Si po ndikon kriza politike në ekonominë shqiptare
Banka Botërore vlerëson krizën politike në vendin tonë, si një nga rreziqet më të mëdha të zhvillimit të ekonomisë të vendit dhe zbatimit të programit të ri me Bankën Botërore. Vlerësimin, në lidhje me këtë situatë, e ka dhënë Banka Botërore në marrëveshjen e fundit të nënshkruar me Shqipërinë. “Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm në konsolidimin e demokracisë multipartiake dhe në kalimin e paqësor të pushtetit, klima politike mbetet shumë e polarizuar”, - vlerëson Banka në dokumentin e marrëveshjes së re me Shqipërinë. Sipas saj, me afrimin e zgjedhjeve lokale, ekzistojnë shqetësime se ngurtësimi aktual i marrëdhënieve, midis partive qeveritare dhe atyre në opozitë, mund të vazhdojë si pasojë e parregullsive të pretenduara zgjedhore, apo si pasojë e ngritjes së ndonjë çështjeje të re ndarëse. “Kjo nga krahu i saj do të kishte implikime të qarta negative për implementimin e Strategjisë së Partneritetit me Shqipërinë, duke qenë se vëmendja, si e qeverisë, ashtu dhe ajo e opozitës, do zhvendosej nga çështjet e zhvillimit drejt atyre politike”, - cilëson Banka në qëndrimin e saj për zhvillimet politike në vend dhe ndikimin e tyre në reformat ekonomike. “Gjithashtu, vendimmarrja për projektet dhe politikat mund të arrijë në një pikë frenimi. Funksionimi i bordeve multipartiake dhe i komiteteve të përbashkëta të vlerësimit është shumë i nevojshëm për procesin e implementimit të projekteve”, - cilëson Banka. Në fakt, nuk është hera parë, kur tensionet politike në vendin tonë janë bërë shkak për ecurinë e reformave ekonomike të vendit e për pasojë në ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike. Acarimet ndërmjet partive politike kanë ndikuar më së shumti financimet e donatorëve dhe bankave të huaja, për projekte të ndryshme të infrastrukturës në vendit tonë. Gjithashtu krizat e herëpashershme politike kanë ndikuar edhe në ardhjen e investitorëve të huaj privatë, të cilët, duke parë një klimë jo të favorshme politike në vend, e kanë Shqipërinë si një vend të pasigurt për të implementuar planet e tyre të biznesit. Banka Botërore, në qëndrimin e saj zyrtar, shprehet se një vit pas zgjedhjeve më të fundit parlamentare, të mbajtura në qershor 2009, situata politike shqiptare karakterizohet nga marrëdhënie të tensionuara midis opozitës dhe koalicionit qeverisës.