E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ne shkolla ne 6 muaj 100 denoncime ndaj mesuesve

Fenomeni i dhunës në shkolla në vendin tonë vitet e fundit është bërë mjaft shqetësues. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti pranë linjës falas për fëmijë, “Alo 116”, mbi 100 nxënës kanë raportuar se janë dhunuar nga mësuesit e tyre. Më e shpeshtë rezulton dhuna verbale dhe fizike, por nuk ka munguar dhe ajo seksuale.

“Nëse do të bëj një krahasim mes vitit 2010 janë raportuar 276 raste dhe për gjysmën e vitit 2011 janë 107 raste. Shqetësim kryesor është çështja e ngacmimeve dhe dhunës seksuale në shkolla sepse shpesh nëse nuk ekzistojnë mekanizmat që këto forma dhune të hetohen dhe ndiqen në mënyrë profesionale, këto raste mund të rëndohen”-tha Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës të të drejtave të fëmijëve.

Kundrejt mësuesve, që kanë ushtruar dhunë ndëshkimet kanë qenë të pakta dhe jo të forta. Hazizaj thotë se vetëm u është ndryshuar vendi i punës dhe asnjë masë disiplinore apo pezullim nga detyra.

“Nuk do të harroj në jetën time ankesën e një nëne pranë zyrave tona që qante dhe thoshte se djalin e saj, mësuesja e matematikës e torturonte dhe ndonëse kishte kërkuar zyrtarisht që kjo mësuese të largohej nga shkolla dhe nga puna,sepse dhuna është e ndaluar me ligj, ajo mësuese u hoq nga ajo shkollë dhe u vendos në një shkollë tjetër”-theksoi ai.

Fëmijët, që kanë raportuar dhunën e ushtruar kundrejt tyre në shkolla janë nga të gjitha rrethet e vendit. Po ndryshe raportojnë ata të qyteteve e ndryshe ata të fshatrave. Në zonat urbane dhuna është kryesisht verbale e shoqëruar dhe me ngacmime seksuale, ndërsa në ato rurale ushtrohet më në masë ajo fizike.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›