E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca e zjarreve operacione ne Kukes e Gramsh

Pas një operacioni 48 orësh është bërë e mundur shuarja e plotë e dy zjarreve të mëdha dhe më të rrezikshmet e ditëve të fundit, në pyllin e Pish Poros në Vlorë dhe në malet e Moravës në qarkun e Korçës.

Drejtori i Emergjencave Civile në ministrinë e brendshme, Alfred Olli informon se bashkëpunimi me palën italiane dhe atë turke, të cilat kanë vënë në dispozicion heliktopterë për shuarje të zjarreve nga ajri, është bërë e mundur që këto dy vatra më të mëdha në tre ditet e fundit të vihen nën kontroll të plotë. Operacionet tani janë përqëndruar në dy zona të tjera problematike.

“Në qarkun e Kukësit ku janë dy vatra të konsideruara problematike, por edhe në qarkun e Elbasanit dhe konkretisht në rrethin e Gramshit ku janë  2 zjarre masive në pyll. Është bërë një plan i përbashkët me palën italiane dhe palën turke për të operuar në këto pika të konsideruara problematike nga ana jonë”-tha Olli.

Drejtori i Emergjencave Civile thotë se nuk duhet ulur alarmi nga zjarri për shkak të temperaturave të pazakonta në këtë fundgusht. Për emergjencat civile sqaron Olli, ky vit është i pazakontë për nivelin e lartë të temperaturave që po shfaq duke zgjatur në kohë periudhën e rrezikshmërisë nga zjarret, që deri një vit më parë ishte konsideruar periudha 15 korrik – 15 gusht.

“Një situatë shumë të nxehtë, me temperatura shumë të larta sidomos në zonat masive të grumbullimit të popullsisë siç janë plazhet ose zonat e turizmit masiv malor ku edhe një cigare apo një shkëndijë e vetme zjarri mund të na shkaktojë një vatër të madhe zjarri. Duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm. Ministria e Brendshme, me ministri të tjera të linjës me shërbimet përkatëse do të jenë shumë të ashpra në zbatimin e ligjit sidomos  për ata njerëz që vënë zjarre të qëllimshme”-theksoi ai.

Pavarësisht se ky vit përbën një rast të veçantë për shkak të temperaturave tejet të larta me të cilat po mbyllet muaji gusht, në analizën e emergjencave civile mbetet viti 2007 ai që ka shënuar në vitet e fundit, intensitetin më të madh të zjarreve dhe dëmet më të mëdha të shkaktuara prej tij në vendin tonë.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›