Dhuna ndaj opozitës, Zhype denoncon Iranin

Ministri i Jashtëm francez, Alen Zhype kërkoi nga autoritetet iraniane lirimin e të gjithë të dënuarve politikë, ndërsa shtoi se shkelja flagrante e të drejtave të njeriut nga Teherani zyrtar do të shtojë sanksionet ndaj Iranit.
Në një shkrim të tij të publikuar në prestigjozen franceze "Le Monde", Zhype thekson se dy vitet e fundit në Iran është përkeqësuar gjendja e të drejtave të njeriut. Kjo për shkak të arrestimeve në masë, dënimin dhe keqtrajtimin e të dënuarve politikë.
Por, ajo që e rëndon më shumë situatën është shtimi i ekzekutimeve me vdekje. Kështu që nga fillimi i vitit janë kryer më shumë se 300 ekzekutime.
Ndër të tjera Zhype nënvizoi se këmbëngulja e Iranit për të shkelur të drejtat e njeriut dhe vazhduar programin e tij bërthamor do të rëndojë edhe më shumë mbi të.