Pazari për Kuvendin
Një kollare firmato, një pikturë e mirë, një kostum firmato, kushtojnë. Një makinë luksoze, restorant përditë, pushime në resortet më të mira jashtë Shqiprie, një shtëpi në plazh, disa apartamente në Tiranë, kushtojnë. Shto bashkëshorte të veshur mirë, makinë luksi për bashkëshorten, shkolla jashtë Shqiprie për fëmijët. Kushtojnë. Kjo është jeta e disa politikanëve të spikatur të pozitës dhe opozitës shqiptare dhe për të ruajtur këtë standard bëhet çdo pazar. Dhe pazari nuk është sigurisht rroga e Kuvendit të Shqipërisë, sepse me rrogën e Kuvendit nuk mbulohen dot shpenzimet e shumta që për këdo politikan të vendeve të BE-së do të binin në sy. Po bëhen këto ditë në Tiranë të njëtat pazare të para e të ripara në merkaton e politikës shqiptare sa herë bie në nivelin ku, në krahasim, tregu çam mund të duket Wall Street. Në emër të këtyre pazareve u ndryshua Kushtetuta para hyrjes në zgjedhjet e 28 qershorit. Në emër të këtyre pazareve, anëtarë të opozitës aktuale kërkojnë të futen në Kuvend pa Partinë e tyre, duke na shpjeguar nëpër tribuna televizive se janë profetët e procedurës më të drejtë që duhet të ndjekë një opozitë reale. Profetët pa apostuj, nuk vlejnë as sa “mrekullitë” financiare të Sudes. Dhe apostujt e Ben Blushit, për shembull, nëse ekzistojnë me të vërtetë, janë më frikacakë se disa nga personazhet e Walt Disney. Kryeneçësia e pozitës së sotme bashkë me LSI-në për të mos gjetur një gjuhë të përbashkët me Partinë Socialiste për zgjidhjen e ngërcit politik në vend është shqetësuese. Kur një mazhorancë nuk tregon këtë elasticitet demokratik në mëngjesin e 2010, gjëndja është vërtetë alarmante. Kur eksponentë të opozitës, sot në bojkot ( të drejtë a të padrejtë, por është një mjet demokratik e jo molotovët e gurët e opozitës së shkuar) deklarojnë se do të futen në Kuvend pa vendim të Partisë së tyre, tregon se shit-blerjet e njerëzve bashkë me idetë e tyre, bëhen në sy të të gjithëve dhe në vend të zgjidhjeve politike, vazhdojnë të bëhen pazare si në tregun e fruta perimeve ku në lojë nuk hidhen qindarkat e kileve të domateve, por premtime për copëza të tjera Shqipërie. Që z. Jozefina Topalli dhe Z. Sali Berisha të kenë gdhirë papritur me një dëshirë të madhe për zbatimin dhe respektimin e ligjit e Kushtetutës, është pak e besueshme, po të shfletosh karrierën e tyre politike dëshmon vetëm për të kundërtën. Ajo që kërkohet nga opozita por dhe nga opinionbërës të pavarur, nuk është shkelja e ligjit, por gjetja e një gjuhe të përbashkët siç bëhet në ngërçe politike të demokracive perëndimore. Opozita duhet të vazhdojë të bëjë opozitën e fortë siç po vepron për fat të keq vetëm pas dështimit të strategjisë së saj për zgjedhjet politike të shkuara. Eshtë një rrugë e marrë pas gafës së bërë nga lidershipi i Partisë Socialiste; ky lidership deri më tani është vënë në diskutim vetëm nga një minorancë aspak e guximshme dhe bindëse.