E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, miratohet fondi për prishjen e 7 katëshit

DURRËS- Të 7 katet pa leje të pallatit 21-katësh në qendër të qytetit të Durrësit do të prishen së shpejti, pasi Këshilli bashkiak i qytetit caktoi mbrëmë për këtë qëllim fondin me vlerë 13.2 milionë lekë.
Për marrjen e këtij vendimi këshilli bashkiak zhvilloi mbrëmë një mbledhje pa praninë e mediave dhe pas debatit të këshilltarëve të djathtë me kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dako.

Këshilli bashkiak vendosi bllokimin përfundimtar të ndërtimit duke miratuar fondin e nevojshëm për prishjen e pjesës prej 7 katesh pa leje dhe e lartë 22 metra, ndërtuar nga firma "Enrezo".
Sipas vendimit të Këshillit bashkiak, 2 milion lekë do të shërbejnë për studimin në bazë të cilit do të bëhet prishja e e pjesës së sipërme të pallatit, pa shkaktuar dëme në pjesën e banuar të tij.

Pallati pranë hyrjes nr 2 të portit detar u vu në qendër të debatit politik mes ministrit të PPTT, Sokol Olldashi dhe kryebashkiakut Dako, pas kallëzimit të Inspektoriatit kombëtar të Urbanistikës dhe Ndërtimit në prokurorinë e Durrësit për neglizhencë të Bashkisë në marrjen e masave për bllokimin e ndërtimit që rrezikon jetën e banorëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›