E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhune ne Athine 9 te plagosur dhe 40 te arrestuar ne protesta

Përshkallëzohet në dhunë protesta e të indinjuarve në Athinë, ndësa grupe të rinjsh të maskuar kanë hedhur bomba tymuese dhe janë përleshur me policinë. Kjo e fundit thotë se shtatë protestues dhe dy oficerë policie kanë mbetur të plagosur, ndërsa 40 persona janë arrestuar.

Gjatë ditës, Athina u paralizua nga marshimi paqësor i mbi 30 mijë qytetarëve që kundërshtojnë masat qeveritare të kursimit, të detyrueshme për përfitimin e paketës së ndihmës financiare dhe BE dhe FMN, në të kundërt vendi do të mbytet nga borxhet dhe nuk do të ngrejë kokë për shumë vite me radhë.

Por, paralajmërimet e kryeministri grek, Jorgos Papandreu nuk është se gjejnë mirëkuptimin e qytetarëve të cilët ndjejnë prej kohësh barrën e shkurtimeve të vendeve të punës, pagave dhe rritjen e kostos së jetesës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopa gome për të shpërndarë protestuesit që kishin rrethuar parlamentin dhe ministrinë e Financave.

Ndërkaq, Papandreu i ka bërë thirrje edhe njëherë ndërgjegjes kombëtare ndërsa ka kërkuar konsesus për ligjet mbi të cilat kushtëzohet ndihma e BE dhe FMN prej 120 miliardë eurosh në muajin e ardhshëm. Ndërkaq, televizioni shtetëror grek njofton se Papandreu ka propozuar një qeveri të unitetit për të tejkaluar dallimet dhe miratuar masat.

Ai kërkon mbështetje për programin e ri të shkurtimit të 28 miliardë eurove, për tre vitet e ardhshme, 2012- 2015. njoftime të tjera nga kryeqyteti grek thonë se Papandreu është ofruar të japë dorëheqjen gjatë bisedimeve me liderin e opozitës, Antonis Samaras. Papandreu përballet me rezistencë edhe nga opozita konservatore që po i kalon socialistët në sondazhet e opinionit, por edhe me disidencë brenda radhëve të PASOK.

Madje një deputet i kësaj partie dha dorëheqjen nga grupi parlamentar, duke e lënë Papandreun me 155 vende nga 300 që ka parlamenti, ndërsa një deputet tjetër ka kërcënuar të votojë kundër paketës së kursimeve dhe privatizimit të shpejtë të aseteve shtetërore.

Juli Prifti Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 15 qershor 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›