Dhunë çnjerëzore në burgun 313. Policët nën hetim

Institucioni i Avokatit te Popullit i ka kerkuar Prokurorise se Tiranes te nis ceshtjen penale per dhune ndaj te burgosurve ndaj efektit te burgut 313. Kerkesa ka marre shkas nga nje ngjarje e rend e ndodhur en fund te muajit Prill.
Dy vëllezër të arrestuar në fund të muajit prill në Tiranë, kanë denoncuar policët e burgut 313 në Tiranë për dhunë ndaj tyre në kushtet e kërkesës së ndihmës mjekësore. Në datën 26.04.2012, rreth orës 15:00, i arrestuari P ka kërkuar ti jepet ndihmë mjekësore pasi nuk ndihej mirë. Punonjësit e policisë e kanë shoqëruar atë në dhomën e ndihmësmjekut, ku sipas tij, është goditur me shkelm nga ana e tyre. Më pas “P” është dërguar në dhomën e tij, ku i ka treguar për ngjarjen e ndodhur të vëllait. I revoltuar nga kjo ngjarje, vëllai “A” ka filluar të përdorë fjalë fyese për stafin e institucionit. Për këtë veprim ai është prangosur dhe është shoqëruar në dhomën e veçimit nga grupi i sigurisë. Sipas “A”, sapo ai është futur në këtë dhomë, policët e grupit të sigurisë e kanë urdhëruar atë që të hiqte atletet dhe çorapet. Pasi i ka hequr atletet dhe çorapen e këmbës së majtë, policët e kanë ulur në dysheme dhe i kanë shtrirë këmbët para. Dy prej policëve e kanë kapur prej krahësh dhe ia mbanin ato pas shpine, një polic e ka shkelur në këmbën e majtë afër kavilies, ndërsa dy të tjerë kanë filluar ta godasin disa herë atë me shkop gome në shputat e këmbëve dhe më pas edhe të duarve. Mbas kësaj ai është goditur nga një polic në pjesë të tjera të trupit me grushta, pëllëmbë e shqelma. Sipas tij, nga goditjet e policëve atij i janë shkaktuar dhimbje të mëdha dhe mpirje të shputave të këmbëve e të duarve. Gjithashtu “A” pretendon se, në kohën që ai është keqtrajtuar fizikisht, në dhomën e veçimit së bashku me policët e grupit të sigurisë kanë qenë edhe dy përgjegjësit e shërbimit, njëri prej të cilëve quhej Astrit.
Nga pyetja e tyre rezultoi se, në dhomën e ndihmësmjekut, ku i arrestuari P. Gj pretendon se është keqtrajtuar, kanë qenë punonjësi i policisë M. Sh dhe A. A. Ndërsa veprimet me shtetasin A. Gj i kanë kryer punonjësit e policisë A. S, A. I dhe Sh. M. Kurse punonjësi i policisë A. M nuk ka marrë pjesë, sepse në atë kohë ka qenë duke kryer një detyrë tjetër. Në veprimet e kryera me të arrestuarin A.Gj në dhomën e veçimit kanë marrë pjesë edhe përgjegjësi i shërbimit të brendshëm M. Sh, si dhe specialisti i trupës A. A.
Akt Dëshmia Mjeko – Ligjore nr. 453 Mbi ekzaminimin e shtetasit A. Gj” bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë në datën 28.04.2012, thekson se nga ekzaminimi i tij ndërmjet të tjerave ka rezultuar se janë konstatuar: Ekimozë me ngjyrë mavi të errët në shputën e këmbës së djathtë me përmasa 1.5 x 1 cm, në shputën e këmbës së majtë vërehen tre ekimoza me ngjyrë mavi të errët me përmasa 2 x 1.5 cm, 2.3 x 1 cm dhe 2 x 1.3 cm. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mbretëse. Koha e shkaktimit të këtyre dëmtimeve është më shumë se 24 orë dhe më pak se tre ditë.
Nga ky raport shikohet se trajtimi i të dy të arrestuarve nga punonjësit e policisë është ç’njerëzor. Nga përmbajtja ky veprim është kriminal, sepse nga punonjësit e policisë janë konsumuar elementët e veprës penale të Torturës dhe për këtë arsye ajo duhet ndëshkuar rëndë.
Të dëmtuarit i kanë kërkuar ndihmë Avokatit të Popullit për të ngritur një padi ndaj drejtuesve të burgut, e cila mund të ketë pasoja për efektin e këtij burgu.