Kokalari: Lajmërova zyrtarët amerikanë që në mars për kërcënimet ndaj Trebickës
“Të dielën Kosta Trebicka u largua nga jeta, në Shqipëri. Unë mendoj se vdekja e tij nuk ishte aksident dhe se Kosta është vrarë për shkak të rolit të tij si denoncues i marrëveshjes së AEY dhe çështjeve të tjera. Ka shumë arsye që qeveria shqiptare dhe të tjerë të përkrahin variantin se vdekja e Kostës ishte aksidentale. Më poshtë vijojnë email-et e mia për Departamentin e Drejtësisë dhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri në lidhje me kërcënimet ndaj Kostës. Kështu që është e qartë për të gjithë që e lexojnë se Kosta Trebicka ishte një dëshmitar i një marrëveshjeje ilegale armësh që mashtroi qeverinë amerikane dhe taksapaguesit shqiptarë. Dhe nuk ka dyshim se zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare ishin pjesë e skemës, pa përmendur rolin e tyre në tragjedinë e Gërdecit,” thuhet në deklaratën e Kokalarit.
Sipas tij, ata persona që kanë qenë të përfshirë në trafikun e armëve kanë qenë të përzier dhe në trafik droge. “Me sa duket disa nga shqiptarët që kanë qenë të përfshirë me AEY mund të kenë pasur lidhje edhe me trafikantë droge. Kosta ishte një njeri i guximshëm që ekspozoi marrëveshjet e pista të qeverisë Berisha, dhe unë nuk e marr lehtë vdekjen e tij. As mos dysho që unë do të bëj gjithçka që kjo histori të mos harrohet,” thekson Kokalari.
Ndërkohë, në email-in e parë, drejtuar Stephen Cristina, zyrtar i lartë i ambasadës amerikane në Shqipëri që përpara shpërthimit të Gërdecit nënvizohet se Trebicka ka qenë i kërcënuar. “Siç ju kam informuar me email, Kosta Trebicka, një qytetar shqiptar, është burimi i akuzave që implikojnë zyrtarë të lartë shqiptarë në atë që duket se është një marrëveshje ilegale armësh që përfshin qeverinë e SHBA, ministrinë shqiptare të Mbrojtjes, një kontraktor amerikan dhe një kompani të vendosur në Qipro. Ju e dini që zyrtarë të qeverisë amerikane e kanë intervistuar zotin Trebicka në lidhje me çështjen. Për shkak të zbulimeve të zotit Trebicka, ai më informoi se ka marrë një sërë kërcënimesh për jetën dhe sigurinë e familjes. Duke pasur parasysh implikimet negative të akuzave të zotit Trebicka, dhe historinë e shkuar, është logjike të mendohet që pas kërcënimeve ndaj zotit Trebicka gjenden zyrtarë të qeverisë shqiptare. Me sa di unë kërcënimet filluan menjëherë pasi çështja iu bë e ditur ministrit të mbrojtjes Mediu, në nëntor 2007, se zoti Trebicka ishte burimi i akuzave. Sipas zoti Trebicka, kërcënimet kanë vazhduar deri dje,” thuhet në letër.
Ndërsa në një letër drejtuar Departamentit të Drejtësisë theksohet se Trebicka është në rrezik për shkak të dëshmisë së tij dhe situatës së rrezikshme në Shqipëri.
“Duke supozuar se Trebicka bashkëpunon me Departamentin e Drejtësisë, besoj se do të ishte e përshtatshme për t’i dërguar një mesazh ambasadës amerikane në Tiranë për t’i vënë në dijeni se Trebicka është një dëshmitar që po e zgjeron bashkëpunimin me qeverinë amerikane. Ua them këtë sepse duhet të keni parasysh që Shqipëria njihet se ka disa karaktere të rrezikshme dhe disa prej tyre nuk janë të kënaqur me bashkëpunimin e zotit Trebicka me qeverinë amerikane,” thuhet në letër.
12 mars 2008
Për Stephen Cristina, DCM
Ambasada Amerikane, Tiranë
Siç ju kam informuar me email, Kosta Trebicka, një qytetar shqiptar, është burimi i akuzave që implikojnë zyrtarë të lartë shqiptarë në atë që duket se është një marrëveshje ilegale armësh që përfshin qeverinë e SHBA, ministrinë shqiptare të Mbrojtjes, një kontraktor amerikan dhe një kompani të vendosur në Qipro. Ju e dini që zyrtarë të qeverisë amerikane e kanë intervistuar zotin Trebicka në lidhje me çështjen. Për shkak të zbulimeve të zotit Trebicka, ai më informoi se ka marrë një sërë kërcënimesh për jetën dhe sigurinë e familjes.
Duke pasur parasysh implikimet negative të akuzave të zotit Trebicka, dhe historinë e shkuar, është logjike të mendohet që pas kërcënimeve ndaj zotit Trebicka gjenden zyrtarë të qeverisë shqiptare. Me sa di unë kërcënimet filluan menjëherë pasi çështja iu bë e ditur ministrit të Mbrojtjes Mediu, në nëntor 2007, se zoti Trebicka ishte burimi i akuzave. Sipas zotit Trebicka, kërcënimet kanë vazhduar deri dje.
Qeveria amerikane duhet të shqetësohet për disa arsye, përfshi edhe faktin se marrëveshja e armëve ishte bërë në emër të qeverisë amerikane. Gjithashtu, akuzat e zotit Trebicka janë të vlefshme, ai ndihmoi të bënte publike harxhimin dhe mashtrimin në kurriz të taksapaguesve amerikanë.
Ju lutem mësoni se kopje të kësaj letre u janë dërguar edhe disa anëtarëve të Kongresit, FBI-së, Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Mbrojtjes dhe palëve të tjera të interesuara.
Sinqerisht
Geri Kokalari
14 prill 2008
Për F.F.
Departamenti i Drejtësisë
Me sa di unë Kosta Trebicka është nisur për në Miami të takohet me ju për të biseduar për dëshminë e tij për AEY. Kuptohet, ai është ende disi nervoz dhe i turbulluar për këtë proces. Sinqerisht, besoj se ai do të jetë në gjendje të flasë me ju dhe Kongresin, tek e fundit ky është një vend i lirë. Megjithatë, interesa konkurruese duket se i dërgojnë sinjale. Në qoftë se ju keni bazë ligjore ta ndaloni atë të flasë me Kongresin, ju sugjeroj ta ushtroni dhe të lajmëroni Kongresin. Nëse jo, ju sugjeroj që Departamenti i Drejtësisë të kujdeset për Kongresin.
Gjithashtu, duke supozuar se Trebicka bashkëpunon me Departamentin e Drejtësisë, besoj se do të ishte e përshtatshme për t’i dërguar një mesazh Ambasadës Amerikane në Tiranë për t’i vënë në dijeni se Trebicka është një dëshmitar që po e zgjeron bashkëpunimin me qeverinë amerikane. Ua them këtë sepse duhet të keni parasysh që Shqipëria njihet se ka disa karaktere të rrezikshme dhe disa prej tyre nuk janë të kënaqur me bashkëpunimin e zotit Trebicka me qeverinë amerikane.
Sinqerisht
Geri Kokalari