E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë në protestën e opozitës

SHKRUAN: Aleksandra Bogdani 22-01-2011 09:26

Tiranë Ora 17.45 e gjen bulevardin thuajse të zbrazur. Makinat e policisë mbledhin “qëndrestarët” e fundit, ndërsa kordoni i bluve plotësohet sërish rreth Kryeministrisë, si për të dhënë kumtin e një shteti më këmbë. Xhama të thyer, bishta të drunjtë pankartash, pllaka bulevardi, të përdorura si mjete “lufte” e shirita policie mbushin hapësirën e ngushtë mes dy godinave qeveritare që kufizojnë bulevardin. Provat e luftës, të flakura përtokë, bashkuar me kundërmimin e ajrit të mbingopur nga gazrat apo pamjet e makinave të djegura në rrugën të bindin se gjithë ajo që ndodhi në zemër të Tiranës nuk është pjellë e ndonjë ëndrre të keqe, e as ndonjë “deja vy” e çartuar e mendjes, që monton trazirat e Tunizisë me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mes të gjithë skenarëve të paralajmëruar për 21 janarin, ndodhi skenari më i keq. Më së pari, këtë e tregon zhvendosja e vendit të ngjarjes në Spitalin Ushtarak, ku bilanci i parë rezulton tragjik. Tre qytetarë të vdekur prej armëve të zjarrit, dhjetëra të plagosur, mes të cilëve 27 punonjës policie e 33 civilë janë viktimat e asaj që nisi si demonstratë popullore e përfundoi në një përleshje të egër triorëshe mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

***

Demonstrata nisi pak minuta para orës 14.00, kur turma e njerëzve u lëshua në bulevard prej 4 rrugëve kryesore të Tiranës. Godina e Kryeministrisë, e etiketuar si “destinacion” i demonstratës, ishte blinduar nga fillimi në fund prej tre kordonëve me policë. Fytyrat në barrikadën e parë, që dukej se i përkisnin forcave të rendit, nuk transmetonin ndonjë shqetësim të jashtëzakontë. Përveç gazetarëve dhe qytetarëve kureshtarë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte më bosh se kurrë, në pritje të dallgës që s’dihej se ç’do të sillte me vete. E vetmja ngjarje në ato minuta pritjeje ishte largimi nga zyra i presidentit Bamir Topi. Makinës së tij, të shoqëruar prej eskortës së zakonshme iu desh të kalonte përkrah vargut të gjatë të policëve të rreshtuar pranë Kryeministrisë, vetëm pak minuta para se demonstruesit e parë të mbërrinin aty. Soditësit e protestës nisin e hamendësojnë sinjale nga ky largim i Topit, por mbërritja e valës së parë të protestuesve ia lë vendin të tjera diskutimeve. Djem të rinj, nga 20 deri në 30 vjeç, shfaqen në vrap e sipër përballë policisë e, të ndezur paraprakisht prej etheve të protestës, lëshojnë parullat e para. Hovi i pakontrolluar i tyre ishte sinjali i një demonstrate të ndryshme nga ato që kishim parë vitin e shkuar, ndërsa mungesa e liderëve të opozitës në valën e parë të turmës nis të shtojë tensionin në bulevard.

***

Demonstrata me pankarta, thirrje e përshfaqje verbale të zemërimit ndaj qeverisë zgjati jo më shumë se 20 minuta. Në mungesë të “tribunarëve”, ovacionet e turmës ndizen e shuhen aty për aty. Një megafon i vogël kalon dorë më dorë, por thirrjet që dalin prej tij u mbytën fill prej përplasjes së parë trup më trup me policinë. Përtej retorikës së politikës, nuk është e thjeshtë të përcaktosh se kush qëlloi apo kush u mbrojt i pari. Por mund të thuhet megjithatë se sa hap e mbyll sytë, pankartat u kthyen mbrapsht, për të futur në punë bishtat e drunjtë, çadrat fluturuan në ajër drejt Kryeministrisë, së bashku me vezë, portokalle e agrume të tjera. Më tej, është e vështirë t’i rendisësh ngjarjet ashtu siç ndodhën, me ftohtësinë e një kronikani. I gjithë bulevardi ishte në kaos, ku përveç tymit të gazit lotsjellës, “triumfonin” herë demonstruesit e herë forcat e policisë. Bombat me gaz lotsjellës shërbyen për një dyluftim mes palëve, që zgjati jo më shumë se 10 minuta. Retë e dendura të tymit dhe era shpuese e gazit e devijoi turmën aktive në lulishten përballë Piramidës, ndërsa pjesën tjetër në lokalet e Kullave Binjake. Sheshi përballë Kryeministrisë u “çlirua” si prej protestuesve, ashtu edhe prej policëve. Skenari veçse u zhvendos në pjesën anësore, ku “viktima” e parë ishte një makinë policie. Pasi u kthye përmbys e u spërkat me benzinë, makina u përfshi nga flakët e të njëjtin fat patën edhe tri syresh, pak metra larg njëra-tjetrës, mu përballë Piramidës. Më pas, sërish ofensivë. Demonstruesit gjetën terren në pjesën anësore të Kryeministrisë e, sapo ajri i rëndë u davarit disi, bulevardi u mbush sërish. Kordoni i policisë, tashmë i zëvendësuar nga skafandrat e Forcave Speciale, nuk e ndali hovin e një turme njerëzish që u varën në kangjellat rrethuese të Kryeministrisë. E gjithë ajo që kishte ndodhur, kishte gjasa të konsiderohej megjithatë një demonstratë, nëse ngjarjet nuk rrokulliseshin drejt minutave të pakthyeshme, ku tre persona humbën jetën e dhjetëra të tjerë përfunduan në spital me plagë të rënda.

***

Ora 15:15 minuta. Pas përballjes së forcave, u duk se ishte koha për politikë. Paskal Milo, Nard Ndoka e Preç Zogaj u shfaqën pranë demonstruesve të radhës së parë, duke bërë thirrje për qetësi. Deputetë të tjerë të PS-së shfrytëzuan lokalin e katit të tretë te Kullat Binjake, për t’i ndjekur nga një largësi e nevojshme ngjarjet e mëpasme, në atë demonstratë për të cilën kishin lënë të kuptohej se nuk do të luanin rolin e policit. “Ne e kemi thënë, kjo është demonstrata e popullit dhe jo e jona”, - thotë deputetja Arta Dade, duke shtuar më tej se ndrydhja e këmbës e kishte penguar të ishte me protestuesit në bulevard. Deputetë të tjerë, si Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Tomë Doshi apo Eduart Shalsi kanë zënë vend prapë dritareve apo përballë televizorëve, kur një breshëri e gjatë plumbash shpon ajrin e rënduar të demonstratës. Ora ishte 16:00 e demonstrata ishte futur në një fazë të re kaosi. Plumbat e parë nuk e trembën turmën, që asokohe kishte zhveshur një pjesë të mirë të bulevardit, për të qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë. Gjithçka më pas do t’i linte vendin ankthit rreth numrit të të vdekurve, të plagosurve, bilancit të këtij demonstrimi të forcës më të egër, bash në qendër të Tiranë. Kohë pa kohë dukej ajo e dominimit të breshërive në bulevard, ku mbërrijnë lajme kontradiktore për numrin e të vdekurve, apo të plagosurve. Reagimi i fundit vjen prej demonstruesve, të cilët rreth orës 16:30 nisen me një “Benz” jeshil, drejt portës së Kryeministrisë. E thyejnë, por dendësia e breshërisë së plumbave paralajmëron fundin e një dite tragjike për Shqipërinë, radiografia e së cilës i takon së ardhmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›