Dhuna që ndjell klima e urrejtjes politike, si kurba e vetme e opozitës
Klima e urrejtjes e nxitur nga e majta italiane filloi të japë frytet e veta. Në mitingun përkujtimor me rastin e 4-vjetorit të atentatit në Piazza Fontana të Milanos, u shfaqën sërish të ashtuquajturat Qendra Sociale, që, historikisht, janë organizuar, janë kultivuar dhe janë manipuluar nga ekstremistët e majtë. Milanoja njohu më 12 dhjetor, dy manifestime me qëllime diametralisht të kundërta. Njëri përkujtimor, ku, përveç institucioneve, morën pjesë edhe të afërm të viktimave që shkaktoi atentati terrorist i dhjetorit 1969. Tjetri kontestues ndaj institucioneve, i organizuar nga e majta ku, përveç politikanëve “anti-Berluskoni”, merrnin pjesë ekstremistë të Qendrave Sociale, komunistë, anarkistë, falangistë me kapuçonë të zinj që dinë vetëm të fyejnë, të nxitin urrejtje klasore, të thyejnë, të djegin ç’t’u dalë përpara. Kjo ishte skena e asaj dite, që duhej të ishte ditë përshpirtjeje në kujtim të viktimave, përpara se të shndërrohej në ditë të konfrontimeve politike. Mirëpo një pjesë e mirë e së majtës italiane, të shumtën e herës, i ngjan së majtës shqiptare mbetur në opozitë, bie në kurthin e ekstremistëve, ndërsa njerëzit e dialogut, me gjithë dëshirën e mirë, nuk po mund të gjejnë dot identitetin e tyre politik. Mjaft të përmend që politikanë të spikatur si: Prodi, D’Alema, Veltroni, Fasino, Ruteli etj. sot e shohin veten të margjinalizuar, duke ia lënë radhën Bersanit, Rozi Bindit, Françeskinit etj. t’i margjinalizojë e ardhmja.
Nuk e bëra kot këtë paraqitje të shkurtër ngjarjeve të 12 dhjetorit në Milano, duke dhënë edhe ndonjë konsideratë kalimtare për krizën politike që po përjeton aktualisht e majta italiane. Siç do ta them edhe më poshtë, disa ngjarje politike në Shqipëri po rrjedhin pak a shumë njësoj si ato në vendin fqinj.
Por, së pari, le të vijmë tek ngjarjet e së nesërmes së 12 dhjetorit, më 13 dhjetor, sërish në Milano. Kësaj here jo në Piazza Fontana, por në Duomo. Mund të them pa frikë: e djeshmja (12 dhjetori) ishte parathënie e asaj çka do të ndodhte të nesërmen më 13, në mitingun e organizuar nga PdL (Popolo della Libertà) partia e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Silvio Breluskoni, aktualisht në pushtet.
Nuk e shoh me vend të përshkruaj të gjitha skenat e dhëna nga stacionet televizive më të njohura të planetit, ku lideri italian u shfaq me fytyrë të mbytur në gjak, ndërsa ishte duke u përshëndetur përzemërsisht përkrahësit e tij. Pamjet televizive, tashmë, qarkullojnë në çdo ekran televizor, ndoshta, shtëpi më shtëpi, edhe në Shqipëri.
Berluskonin e kishin sulmuar.
E para pyetje që më shkoi në mendje tek shikoja lajmet e mbrëmjes dhe që besoj se do t’i kishte shkuar gjithkujt që i njeh sadopak zhvillimet politike në Itali, i majtë ose i djathtë, ishte kjo: Cili kishte ngritur dorën ndaj njërit prej kryeministrave më të suksesshëm të Italisë këta njëzet vjetët e fundit? Sepse nuk mund të mohohet se “Il Cavaliere” është i vetmi kryeministër në historinë e Italisë që ka qëndruar më gjatë në pushtet, në legjislaturën 2001 – 2004.
Mendoj se ia vlen të bëj një arsyetim të shkurtër, pa dashur të hyj në hollësi të ngjarjes. U tha qysh në fillim se Kryeministrin e kishte goditur një 42-vjeçar i çekuilibruar nga trutë e kokës, me një “statuetë” të Duomos në miniaturë. Pastaj, u dha edhe emri i tij: Masimo Tartalja, inxhinier elektrik. Më pas, u pa Tartalja tek matej ta godiste liderin e qendrës së djathtë nga një largësi jo më shumë se një metër – një metër e gjysmë. I çekuilibruari nuk e lëshonte statuetën kot, siç do të kishte bërë një i çekuilibruar dosido, por mori nishan mirë, derisa qëlloi në shenjë.
I çekuilibruar ose jo, inxhinier a i pashkollë, rrugaç a i punësuar, nuk ka rëndësi? Rëndësi ka ajo çka e shtyu Tartajan në atë sulm terrorist. Përgjigjja e menjëhershme e analistëve dhe e një pjese të klasës politike: gjuha e urrejtjes që po mbizotëron sot për sot klimën politike italiane. Dikush e tha haptas. Dikush e drodhi gjuhën duke u përpjekur të mos lëpinte ato çka kishte thënë përpara. Dikush tjetër, “e dënoi” dhunën, por nuk harroi të shtonte se Berluskoni paska qenë vetë fermentues i asaj klime. Në të vërtetë, flamurin e luftës kundër qendrës së djathtë dhe kundër liderit të saj në Itali e ka marrë në duar dhe po e valëvit i vendosur Antonio di Pietro, themelues dhe lider i partisë Italia dei Valori. Ai është dhe njeriu që më së shumti po i fryn zjarrit politik. Më 5 dhjetor të këtij viti, ish-prokurori “i duarve të pastra” i cili me akuzat e tij e fshiu nga lista e politikanëve Betino Kraksin, udhëheqësin e suksesshëm të Partisë Socialiste, duke e detyruar të merrte arratinë në Tunizi ku edhe do të vdiste, organizoi në Romë një miting të madh, ku kërkoi largimin e Berluskonit nga pushteti, duke hedhur parulla luftënxitëse. Vrojtuesit italianë nuk e patën të vështirë të vërenin përshkallëzimin e ngjarjeve, si rrjedhojë e acarimit të klimës politike. Ne, vrojtuesit shqiptarë, nuk mund të mos vërejmë një “rastësi të vogël”: Në të njëjtën ditë u bë edhe protesta tashmë e quajtur e plehrave, në Tiranë. Rastësi?
Që të mos e teproj, kaq për Italinë. Le të kthehem në Shqipëri.
Fill pas ngjarjes së Milanos, më telefonoi miku im mirditor, Nikollë Tuci, ish-i burgosur politik i diktaturës komuniste për më se 20 vjet, sot banues në Bruksel. Ishte i shqetësuar. Pamjet Milanos dhe fytyra e përgjakur e liderit italian, e kishin shtyrë të mendonte se një ditë mund të shohim pamje të tilla në Tiranë. Janë një racë, tha Nikolla. Gjithë derrat një feçkë kanë. Duhet të shkruash, më tha, madje qysh sonte. Kishte të drejtë. Edhe përpara telefonatës më kishte lindur ideja se duhej shkruar diçka me këtë rast, por shqetësimi i Nikollës më nxiti të mos e shmangja idenë time me sot me nesër, siç kam shmangur shumë të tjera të akumuluara për shkak të rutinës së përditshme.
Meqë janë të njohura tashmë bëmat e hershme dhe të reja të Edi Ramës, në përpjekjet e tij për t’u bërë medoemos kryeministër i Shqipërisë, po sjell në kujtesë të lexuesit vetëm këto të dy muajve të fundit.
Pasi nuk i piu luga ujë për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit, i ndjekur nga përkrahësit e vet besnikë, pinjollë të ish-nomenklaturës së lartë komuniste, ndërmori një sërë “protestash” në disa qytete të Shqipërisë. Thanë e çfarë nuk thanë njëzëri ata të gjithë në ato paloprotesta me një grusht njerëz, shumica mercenarë me pagesë, që lëviznin poshtë e lart si turistë, për të brohoritur dhe për të duartrokitur liderët opozitarë, ndërsa ata vetë flisnin, vetë dëgjonin. Qëllimi ishte një dhe vetëm një: të acarohej deri në tejskaj klima politike e Shqipërisë, që vendi të destabilizohej, reformat, çka afrojnë fundin e tyre të pashmangshëm, të frenoheshin. Në këtë kontekst, shpifën sa mundën për kryeministrin e zgjedhur, dr. Sali Berishën; shanë dhe mallkuan ish-aleatin e tyre, Ilir Metën, dhe koalicionin e sotëm qeverisës; u kujtuan shqiptarëve vitin e mbrapshtë ’97, kur ata vetë dogjën e shkatërruan, nuk lanë gur mbi gur me komitetet e tyre të shpëtimit; bënë thirrje për mosbindje civile, madje edhe për revolta ose për gjyqe si ato të çiftit Çaushesku në Rumani. Në nëntor dhe në dhjetor, zhvilluan protesta me qofte, me oturakë dhe me thasë plehrash në mes të Tiranës etj. Përgjigjen e morën në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, nga gjysmë milioni shqiptarë. Mirëpo ata nuk dinë të venë mend dhe, nga që nuk dinë, tashti së fundi i janë kthyer mbrojtjes së ndërtimeve të paligjshme, gjithnjë me kërcënime, gjithnjë me shkelje flagrante të ligjeve të shtetit.
Megjithatë, klima politike mbetet që mbetet e acaruar. Ndodh kjo ngase nuk është vështirë të gjesh një grusht njerëzish pa identitet, qoftë edhe të marrë si Tartalja, t’i paguash, t’i hedhësh rrugëve të brohorasin e të rrahin shuplakat, duke ngritur lart flamurë të kuq dhe parulla për rrëzimin e qeverisë së ligjshme, sepse ashtu dashkan krerët e së ashtuquajturës opozitë që vota e popullit i flaku në koshin e plehrave.
Mua nuk do të më vinte çudi që ngjarje si ato të dy ditëve të fundit në Milano të shohim një ditë edhe në Tiranë, a në Durrës, a në Korçë, a në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Klima politike është e njëjtë, çka vjen si përfundim i përleshjes të së mirës me të keqen. Mjaft të kujtoj që Berluskoni synon të reformojë sistemin e zvetënuar të magjistraturës italiane, ndërsa Berisha atë të drejtësisë shqiptare në përgjithësi. Mjaft të kujtoj se Berluskoni ka goditur për vdekje mafien e famshme italiane, ndërse Berisha po godet pa mëshirë aleancën shqiptare punisto-mafioze që ka lëshuar rrënjë në Bashkinë e Tiranës e të disa qyteteve ku janë të majtët në pushtet. Mjaft të kujtoj se të dy liderët në Itali dhe në Shqipëri veprimet e tyre reformiste i mbështesin mbi ligjet dhe kushtetutën e vendeve përkatëse, në të mirë të të gjithëve.
Tashmë duhen hequr dorezat, duhet folur haptas dhe me guxim, në qoftë se një ditë nuk do ta ndiejmë veten të penduar, siç u penduam në ’97-n. Nxitësit e acarimit të klimës politike njihen nga të gjithë. “Agresori është i marrë, por sponsorët janë të njohur”, shkruante sot “Il Giornale” në lidhje me agresionin ndaj Berluskonit.