Punonjësit e CEZ kërcënohen me pengmarrje për të kthyer energjinë
Konflikti në Durrës
Teknikët detyrohen të rilidhin linjat me rrjetin në fshatin Perlat
Banorët kërkuan rilidhjen me energji, duke kërcënuar teknikët se nuk do ti linin të largoheshin
Për shuarjen e konfliktit ka ndërhyrë policia, e cila ka nisur punën për hetimin e plotë të tij
Vali Qyrfyçi
Punonjësit e CEZ janë kërcënuar se do mbahen peng në një fshat në Durrës, duke u detyruar që të rilidhin linjat me rrjetin energjetik, të cilat i kishin shkëputur, pasi rezultonin debitorë. Përplasja e ashpër, ku mendohet se kanë marrë pjesë mbi 40 banorë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm kur brigada e punës ishte dërguar për të riparuar një defekt të shkaktuar nga lidhja e paautorizuar e realizuar nga banorët e fshatit Perlat, pas shkëputjes së energjisë elektrike. Gjatë kësaj përplasjeje është njoftuar edhe policia, e cila ka shoqëruar disa perona për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas të dhënave, afro 40 banorë të fshatit nuk i kanë lejuar tre punonjësit e CEZ Shpërndarje të ndërpresin energjinë elektrike, pavarësisht faktit se ndërprerja është bërë, pasi shumica e tyre ishin debitorë në shlyerjen e faturave të energjisë. Alarmi është dhënë nga CEZ Shpërndarje, e cila ka humbur kontaktet me punonjësit e saj, për afro treçerek ore, kohë gjatë së cilës ata ishin detyruar të rilidhnin linjat e ndërprera të disa prej debitorëve. Nga informacionet e mëtejshme, kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, është mësuar se ndërprerja e energjisë për 430 banorë të fshatit Perlat të Sukthit kishte irrituar banorët, pasi disa prej debitorëve, të cilëve u ishte ndërprerë furnizimi me energji, kishin bërë rilidhjen me rrjetin shpërndarës, duke shkaktuar një problem teknik.
Ky problem ka diktuar nisjen e një brigade pune në fshat për të vlerësuar situatën dhe ndërhyrë në ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të linjave dhe riparimin e defektit të shkaktuar në rrjet. Me të konstatuar punonjësit e CEZ-it, një pjesë e banorëve kanë reaguar dhe kanë kërkuar që të gjithëve tu rikthehet furnizimi me energji, në të kundërt ata dhe automjeti i tyre nuk do të mund të dilnin jashtë fshatit. Banorët e acaruar nga ndërprerja e energjisë kanë bllokuar jo vetëm punën e teknikëve, por edhe automjetin e tyre dhe nën presion kanë kërkuar që vetë punonjësit të bëjnë rilidhjen e linjave me rrjetin.
Rëndimi i situatës ka bërë që të kërkohet ndërhyrja e shërbimeve të policisë së rendit. Kjo ndërhyrje ka detyruar banorët të qetësohen dhe të nisin bisedimet mbi situatën me punonjësit. Burime nga CEZ Shpërndarje, lidhur me ngjarjen sqaruan se banorëve të fshatit Perlat u është ndërprerë energjia elektrike, pasi ata janë debitorë ndaj kompanisë, ndërkohë që mëngjesin e djeshëm kanë bllokuar dhe nuk lejojnë largimin nga fshati të punonjësve të kompanisë, që kishin shkuar në këtë fshat për të kryer riparimin e një defekti të shkaktuar nga lidhjet e paligjshme në rrjet. Në përfundim të situatës mes palëve të përfshira në këtë situatë konfliktuale është arritur një marrëveshje: banorët do të nisin pagesat e faturave të papaguara, ndërsa CEZ do të rikthejë energjinë në të gjithë zonën. Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet për rastin, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërkohë që nuk ka informacione të sakta për ndonjë procedim penal ndaj tyre.
Precedenti
Fier, mbahen peng inspektorët antiduhan
Vetëm tri ditë më parë, Task-Forca antiduhan, e ngritur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka hasur në rezistencën e dhunshme të disa pronarëve të lokaleve në qytetin e Fierit. Nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, Shpëtime Kalemi, denoncoi problematikat me të cilat janë hasur gjashtë inspektorët e grupit të punës, që po verifikojnë në terren zbatimin e ligjit antiduhan. Sipas saj, që në ditën e parë të inspektimeve të kryera në terren nga gjashtë punonjësit, të cilëve u është dhënë kompetenca për verifikimin në terren, ata kanë hasur me rezistencën e pronarëve të lokaleve. Kalemi ka shtuar se në mjaft raste, pronarët e këtyre lokaleve, kryesisht të bingove dhe të parukerive, kanë refuzuar të nënshkruajnë gjobat e vendosura ndaj tyre, edhe pse nuk kanë përmbushur kriteret e parashikuara nga ligji antiduhan. Sipas Kalemit, ka pasur raste që inspektorët janë ofenduar apo janë shtyrë, duke u nxjerrë forcërisht nga lokalet.
Punonjësit e CEZ kërcënohen me pengmarrje për të kthyer energjinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip