E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, tri gra nën mbrojtje

Duket se dhuna brenda
familjes shqiptare çdo
ditë e më shumë po
merr përmasa epidemike.
Kështu, vetëm brenda 24
orëve të fundit në kryeqytet tri gra
janë vënë nën mbrojtjen e policisë
së Tiranës, pasi dhunoheshin
sistematikisht nga bashkëshortët
e tyre. Nga ana tjetër, policia ka
bërë të ditur se shtimi i rasteve të
dhunës mes bashkëshortëve dhe
më pak te fëmijët, vjen si pasojë e
kushteve të rënduara ekonomike
për disa familje, niveli i ulët arsimor
dhe kulturor te një pjesë e
kryefamiljarëve, përdorimi i alkoolit,
tradhtia bashkëshortore,
xhelozia etj.
Tre rastet
Policia e kryeqytetit tha gjatë
ditës së djeshme se ka filluar procedimi
penal në gjendje të lirë për
Kujtim V., 47 vjeç, banues në Tiranë,
me arsim 12 klasë, pasi për
motive të dobëta ka goditur me
sende të forta ish-bashkëshorten
Armanda Shehu, 26 vjeçe. Po dje,
në orën 10:00, është plotësuar
kërkesë padija për lëshimin e urdhrit
të menjëhershëm të
mbrojtjes për Julinda Sh., 29
vjeçe, banuese në Tiranë, sepse
bashkëshorti Robert Sh., 32 vjeç,
ka ushtruar në mënyrë të përsëritur
dhunë psikologjike ndaj saj.
Një orë më vonë, në 11:00, u plotësua
kërkesë padia për lëshimin e
urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme
për Enkeleda N., 37 vjeçe,
banuese në Tiranë, me arsim 8
klasë, sepse bashkëshorti Adriatik
N., 44 vjeç, banues në Tiranë,
me arsim 8 klasë, ka ushtruar
dhunë fizike e psikologjike ndaj
saj. Materialet ndaj tre bashkëshortëve
policia i ka dërguar në
Gjykatën e Tiranës.
Fenomeni
Gjatë dy viteve të fundit, Policia
e Shtetit, ndryshe nga praktika
e viteve të mëparshme, jo
vetëm që është treguar korrekte
duke dhënë statistika, por e ka
kthyer edhe në prioritet sektorin
e mbrojtjes në këto raste. Ndryshe
nga policia, zyrat juridike,
qendrat e kujdesit shëndetësor
dhe ato të shërbimeve sociale nuk
janë të detyruara me ligj të japin të
dhëna për dhunën në familje. Në
analizën e fundit vjetore të Drejtorisë
së Përgjithshme të policisë
për vitin 2008, edhe pse dihet se
bëhet fjalë për "majën e ajsbergut",
shifrat që u paraqitën ishin tejet
alarmuese për sa i përket shtimit të
shpejtë të këtij fenomeni kriminal,
i cili më së shumti deri tani është
konsideruar thjesht "si problem i
brendshëm familjar". Në krahasim
me vitin paraardhës, vetëm denoncimet
e bëra në polici dhe kërkesat
për mbrojtje njëkohësisht u shtuan
me 466 raste. Gjatë vitit 2008,
sipas të dhënave zyrtare, policia
është njoftuar dhe ka marrë në
mbrojtje 740 persona të dhunuar,
shifër kjo gati dyfish sa ajo e raportuar
gjatë vitit 2007. Ndërkohë,
tani, në prag të mbylljes së analizës
6-mujore për këtë vit, sipas
burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme
thuhet se rastet ekstreme dhe
të përsëritura të dhunimit të grave,
pleqve e fëmijëve janë shtuar edhe
më shumë. Si fenomen i ri që del jashtë
"traditës "alla shqiptarçe" janë
edhe rastet kur mbrojtje nuk
kërkojnë gratë që dhunohen fizikisht
apo psikologjisht nga burrat, por
këta të fundit që paraqiten në polici
e gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›