E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë e re ndërfetare në Nigeri

Dhuna ndërfetare ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve shpërtheu sot sërish në Nigeri, pasi që forcat e sigurisë vendosën orë policore në kohëzgjatje prej 24 orë në qytetin Jos, ku pjesëmarrësit në përleshje dogjën shtëpi dhe vranë së paku 27 persona.

Forcat e sigurisë urdhëruan të gjithë banorët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi që përpjekjet e policëve dhe të ushtrisë për të frenuar dhunën, me vendosjen e postblloqeve dhe bastisjeve, me gjasë dështuan.

Sanu Mudi, zëdhënës i imamit lokal, theksoi se luftimet në Jos, të cilat shpërthyen sot në mëngjes kanë zgjatur dy orë. “Kemi dëgjuar të shtëna në shumë lagje të qytetit”, tha Mudi.

Zëdhënësi i policisë lokale, Mohammed Larema, theksoi se forcat e sigurisë ja kanë arritur që të ndalin përleshjet.

“Situata aktualisht është nën kontroll”, theksoi ai.

Sidoqoftë, qeveria dha urdhrin për dërgimin e njësive shtesë të ushtrisë në Jos. Një gjeneral i njësive të blinduara të ushtrisë inspektoi sot Josin, për t’u informuar se çfarë forca nevojiten në qytet.

“Situata është mjaft e keqe dhe qeveria do të stacionojë forcat që kërkohen”, tha gjenerali Gregori Yenlong.

Trazirat filluan të dielën, pasi që disa të rinj myslimanë ja vunë zjarrin një kishe. Qetësia u rikthye të hënën, me policinë e cila nuk pranoi që të bëjë publik numrin e viktimave.

Mudi theksoi se më shumë se 22 persona janë vrarë të dielën, ndërsa mbi 300 të tjerë janë lënduar. Pesë persona tjerë vdiqën të hënën, si pasojë e plagëve të marra gjatë përleshjeve. Kryqi i Kuq lokal njoftoi se 5 mijë persona janë zhvendosur si pasojë e trazirave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›