Dinamika dominante në politikë: rasti Berluskoni - Berisha
Konflikti ndër-institucional dhe klima e urrejtjes, e gatuar në Itali nga opozita socialiste dhe mediet jakobine, bëri të mundur episodin e rëndë të sulmimit fizik të kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Për fat të mirë, ai ia arriti të shpëtojë me disa fraktura të lehta. Mirëpo nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë që agresori i kryeministrit Berluskoni është një njeri me probleme mendore, por ka rëndësi të reflektohet, që tani të ulen tonet e dhunës verbale. Ka rëndësi që rasti i vagabondit italian të lexohet qartë edhe në Shqipëri, pasi opozita soc-komuniste po kërkon të krijojë një klimë të atillë që është krijuar në Itali, e që mund të prodhonte edhe efekte kësisoj. Me sajesën e kauzës së “hapjes së kutive” nga opozita, është e qartë se kërkohet “hedhja” në erë e Qeverisë së koalicionit: PD-LSI, pasi “rihapja e kutive” në kundërshtim flagrant me ligjin do të shkatërronte edhe atë pak drejtësi që na ka mbetur. Pastaj hapi tjetër mbetet vetëgjyqësia, si në rastin e fundit italian.
Por ne kemi një mori ngjarjesh kriminale ndaj politikës, mjafton të lexojmë librin “Plumba politikës” të Kastriot Dervishit për të kuptuar asgjësimin final të kundërshtarit, akte që janë paraprirë nga një klimë urrejtjeje. Prandaj është e nevojshme të vështrohet me vëmendje ky rast i Milanos.
Kuptohet vetiu se historia të mëson se krijimi artificial i kësaj klime prodhon këtë dukuri, pra sulmimin e institucioneve dhe të njerëzve që i simbolizojnë ato. Ngjarjet e fundit të shtimit të tensionit artificial politik e kanë një zanafillë. Pra duke tërhequr fillin do mund të shkojmë deri në ndërrimin e sërishëm konsensual - prej veç dy-tre partive të mëdha - të Kushtetutës, për të plotësuar dëshirën për një bi-polarizim të mëtejshëm, një bi-polarizim që sjell gjatë fushatës një polarizim të mëtejshëm të elektoratit, prodhon një spektër elektoral që është i gatshëm për çdo gjë, mjaft që të vijë fitorja. Ndërkaq, nuk është e mundur që në këtë bi-polarizim (mos të harrojmë kërkim-qëllimin e zhdukjes së LSI nga PS-ja), në atë kohë u pranua paqshëm edhe nga faktori i brendshëm si një progres civil; por që në të vërtetë po transformohet përditë e më shumë një luftë civile me një intensitet të dobët, në të cilët palët kundërshtare kërkojnë zhdukjen e armikut.
Pasi ne e krijuam, ne duhet ta zgjidhim.
Këtu duhet të ndalemi dhe të reflektojmë. Nëse keni dëgjuar ndonjëherë për Teorinë e Lojës, do ju kujtohet “ekuilibri i Nash” (merr shkas nga John Nash, laureat nobel për matematikë dhe ekonomi), i cili është një kombinim i strategjive, ku dy aktorët protagonistë nuk kanë interes të lëvizin vetëm, a të marrin veprime të njëanshme, pasi kjo do të rriste probabilitetin e gabimit. Pra, është një profil strategjie (një për çdo lojtar) në të cilën asnjëri nuk ka interes ta ndryshojë i vetëm. Secili duhet të lëshojë dhe të marrë vendime nga pozicionet dominante që konservon. Mirëpo ka dy mënyra për të ndryshuar, por merret vesh se njëra është për keq dhe tjetra për mirë. E para është ajo “për keq” pra ndryshimi ose shkatërrimi i sistemit të drejtësisë dhe gjykatave duke “ri-hapur kutitë” edhe pas çertifikimit vendas dhe ndërkombëtar, pasi duke mos respektuar institucionet e shtetit e duke regjistruar disa precedentë jo të gëzueshëm për Republikën shqiptare. Alternativa e dytë është ndryshimi, por kësaj radhe “për mirë”, që mund të jetë ndryshimi konsensual i disa pikave në kodin e ri zgjedhor, ku është mirë që “numëruesit” e votave të mos zgjidhen më nga partitë, por të jenë profesionistë të drejtësisë (avokatë, juristë, gjykatës, prokurorë, pra njerëz që e njohin ligjin), apo pedagogë universitetesh, bashkë më mësues e profesionistë të lartë, të palidhur drejtpërdrejt me politikën.
Është një skicë për një fillim ndryshimesh - të paktën për një të ardhme të afërt - pasi kështu do të çminohej kjo klimë dhune ndaj institucionesh, që vjen edhe nga mosqenia e opozitës në parlament deri në zgjedhjet lokale. Duke qenë jashtë sistemit politik normal PS-ja në mënyrë indirekte bëhet garant i dhunës apo/edhe avokate çdo psikopati që ka ndërmend të fyejë institucionet e shtetit shqiptar.