E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperi-BE delegacioni shqiptar nuk firmos

Edhe sesioni i tretë i takimit të përbashkët parlamentar BE-Shqipëri, si dy sesionet e mëparshme nuk ka arritur të bindë pozitën dhe opozitën shqiptare të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët. Një mungesë e tillë, shenjë e krizës së thellë politike që po kalon vendi, është mbushur me një deklaratë të përbashkët të europarlamentarëve, që edhe ata i përkasin partive të majta dhe të djathta në parlament.

Teksti final i publikuar nga kabineti i Eduard Kukan, që kryesoi mbledhjen është veçanërisht konkret në konklusionin e tij të pestë ku grupet politike të PE-së jane te mendimit se nëse prioritetet kyçe të artikuluara në opinionin e Komisionit Europian për Shqipërinë nuk përmbushen plotësisht dhe dhe kriza politike nuk tejkalohet pa vonesa të mëtejshme, progresi dhe marrëdhëniet institucionale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të dëmtohen tashmë seriozisht.

Në pikat e para të deklaratës, shprehet shqetësimi i thellë për krizën politike që vazhdon qe nga qershori 2009 dhe bëhet apel për dialog. PE vë në dukje se destabiliteti afatgjatë politik e ka dëmtuar rëndë pozitën ndërkombëtare dhe perspektivën e europiane të Shqipërisë,  pavarësisht ndihmës që i është dhënë nga Parlamenti Europian, Komisioni, si dhe të Këshilli i Europës për të nxitur dialogun midis blloqeve politike.

Duke sqaruar se PE nuk dëshiron të marrë anën e dikujt në mosmarrëveshjet e krijuara për votimin për bashkinë e Tiranës, deklarata kërkon që zgjidhja të jetë në respekt të plotë të kornizës ligjore dhe kushtetuese të Shqipërisë edhe nëse është e nevojshme të kërkohet këshillimi nga institucionet ndërkombëtare.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›