E Shtunë, 31 Tetor 2026

Massachusetts voton për pasardhësin e Ted Kennedyt

Votuesit në shtetin amerikan, Massachusetts dolën sot në votime, për të zgjedhur senatorin e ri nga shteti i tyre dhe me gjasë edhe për ta vendosur edhe fatin e reformave në fushën e shëndetësisë së presidentit, Barack Obama, si dhe fatin e çështjeve tjera të brendshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të mbuluar ulësen e senatorit të ndjerë demokrat, Edward Kennedy, mund të rezultojnë me epilogun e fitores së kandidatit republikan, Scott Brown, ndaj kandidates demokrate, Martha Coakley, garë kjo për të cilën ajo kishte besuar se do ta fitojë bindshëm.

Në anketat e bëra gjatë fundjavës, Brown u mbështet nga 51 për qind e të anketuarve, ndërsa Coakley nga 46 për qind.

Fitorja e Brownit do të shkatërronte shumicën e ngushtë të cilën demokratët e kanë në senat. Me 60 vota në senat, demokratët janë në gjendje që të anashkalojnë opozitën e republikanëve dhe që të miratojnë ligjet.

Nëse kjo parti mbetet me 59 vota në senat, demokratët do të kenë nevojë për përkrahjen e ligjvënësve republikanë për miratimin e ligjeve, përkrahje kjo të cilën aktualisht me gjasë nuk do të jenë në gjendje ta sigurojnë, duke pasur parasysh përçarjet që mbizotërojnë tani.

Dëshmi për alarmimin e demokratëve në Massachusetts ishte edhe fushata, të cilën Obama e bëri gjatë fundjavës në Boston.

Duke folur para një turme të ithtarëve të Coakleyt, Obama tha se shumë gjëra tani janë në lojë.

“Miratimi i shumë ligjeve do të varët nga votimi në senat. Për këtë arsye kundërshtarët e ndryshimeve dhe të përparimit po derdhin para, për të fituar këtë garë”, tha Obama.

Republikanët, të cilët pësuan debakël në zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme në vitin 2008, janë të mendimit se tani janë në rrugën e kthimit, ndërsa demokratët frikësohen për ardhmërinë e tyre.

Demokratët e regjistruar në Massachusetts janë në numër më të madh se republikanët, por vendimtar mund të jenë votuesit e pavarur, 64 për qind e të cilëve e mbështesin Brownin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›