Dhuna ndaj grave, zonat rurale ende me probleme

Organizata Amnesty International raporton për dhunën ndaj grave në Shqipëri dhe në Kosovë
Specialistja për Shqipërinë, Sian Jones: Është rritur numri i denoncimeve në polici për dhunën në familje
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa të mëtejshme për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.
Në raportin e vet më të fundit, Amnesty ka përshëndetur përparimin e bërë që nga miratimi në 2007-ën i Ligjit Kundër Dhunës në Familje në Shqipëri, por kërkon kriminalizimin e plotë të kësaj dukurie, që, sipas organizatës, prek një ndër tri gra shqiptare, vçanërisht në zonat rurale.
Në intervistën e mëposhtme, specialistja për Shqipërinë në Amnesty International, Sian Jones, rrëfen se ku e ka mbështetur organizata raportin për gjendjen e dhunës ndaj grave në Shqipëri dhe në Kosovë, progresit pas miratimit të ligjit në vitin 2007 dhe pritshmëritë.
Ku është mbështetur Amnesty International për hartimin e raportit mbi gjendjen e dhunës ndaj grave në Shqipëri?
Ne kemi nxjerrë një raport të shkurtër të bazuar mbi një të mëparshëm që u publikua para disa vitesh, para daljes në Shqipëri të Ligjit kundër Dhunës në Familje. Në këtë raport të fundit, ne kemi paraqitur përparimin e shënuar nga autoritetet shqiptare që prej daljes së ligjit në vitin 2007-të.
Në disa raste, ndjesia është se është shënuar përparim shumë i mirë. Ne kemi parë se është rritur nga viti në vit numri i grave që denoncojnë në polici dhunën në familje.
Nga vrojtimet tona, si dhe nga komunikimi që kemi me OJQ-të shqiptare, duket se gratë tani kanë më shumë vetëbesim në denoncimin e incidenteve të tilla dhe mendojnë se policia është në gjendje të bëjë diçka për këtë çështje.
Një tjetër aspekt pozitiv ka të bëjë me faktin se Ligji kundër Dhunës në Familje ka sjellë me vete edhe nxjerrjen e urdhrave të mbrojtjes, një aspekt i legjislacionit civil që ua mundëson grave paraqitjen në gjyq të kërkesës për mbrojtje nga dhunuesit e tyre. Edhe numri i urdhrave të mbrojtjes është rritur.
Por, ne jemi të shqetësuar për shkak se shumica e urdhrave të mbrojtjes nuk jepen. Kjo ndodh pasi rreth 50 për qind e tyre tërhiqen nga vetë gratë që i kanë kërkuar ato. Ndaj, ne u kërkojmë autoriteteve shqiptare që ta studiojnë më tej gjendjen, në mënyrë që kur lind nevoja dhe ekzistojnë kushtet, grave t'u jepet një mundësi e tillë.Dhuna në familje është një dukuri, me të cilën ndeshen shoqëritë me nivele të ndryshme civilizimi.
A mendoni se shoqëria shqiptare është më problematike se të tjerat në aspektin e dhunës në familje?
Unë nuk mendoj se po e vçojmë Shqipërinë në këtë aspekt. Dhuna ndaj grave ndodh në çdo vend të botës. Gjatë gjashtë viteve të fundit, Amnesty International ka vëzhguar dhunën në familje dhe aspekte të tjera të dhunës ndaj grave në disa vende.
Për sa i përket gjendjes në Shqipëri, ne po raportojmë se si ka ndikuar ligji i ri në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Ne shohim edhe fushat se ku duhet ta përmirësojnë punën autoritetet shqiptare për zbatimin e këtij ligji, për të ofruar mbrojtjen e plotë që kërkohet.
Dhe cilat janë fushat, ku mendoni se duhet përmirësuar puna e autoriteteve?
Ne do të donim të shihnim më shumë koordinim me ministritë e tjera që përfshihen në përmbajtjen e ligjit. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është ajo që përgjigjet për këtë koordinim.
Në raport, ne i kërkojmë asaj që me homologët e vet në Ministrinë e Arsimit dhe vçanërisht atë të Shëndetësisë, që ka përgjegjësi të vçanta për gratë që vuajnë ose janë lënduar nga dhuna në familje, të angazhohen për zbatimin e tyre.
Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe autoritetet e pushtetit lokal që përgjigjen për ofrimin e asistencës sociale. Këto janë edhe rekomandimet kryesore të raportit tonë, pra që këto departamente të ndjekin përparimin e shënuar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë.
Ju jeni specialiste për Shqipërinë pranë Amnesty International. A ka organizata juaj të dhëna mbi gjendjen e dhunës në familje dhe atë ndaj grave në Kosovë?
Me sa kam dijeni, Ligji kundër Dhunës në Familje ka dalë në Kosovë në vitin 2004. Ne e kemi shqyrtuar në mënyrë periodike zbatimin e atij ligji dhe mendojmë se ka disa probleme në zbatimin e tij. Ne nuk kemi nxjerrë ndonjë raport të plotë për gjendjen në Kosovë, por kjo është diçka që po e shqyrtojmë.
Ne po vrojtojmë realitetin e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe ka mundësi që shumë nga rekomandimet që po u ofrojmë autoriteteve shqiptare për përmirësimin e zbatueshmërisë së ligjit, përfshirë ofrimin e strehimit për gratë që i japin fund martesave të dhunshme, apo mundësimin e një pavarësie ekonomike, të gjitha mund të jenë të vlefshme edhe për Kosovën.Të kthehemi tek gjendja në Shqipëri.
A mendon Amnesty International se qeveria dhe shoqëria shqiptare i ka burimet dhe vetëdijen e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit kundër Dhunës në Familje?
Mund të them me siguri se kemi vërejtur shtimin e vetëdijes në Shqipëri që prej daljes së Ligjit të ri dhe ne po i kërkojmë qeverisë që ndërgjegjësimi për Ligjin e ri të arrijë në gjithë zonat e Shqipërisë.
Në zonat urbane ne kemi vënë re një numër të madh grash që e shfrytëzojnë ligjin, por në zonat rurale numri i grave që e njohin këtë ligj është i vogël. Prandaj, ne po u kërkojmë autoriteteve vazhdimin e fushatës sensibilizuese, vazhdimin e trajnimit të personelit të policisë dhe gjyqësorit për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të këtij ligji në gjithë Shqipërinë.
Mendoni se vç punës së autoriteteve qendrore e lokale, Shqipëria ka nevojë edhe për ndihmën e institucioneve të ndryshme europiane për afrimin e legjislacionit të vet me standardet e kërkuara dhe për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai kundër Dhunës në Familje?
Tani që Shqipëria është në stadin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne po i kërkojmë edhe institucioneve europiane ta ndihmojnë Shqipërinë, sepse për zbatimin e plotë të këtij ligji duhen burime të konsiderueshme financiare, sidomos për zbatimin e gjithë kërkesave të ligjit në nivel lokal.
Prandaj, institucionet europiane është e nevojshme ta ndihmojnë Shqipërinë në zbatimin e një ligji që do të çonte në përmbushjen prej saj të standardeve europiane.