OKB aprovoi dërgimin e 3500 trupave shtesë në Haiti

(Update)Këshilli i Sigurimit në mënyrë unanime ka votuar për dërgimin e 3500 trupave shtesë të Kombeve të Bashkuara në Haiti, për të ndihmuar në mbajtjen e rendit dhe për mbrojtjen e konvojeve humanitare.
Të 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimi, “duke i pasur parasysh rrethanat dhe nevojën urgjente për veprim”, e kanë mbështetur kërkesën për trupa shtesë të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.
Sipas rezolutës së hartuar nga Shtetet e Bashkuara, misioni i OKB-së në Haiti, do të përbëhet nga komponentja ushtarake dhe ajo policore.
Këshilli i Sigurimit do të votojë për trupa shtesë në Haiti
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot për të dërguar 3 mijë e 500 trupa dhe forca policie shtesë për të mbështetur përpjekjet paqeruajtëse në Haitin e shkatërruar nga tërmeti.
Votimi bëhet pikërisht një javë pasi tërmeti vdekjeprurës rrënoi kryeqytetit Port-O-Princ dhe zonat përreth tij.
Rreth 2 mijë e 200 marinsa mbërritën dje në vendin e Karaibeve me anijen amfibe USS Bataan. Gjeneral majori Kornell Uillson thotë se dërgimi i tyre e çon numrin e përgjithshëm të personelit ushtarak amerikan në atë zonë, në mbi 7 mijë.
Gjeneral Uillson thotë se kjo forcë me bazë në det do të kryejë një numër operacionesh aty ku qasja në tokë është e vështirë dhe do të qëndrojë përsa kohë të jetë e nevojshme. Ai thotë se misioni kryesor i ushtrisë është të sigurojë ujë, ushqim dhe kujdes shëndetësor për viktimat e tërmetit, por se trupat janë gjithashtu të gatshme të ndihmojnë me evakuime ose operacione të tjera.
Komandantët amerikanë thonë se mbi 10 mijë forca ushtarake do të jenë në zonën e katastrofës javët e ardhshme. /voa/