E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parakalon me makinë, plumba 34-vjeçarit

Një sherr banal në parakalim
me makinë i ka rrezikuar seriozisht
jetën një 34-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor
Peqin-Gjocaj, 7 kilometra larg qytetit,
rreth orës 17:30 të pasdites së
djeshme. Burime jozyrtare të policisë
bëjnë të ditur se pas një konflikti banal,
duke parakaluar me makinë, ka
mbetur i plagosur rëndë nga disa
plumba automatiku të tipit "Kallashnikov"
34-vjeçari Demir Sinani, banor
në qytetin e Durrësit. Mësohet se
ka qenë ky i fundit i cili ka parakaluar
me makinën e tij një automjet tjetër
që drejtohej nga 23-vjeçari Roland
Sallufi nga qyteti i Peqinit, me të cilin
udhëtonin edhe tri persona të tjerë.
Ndërkohë, të njëjtat burime sqarojnë
se Sallufi ka parakaluar sërish automjetin
që drejtohej nga Sinani dhe pasi
kanë shkëmbyer fyerje banale, ka
nxjerrë automatikun duke gjuajtur
disa herë në drejtim të 34-vjeçarit Sinani,
i cili rezulton i plagosur rëndë.
Sipas kreut të Drejtorisë së Policisë së
Qarkut të Elbasanit, Aleks Hajdari,
mësohet se policia ka mundur të shoqërojë
tri personat që udhëtonin me
Sallufin, ndërsa ky i fundit mbetet në
kërkim nga ana e policisë. Ndërkohë,
mësohet se Sinani është dërguar me
urgjencë për në spitalin kirurgjikal të
Elbasanit, ku sipas mjekëve gjendja
e tij është mjaft e rënduar prej plagëve
të shumta që ka marrë në pjesë të
ndryshme të kraharorit. Policia është
duke vazhduar hetimet dhe po bën
përpjekje të kapë autorin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›