E Diel, 1 Nëntor 2026

Albanologu që sfidoi policinë sekrete

 

Albanologu i njohur Injac Zamutti, djali i vetëm i një zyrtari poste me origjinë italiane, fillimisht spikati për talentin në fushën e letërsisë. Ishte ende i ri, nxënës në kolegjin Saverian të Jezuitve në Shkodër, kur u bë i njohur për krijimet e tij në periodikun e kohës. Gjatë viteve kur ushtroi mësuesin e letërsisë në këtë kolegj, u dallua për aftësi dhe talent në organizimin e veprimtarive artistike, kulturore e sportive. Ishte një sukses ky tek i cili çmoi ndihmën e kolegut Ndre Mjeda dhe mbështetjen e nxënësve Qemal Stafa, Loro Boriçi, Selaudin Bekteshi,Veli Stafa etj.Diplomimi për shkencat politike në universitetin e Triestes, i dha një dimension të ri profilit të tij në fushën e artit, dhe të studimeve politike. Në vitin 1940 botoi librin e parë në prozë “Zemra njerëzish” dhe katër vjet më vonë vëllimin me novela “Atje, nën hijen e Rozafës” bashkë me dramën “Damjani himarjot” Menjëherë pas çlirimit filloi punë në Shtëpinë e Kulturës Shkodër e me pas, mësues në liceun e Gjirokastrës. Me çeljen e Institutit te Shkencave në Tiranë, nisi nga puna si studiues në degën e historisë së mesjetës. Zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit “Anonimi i Elbasanit” dhe transkriptimi i tij, ishte  studimi i parë që realizoi aty. Në vijim përfundoi zbërthimin e alfabetit të panjohur të shekullit të XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane dhe në të njëjtën periudhë boton librin “Perpjekjet e shqiptareve për liri e pavarësi në shekullin XVI-XVII”. Ndërkaq, vazhdon për vite me radhë hulumtimet për plotësimin e dokumentacionit të periudhës së mesjetës me materiale nga arkivat e Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Zamputti dha një kontribut të madh në mbushjen e boshllëkut të periudhës historike pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah lëvizjet dhe kryengritjet kundër otomaneve, besëlidhjet dhe kuvendet shqiptare, kontaktet e asaj periudhe me Evropën etj.  Studimet e tij mbi veprën e shkrimtarëve të vjetër Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani dhe humanisteve Barleti e Beçikemi, mbartin vlera të jashtëzakonëshme historike e kulturore. Në vitin 1989 përktheu “Burgimet e mija” te Pashko Vasës të pajisur me parathënie e shënime te ndryshme. Në po këtë periudhë përfundoi punimet për leximin e “Mbishkrimi i Arbërit” dhe “Mbishkrimi i Brarit” të cilët për herë të parë lexohen në mënyrë të plotë. Në fillimin e viteve 90 botoi dy libra të tjerë “Fishta - koha, njeriu, vepra” dhe “Ekskursion ne dy vepra te Kadarese” Vdiq në vitin 1998 në Tivoli të Italisë me amanetin për tu prehur përjetësisht në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›