Rrëfimi i Injac Zamputtit: Pse kundërshtova të spiunoj Eqerem Çabejin
AFRIM IMAJ
Kur flasin për Injac Zamputtin, kolegët dhe bashkëkohësit e albanologut të njohur, pohojnë se regjimi e ka parë me sytë e njerkës. Në fakt kështu ka ndodhur. Bashkëkohësi i Koliqit, Migjenit, Fishtës, Vinçen Prenushit, njëri nga gjigandët e letrave shqipe, tërë jetën mbeti në periferinë e vëmendjes të opinionit zyrtar. Miqtë dhe të njohurit e lidhin këtë me origjinën e tij italiane. Po Zamputti nuk mbeti i izoluar vetëm prej saj. Një rrethanë tjetër e mbajti të mbërthyer për vite me radhë. Guximi për t’i thënë jo rekrutimit nga sigurimi i shtetit, e vuri në shënjestrën e organeve represive. Që këtej mbeti i padëshirueshëm për pushtetin, por jo vetëm kaq.
Albanologu pasionant, nuk duhej të fliste për këtë me askënd. Ndryshe, dihej çfarë e priste. Andaj mbylli gojën dhe vazhdoi punën me vullnet të jashtëzakonshëm. Madje edhe kur ra regjimi nuk e konsumoi me njeri duelin misterioz. Nuk e kujtoi kurrsesi cepin e rrezikut që i kushtoi “Jo”-ja e tmerrshme. Konfliktit me policinë sekrete, nuk i dha kurrë kuptimin e vlerës së shtuar të kontributeve të tij. Gjithsesi, brenga e Zamputtit nuk mund të mbetej pa lënë gjurmë në dosjet personale, aty ku profesori hidhte të fshehtat e patreguara. Këto ditë kur “Panorama” zbuloi historinë e përballjes së tij me zyrtarët e sigurimit, familjarët ju rikthyen fletëve të zverdhura të tyre dhe gjetën dorëshkrimin me kujtimet nga ato çaste dramatike. Në letrën e të birit, Jozefit ku shprehet krenaria për sjelljen dinjitoze të të atit, zbardhen për herë të kujtimet e panjohura të studiuesit Zamputti. Po si është përjetuar ngjarja e rrallë nga profesori i albanologjisë dhe familjarët e tij dhe si ka reaguar sigurimi i shtetit ndaj refuzimit burrëror të ofertës ogurzezë për të bërë gjurmuesin e korifeut të letrave shqipe, Çabejit të madh...
I biri: Brenga e një
historie të panjohur
“E vërteta vonon, por nuk harron” Kështu e nis rrëfimin e tij, Jozef Zamputti, i biri i studiuesit që refuzoi ofertën e Sigurimit për të gjurmuar profesor Çabejin. Ka mjaftuar publikimi i dokumentit zyrtar me nënshkrimin e të atit që kundërshtoi rekrutimin e policisë, që Zamputti i ri ti kthehet brengës së kahershme: “E prisja këtë pohim të dokumentuem: Ai nuk pranoi të rekrutohej! Shumë herë kam pyetur veten: Ku e gjente atë forcë në atë kohë aq të rrezikshme, ai burrë aq i brishtë, aq i butë e i sjellshëm?!” Në letrën për gazetën, i biri, pohon se sfidën e ka përballuar me “armën” e besimit të patundur te Zoti dhe lutjet që nuk i ndau tërë jetën. Me to, shprehet Zamputti, ai kishte bindjen se kapërcehen të gjitha dallgët e jetës. I biri kujton se familjarët nuk e kanë ditur gjatë periudhës së komunizmit historinë e përplasjes me policinë sekrete. Ata, siç vë në dukje Jozefi, janë njohur me të vetëm në ditët e fundit të të atit. “Asnjëherë nuk na ka fol për presionet e sigurimit, shkruan në letrën e tij Jozefi. Gjithnjë për mos na shqesue. Vonë, shumë vonë, me ardhjen e demokracisë, filloi me na rrëfye diçka mbi stuhinë që kish kalue. Na njohu sakaq me dorëshkrimin ku kish hedhur kujtimet e veta. Sa herë e lexoja, pyesja veten: Po sikur atë firmë për mosbashkëpunim ta kishin përdorë në kahun e kundërt? Ata që e thirrën në muzgun e natës, pasi bënë detyrën raportuan te shefat se ai nuk pranoi të rekrutohej për tu bërë spiun i tyne” Djali i albanologut shton se pasojat e këtij veprimi e ndoqën tërë jetën si një hije e zezë. Sapo dëgjonte ndonjë batutë kundër regjimit, qoftë edhe nga pjesëtarët e familjes, shprehet Jozefi, ai mbyllte bisedën dhe dilte menjëherë në dhomën tjetër. Momenti më i vështirë, sipas tij, ka qenë stuhia e 67-ës.”Pikërisht atëherë, kujton i biri, deshën me e fundosë, por, siç duket, ndonjë urdhën nga nalt tha: “Të vazhdoje të punojë”. Dhe ai vazhdoi të zhytej gjithnjë e ma thellë në botën e shkrimtarëve të vjetër, në shoqni me Buzukun, Bogdanin, me relacionet e Budit e Bardhit, në leximet e vështira të mbishkrimeve te hershme të Arbrit etj.” I biri i studiuesit që jetoi në cepin e rrezikut të persekutimit, thotë se e ka ndjerë mënyrën si shpërfillej kontributi i të atit, por pa marrë vesh motivet e vërteta të këtij qëndrimi. “Tërë jetën, shprehet Jozefi, e kaloi në një apartament të përbashkët me katër familje të tjera. Me sa duket për me e kontrollu dhe mbikëqyr nga afër. Punonte orë të tëra në një tavolinë të vogël dhe shpesh në prehën, i mbështjellë me batanije në ditët e dimnit. Me punë të pandërprerë dhe heshtje të jashtëzakonshme, mundi me mbijetu përball presioneve që gjithanshme. Nuk ju ndanë tërë jetën dilemat torturuese: Për “ata” matanë Adriatikut punonte për “këta”, ndërsa për “këta” kontribuonte për “ata”. Madje “këta” e etiketuan përbuzshëm “Bubureca e zeze e Vatikanit”. Gjithnjë, në shpagim të “Jo”-së shpërfillëse ndaj policisë sekrete. Hakmarrja tinëzare shkoi dhe më tej. Atij nuk ja njohën kurrë laurën e Universitetit të Triestes dhe shkoi pa marre asnjë titull, megjithëse shumica e nderonte me fjalën “profesor”.