E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukes, plagosen me armë dy persona

Një sherr i cilësuar si i rastësishëm ka përfunduar me dy të plagosur pasditen e djeshme në rrugën Kukës-Shishtavec. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në vendin e quajtur Ura e Shtrezës në komunën e Topojanit, 25 km larg nga Kukësi, ku 35-vjeçari Rexhep Parllaku nga fshati Novosej ka qëlluar me pistoletë mbi shtetasit Korab Biba, 37 vjeç dhe Safet Todori 47 vjeç, të dy nga fshati Kollovoz. Burimet e policisë që konfirmohen nga dëshmi prej vendit të ngjarjes thonë se furgoni ku udhëtonin viktimat kishte ndaluar për tek Ura ku ka nisur edhe sherri. Mësohet se agresori ka qenë në gjendje të dehur. Gjatë sherrit me dy kalimtarët Parllaku ka nxjerrë nga brezi pistoletën që e mbante pa leje dhe e ka zbrazur në drejtim të tyre. 37-vjeçari Biba është qëlluar në krah ndërsa 47-vjeçari Todori në qafë. Persona të ndodhur në vendin e ngjarjes u kanë dhënë ndihmë të plagosurve duke i nisur me një makinë në spitalin e Kukësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Agresori ka mundur të largohet ndërsa policia e ka shpallur në kërkim, duke nisur në terren grupe agjentësh për ta kapur dhe dërguar para drejtësisë. Nga të dhënat e para policia thotë se mes viktimave dhe agresorit nuk ka pasur probleme të mëparshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›