e para të vaksinës. Ndërkaq, nga sa konfirmon drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” çdo ditë paraqiten me grip derrash 50-60 persona. Pjesa më e madhe e tyre në spitalin infektiv. Sipas drejtuesve të këtij spitali, momentalisht situata është brenda kontrollit. “Rreth 10-15% e rasteve që paraqiten çdo ditë shtrohen. Prej tyre raste të rënda ose shumë të rënda janë një përqindje shumë e vogël 0.2-0.5%”, sqarojnë mjekët. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se gripi i derrave do të godasë më fuqishëm gjatë dhjetorit e janarit, kur është piku i prekjes së popullatës prej tij. Ndaj sipas OBSH-së duhet të merren masa për të pasur sa më pak pasoja.