E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumet e huaja të biznesit: Shqipëria, treg me interes të madh

 

Përgjatë ditës së dytë të Edicionit të 16-të të Panairit Ndërkombëtar, janë zhvilluar një sërë takimesh dhe forumesh mes biznesit, Dhomave të Tregtisë të rajoneve të ndryshme dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare. Dita e 2-të, në prani të sipërmarrësve hungarezë ka nisur me një forum biznesi. Në ambientet e hotel “Rogner”, organizuar nga Agjencia e Investimeve dhe Zhvillimit Tregtar të Hungarisë është zhvilluar forumi i sipërmarrësve. Në këtë forum morën pjesë ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, ai i Shqipërisë në Hungari, drejtuesit e “Albinvest” dhe biznese të rëndësishme të të dy vendeve. Po kështu, në panelin e forumit ishte i pranishëm dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë Nikolin Jaka. Miqtë nga Hungaria vlerësuan me fjalët më të mira organizimin e Panair Ndërkombëtar nga Klik Ekspo Group. Ministria e Ekonomisë së Hungarisë është mbështetësi kyç i Pavijonit të Hungarisë, i cili rikthehet pas gati një 10-vjeçari në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, nxitur edhe nga nevoja për të shumëfishuar shpërndarjen e markave hungareze në tregun shqiptar, duke ofruar produkte të teknologjisë dhe cilësisë së lartë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka pasi i falënderoi miqtë për praninë e tyre shpreh se “marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Hungarisë kanë kaluar nëpër shumë sprova dhe tashmë kanë një përvojë që inkurajon zhvillime edhe më intensive në të ardhmen”. Sipas tij, në këtë moment shkëmbimet tregtare midis dy vendeve nuk janë në nivelin që ne do të dëshironim. “Në kuadrin e intensifikimit të të gjitha marrëdhënieve e shkëmbimeve në rajon dhe më gjerë, raportet bashkëpunuese po rriten edhe me Hungarinë. Sidoqoftë, ky bashkëpunim meriton të vijë tani në një dimension të ri, në ekonomi, në tregti, por edhe në përvojat institucionale”, tha ai.  Më pas, kryetari i Dhomës, bëri një prezantim të shkurtër të mundësive reale që ofrohen për biznes në vendin tonë me qëllim thithjen e investitorëve hungarezë në vendin tonë. “Shqipëria është një vend me stabilitet politik dhe ekonomik, një vend që njohu rritje ekonomike të ndjeshme edhe në vitet e krizës më të fundit globale. Reformat ligjore në fushën e tatim-taksave, të koncesioneve, të krijimit të zonave të lira ekonomike dhe vetë reforma strategjike rregullatore, po ndihmojnë në zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë në tërësi. Vendosja e taksës së sheshtë prej 10 për qind dhe suksesi i nismës “One Stop Shop”, janë një garanci e madhe për zhvillimin dhe sigurinë e çdo biznesi, vendas dhe të huaj”, ishin disa nga pikat që renditi zoti Jaka. Nga ana e tij, ambasadori shqiptar ne Hungari, Florian Nova bëri të qartë se Shqipëria i ka të hapura të gjitha mundësitë për investime konkrete nga hungarezët. Ambasadori hungarez në Shqipëri, Molman Sandor, kërkoi që marrëdhëniet ekonomike të zhvillohen në një dimension të ri. Sipas tij si qeveria hungareze dhe ajo shqiptare janë të gatshme të afrojnë të gjitha lehtësitë e mundshme që shkëmbimet tregtare të marrin një dimension real dhe mundësitë e investitorëve hungarezë të zhvendosen ne Shqipëri. Më pas u prezantuan më në detaje mundësitë konkrete të Shqipërisë si dhe zonat kryesore industriale ku mund të investohet nga zv/drejtori i “Albinvest”, zoti Bogova.
Seminari “Shtrembërimi i Konkurrencës”
Po gjatë ditës së dytë të panairit u zhvillua një seminar i ndërmarrë nga Shoqata e Tregtisë dhe Industrisë Gjermano – Shqiptare dhe SPRINT! Marketing and Management Consulting. “Shtrembërimi i Konkurrencës”, si seminar mblodhi shumë biznese të interesuara për tregje të shëndosha. Drejtues të Autoritetit të Konkurrencës Vlerësuan nismën e zhvilluar përgjatë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Ata u shprehën se do të mbështesin çdo iniciativë për ruajtjen e konkurrencës dhe tregje të ndershme. I pranishëm, për të vlerësuar nismën ishte dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt. Në bashkëbisedimin e tij me pjesëmarrësit në panel ambasadori Borchard tha se, ruajtja e konkurrencës së ndershme është ndihma më e madhe për bizneset. Gjithashtu, ambasadori gjerman vlerësoi organizimet e Klik Ekspo Group.

Klik Ekspo Group interes  dhe për mjedisin
Bizneset e Pavijonit të Belgjikës kanë shfaqur interes të gjerë në industrinë që ruan dhe mbron mjedisin. Në Pavijonin e Belgjikës. Në ambientet e hotel Tirana International u zhvillua seminari «Wallonia Environmental Solutions»  - Seminar mbi Mbrojtjen e Mjedisit “Zgjidhjet Mjedisore nga Wallonia – Belgjikë”. Së bashku me Klik Ekspo Group, Agjencia e Tregtisë me Jashtë dhe Investimeve të Walloni-së – Belgjikë i organizoi seminarin për mjedisin. Ishte dhe zëvendësministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Ernest Noka. Së bashku me të pranishmit, Zëvendësministri Noka bisedoi mbi nevojat e vendit për teknologjitë e reja në ruajtjen e mjediseve ujore, tokësore dhe ajrin. Në edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, kompanitë belge kanë ardhur me sloganin “Welcome to Europe”. Në Pavijonin e Belgjikës, për të tretin vit me radhë, pas hulumtimeve të vazhdueshme të tregut shqiptar përmes Agjencisë Shtetërore të Eksporteve AWEX, propozimet vijnë serioze dhe hijerënda në mbrojtjen e ambientit dhe përpunimit të mbeturinave të rënda dhe amiantit, teknologjive të ngrohjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›