E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Më thonë Sali Bollëku, mos më pyesni jashtë teme

Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje gazetarët për të folur në lidhje me arritjet e qeverisë së tij gjatë muajve të fundit. Edhe pse kishte folur si kurrë ndonjëherë në një analizë shtatëmujore vetëm pak kohë më parë, edhe pse ka së shpejti një analizë për tre vjetorin e qeverisjes, dhe një më vonë për raportin e KE, kryeministri doli dje për të folur me superlativa në lidhje me ekonominë e vendit të tij. Ai tha se rritja në vend kishte qenë me dy shifra gjatë qeverisjes së tij të parë, ndërsa e quajti veten Sali Bollëku. Kryeministri shmangu në këtë konferencë çdo pyetje për çështje të tjera pos asaj për të cilën po fliste. I pyetur për çështjen e pronave, Berisha tha se pronarët mund të kenë ankesa, por investitorët nuk kanë. “Banka Botërore, Doing Business, deklaroi në raportin e saj se këtë vit Shqipëria, në këtë garë, dallohet si një runner up, se ajo po vrapon dhe vlerësoi se Shqipëria në turrë-vrapin e saj, zuri një vend në çatinë e botës. Raporti deklaron se në renditjen botërore Shqipëria me këtë turrë-vrap parakaloi, brenda vitit, 50 vende të botës dhe arriti të renditet nga vendi i 136, që ishte një vit më parë, në vendin e 86 në vitin 2008. Në tërë historinë e saj shumëshekullore, kjo është hera e parë që Shqipëria, për një zhvillim tejet të rëndësishëm, renditet e dyta në botë për mire, ndaj dhe lajmi është jo vetëm i gëzueshëm por edhe historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Beteja për lirinë e tregut është betejë për prosperitet,” tha Berisha. “Shqipëria me treguesit e saj, zhvillimin e shpejtë të kapitalizmit, rritjen dyshifrore nisi të quhej “Tajvani i ardhshëm i Europës”, ndërsa qëllimi madhor i jetës sime ishte “Shqipëria– Shqipja e Europës”. Mirëpo, këtë hov të pashembullt të zhvillimit të shpejtë të vendit, e bllokoi rebelimi komunist i vitit ’97,” tha Berisha.

Ju përmendët në fjalën tuaj që ka pasur një rritje të kreditimit për biznesin. Ndërkohë Banka e Shqipërisë bën të ditur që kjo kredi e marrë nga biznesi, edhe pse është e rritur mund të jetë përdorur jo për qëllimin e saj më të pëlqyeshëm që është investimi, por mund të jetë përdorur nga bizneset për tu dhënë pagat punonjësve ose për të shlyer detyrimet e tyre?

Situata është shumë e qartë. Shqipëria ka pasur një rritje marramendëse të kreditimit. Me ardhjen tonë në pushtet u kthye besimi. U zhdukën bandat, u vendos siguria dhe kreditimi ka qenë marramendës. Ka qenë i tillë sa që Banka e Shqipërisë e këshilluar nga FMN-ja ka marrë masa për ngadalësimin e tij, gjë për të cilën qeveria pavarësisht se mund të mos ketë qenë plotësisht dakord, nuk i është kundërvënë. E ka pranuar si një politikë sigurie, në kuptimin e sigurisë së stabilitetit monetar dhe ne e kemi vlerësuar këtë. Analiza e kredisë ka dy gjëra pozitive. Së pari, kjo kredi në dallim nga shumë vende të tjera edhe të rajonit, ku dominohen nga kredia konsumatore, ka qenë kredi biznesi, në dy të tretat e saj. Kjo ka qenë ana më e shëndoshë, më pozitive e kësaj kredie. Së dyti, Banka e Shqipërisë realizoi regjistrin kombëtar të kredisë dhe ajo që quhet kredi e keqe është në nivel shumë të ulët në Shqipëri. Kjo sepse shqiptarët në përgjithësi janë shumë korrekt ndaj borxhit dhe e kanë paguar atë. Kjo në krahasim me vende të tjera, madje edhe me vende shumë të zhvilluara. Në këtë kontekst, për faktin se përse e merr biznesi kredinë, ajo çka mund të them unë, është se nëse sheh bumin ekonomik dhe ky është një bum, jo sepse e them unë por rritja dyshifrore gjithnjë është bum, madje edhe po të jetë rreth 8 apo 9% konsiderohet e tillë, atëherë ky fakt tregon se biznesi e ka përdorur kredinë me eficiencën më të lartë. Se çfarë bën i zoti i shtëpisë në shtëpinë e tij është tjetër punë, por produkti është i shkëlqyer.

Vetë guvernatori para dy ditësh deklaroi që rritja e pagave mund të përkeqësoje inflacionin. A keni ndonjë koment për këtë?

Po të shohësh hartën e inflacionit në botë, Shqipëria është një surprizë. Kjo ekonomi e një vendi të vogël i rezistoi në mënyrë të shkëlqyer valës botërore të inflacionit. Nëse shtrojmë pyetjen se përse rezistoi mund të themi me bindje se këto reforma e bënë të rezistojë. Dhe ne siç e dini mbyllëm vitin nga gushti në gusht me inflacionin 2.5%. Kjo është e vërteta. Në se dikush mund të thotë se Shqipëria është një vend i vogël, mund tu them se ka shume vende të vogla që këtë shifër e kanë 10% apo 9% dhe mund të flasim për vende anëtare të BE. Këto janë surprizat e vërteta të ekonomisë. Ekonomia jone është një ekonomi entuziaste, dinamike.

Ju folët për një sërë rezultatesh të mira të cilat kanë ardhur menjëherë pas ardhjes suaj në pushtet. Në fakt sfida e vërtetë e Shqipërisë është në 4 nëntor të këtij viti, ku pritet progres raporti i BE-së dhe në këtë progres raport cilat janë pikat e forta ku qeveria do të marrë vlerësimet dhe cilat pikat e dobëta ku do të ketë kritika?

Javën e dytë të nëntorit do të jem këtu para jush për të bërë komentet e mia për raportin, sepse dua ta shoh, por ajo që më jep mua kënaqësi mund tu them se dy, janë shtyllat kryesore të projektit të integrimit. Njëra është demokracia funksionale dhe ka të bëjë me shtetin ligjor, me reformat politike dhe tjetra është ekonomi tregu funksionale. Unë mund tu them se raporti i Bankës Botërore është një pasaportë e shkëlqyer e qëndrimit të kësaj qeverie ndaj tregut dhe lirisë së tij. Sot po flasim për këtë dhe unë nuk dua të mohoj problematikën që ekziston, por të shoh vendin tim në krye të përpjekjeve për lirinë e tregut, kjo përbën një arritje historike për lirinë dhe shqiptarët.

Zoti kryeministër, folët për një Shqipëri e cila në gjashtë muaj ka ndryshuar faqen e biznesit, por a ka ndryshuar diçka tek Kryeministri Berisha, i cili 6 muaj më parë një biznesmen e cilësoi mafioz ndërsa vetëm dje, këtë biznesmen e cilësoi si qytetarin më të ndershëm që denoncoi një aferë korruptive?

Meqenëse e keni shumë të vështirë të mos merrni porosi politike dhe në mesazhe, unë duke dalë jashtë tematikës po përgjigjem. Në mënyrë absolute, në se dikush i thotë një tjetri në telefon “dërgoji atij disa prostituta”, unë për të nuk mund të kem vlerësim tjetër veçse se është një mafioz. Jam shprehur kështu për bisedën mes tyre. Ndërsa atyre që thashë dje në parlament nuk u heq asnjë presje. Çdo njeri do të shpreheshe si unë, po të lexonte atë transkript. Ndërsa dje ato që thashë i kam shprehur me bindjen më të plotë. Duhet të dish të ndash personin nga fenomeni.

Zoti kryeministër edhe përfaqësuesi i fundi i BE-së që vizitoi Shqipërinë ngriti si problem të madh çështjen e pronësisë. Sipas tij zgjidhja e çështjes së pronësisë është një nga kushtet kryesore që të hapet edhe më tej rruga e investimeve në vend.

Çështja e pronësisë është një çështje tek e cila u ndala. Siç e dini për fat të mirë dhe fat jo të mirë, në Shqipëri për çështjen e pronësisë ka dy standarde. Kur vjen problemi tek të huajt dhe investitorët vendas, ata e zgjidhin mbi baza komerciale. Deri më sot, nga mijëra ankesa që mund të kem pasur gjatë këtyre viteve, nuk mbaj mend të kem pasur ankesa nga investitorë, jo nga pronarë, për çështje pronësie. Dhe raporti kur flet për regjistrimin e pronës u referohet në radhë të parë biznesmenëve dhe biznesit, sepse raporti këtë studion dhe rendit Shqipërinë të 67. Dua tu them se po punojmë në shumë drejtime dhe jam shumë optimist se do tij japim përgjigjen më të mirë dhe se nga vendi i 67 nuk mund të them se do të kapim çatinë, por do të synojmë të kapim çatinë, të përparojmë nga viti në vit dhe ta përmirësojmë edhe më tutje. Ta zgjidhim këtë problem.

A po e përdor opozita politikisht ngjarjen me biznesmenin?

Sigurisht që ata thërrasin “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”. Por unë sot jam fokusuar në suksesin ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›