Dhunimi i heshtur i votësNga Arben ÇokajKur u bënë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1996, unë isha në Kopenhagë dhe u gëzova si fëmijë për fitoren e PD. Kishte disa vjet që nuk kisha shkelur Shqipërinë dhe krenaria kombëtare e atdhedashuria rriten n
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dhunimi i heshtur i votësNga Arben ÇokajKur u bënë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1996, unë isha në Kopenhagë dhe u gëzova si fëmijë për fitoren e PD. Kishte disa vjet që nuk kisha shkelur Shqipërinë dhe krenaria kombëtare e atdhedashuria rriten ndjeshëm, kur je larg vendit tënd. Dëgjoja nga larg për mrekullinë Shqipëri, siç dëgjoj edhe sot, për rritjen ekonomike mbi 10% etj., etj., dhe fluturoja nga gëzimi mbi biçikletë, me duart lart, duke bërtitur i ngazëllyer, ashtu siç gëzohen me siguri disa miq djathtistë në Londër, Nju-Jork dhe më gjerë, për zgjedhjet e tanishme, që përsëri rrezikohen t’i fitojë Berisha, me një distancë të ngushtë votash.
Unë e kisha harruar shkakun e ikjes nga Shqipëria dhe besoja se Berisha ishte duke qeverisur mirë, siç besova në vitin 2005 se Berisha kishte ndryshuar, përkundër skeptikëve të shumtë, që thoshin se Berisha është i paaftë dhe tepër i vjetër për të ndryshuar. Nëse ndalemi te koncepti i ndryshimit, askush nuk mund ta mohojë faktin se Berisha ka ndryshuar. Por si ka ndryshuar ai? Është bërë më i rafinuar, më i pamëshirshëm dhe më i rrezikshëm se më parë, nën këshillat e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç.
Idetë e Fazlliç, që unë dhe kolegë të tjerë i vumë në dyshim, disa kohë më parë, kur ai i vetëkënaqur dha një intervistë në TV Klan, idetë e një mentaliteti agjenturor serb po bëhen gjithnjë e më reale në jetën politike shqiptare. Këto ide fillojnë me Shqipëria 1 Euro, me çmimet astronomike në ndërtimin e rrugëve pa cilësi e tepër të shtrenjta, me Gërdecin, e sidomos me vrasjet mafioze e të pasqaruara të disa veprimtarëve politikë në Shqipëri, në këtë prag zgjedhjesh etj.
Unë u pata ngazëllyer për fitoren e Berishës në vitin 1996, qoftë edhe nga frika që kisha, se koha mund të më jepte të drejtë mua për ikjen time nga regjimi i Berishës, megjithëse isha mbështetës i PD. Nuk doja që profecia e mikut tim kosovar, ish-kreut të LDK në Danimarkë, që më thoshte se “koha do të vërtetojë se ikja jote ka qenë e drejtë”, të dilte e vërtetë. Mendja nuk më shkonte kurrë, se rreth një vit pas kësaj fitoreje të sforcuar, shteti shqiptar do të thyhej në kurriz nga skemat piramidale, në mars të vitit 1997. Edhe në atë kohë vëreja një aktivitet të rritur ndërkombëtar për ta detyruar Berishën të ikte. Parë nga larg, unë mendoja se Berisha kishte të drejtë, jo opozita, jo ndërkombëtarët. Por ja që unë gabova në atë kohë, se nuk i njihja mirë rrethanat, por nuk dua të gaboj sot, si disa miq të mi në Londër, New York e gjetkë, të cilët nga distanca me Shqipërinë absorbojnë si të vërtetë propagandën e Berishës, i cili milionat e Eurove që ka marrë borxh në emër të qytetarëve shqiptarë, i bën rrush e kumbulla në një fushatë agresive propagandistike, sikur këtu në këtë vend gjithçka po lulëzon.
Nëse presidenti i sotëm gjerman i lutet partive politike gjermane që të mos harxhojnë shumë pará në fushatë, por të mbajnë një profil të ulët të shpenzimeve elektorale, dhe partitë kryesore gjermane i binden vërejtjes së presidentit, për shkak të krizës ekonomike globale, jevgu shqiptar, i vetëkënaqur se ka ndeshur në pará, po e mbyt Shqipërinë në borxhe dhe bën aheng me këngën gjermane “We will win the race” të Modern Talking. Ai nuk i dëgjon këshillat e ndërkombëtareve, as ndërgjegjen tonë kombëtare për të hapur rrugë. Berisha do me çdo kusht që të fitojë, pavarësisht çmimit që paguan kombi ynë për fitoren e tij. Kësaj here ai ka përdorur një dhunë taktike, të specializuar dhe tani me metodën e tejlodhjes së komisionerëve dhe blerjes me presion të tyre, synon të fitojë përsëri.
Për të kuptuar se si lexohen votat tona, në mënyrë transparente, në qendrat e numërimit të votave, duhet pyetur kandidati për deputet Gilman Bakalli, i cili tregon se komisioni i numërimit të votave nuk ka lexuar as votat e hedhura nga ai dhe familja e tij për LZHK në kutinë e lagjes së tij. Dyshimi në këtë rast shkon te një ndërrim i mundshëm i kutisë ose te rënia dakord e komisionerëve të PD dhe PS nën regjinë e znj. Topalli, për të mos i lexuar aspak votat e hedhura nga Gilmani për Gilmanin.
Nëse gazetarët tanë analistë në kanalet qendrore televizive i injorojnë shkeljet e vërejtura në fushatë, pasi janë mësuar të shohin më keq se kaq, vëzhguesit ndërkombëtarë bënë një vlerësim objektiv të situatës, duke na dhënë edhe një leksion të sinqertë demokratik: me këto lloj zgjedhjesh, Shqipëria nuk mund të hyjë në BE. Qeveria Berisha ra në provimin e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, që plotësojnë standardet evropiane. Mesazhi është më i qartë se kurrë: me Berishën në krye, Shqipëria nuk mund të hyjë në BE. Atë që kishte kohë që euro-perëndimorët e artikulonin në mënyrë diplomatike, vëzhguesit dhe miqtë tanë perëndimorë e artikuluan tani me zë të lartë, në mes të Tiranës.
Shoqëria shqiptare ishte e paaftë për të kuptuar në kohë mesazhin e Perëndimit për zgjedhjet e 28 qershorit, ose manipulimi i votës përmes presionit të shumanshëm ishte dhe vazhdon të jetë i tillë, sa të çojë në një lexim të shtrembëruar të rezultatit. Pra, do të kemi përsëri një shtrembërim dhe manipulim të votës së shqiptarëve. Nëse në Serbi, presidenti Tadiç, i cilësuar si pro-perëndimor, fiton kundrejt një opozite nacionaliste serbe, vetëm se ai ka mbështetjen e Perëndimit, në Shqipëri, Berisha bën sikur nuk e kupton mesazhin e Perëndimit, sepse nuk i pëlqen ta lexojë qartë këtë mesazh. Kështu ndodhi edhe në vitin 1996, por atëherë reagimi apo kundërshtia e Berishës ishte më e hapur, më emocionale.
Në këto zgjedhje, u provua se kishim një dhunë të heshtur të organeve të komanduara nga Berisha, të cilat pa rënë shumë në sy dhe me takt ndikuan votën e zgjedhësve shqiptarë, por nuk mundën t’i shpëtonin vëzhgimit profesional të vëzhguesve ndërkombëtarë. Vëzhguesit e OSBE/ODHIR dhe NATO-s japin vetëm rekomandime. Atyre nuk u lejohet të përzien hapur në sovranitetin e një vendi. Këtë pamundësi të tyre për të folur hapur e shfrytëzon Berisha. Duke përdorur edhe kontaktet e tij zyrtare me drejtuesit e shteteve të ndryshme, ai i bën reklamë vetes sikur Perëndimi e do atë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Perëndimi kërkon standarde, që Berisha nuk mund t’i plotësojë. Shoqëria shqiptare po i paguan haraç këtij të fundit, për mënyrën se si ai qeveris dhe për taktikat e parregullta elektorale, që ai përdor për të fituar. Për të gjithë ata që dinë të mendojnë, është më se e qartë, sidomos pas raportit të fundit të vëzhguesve ndërkombëtarë, se ndryshimi për mirë në këtë vend nuk vjen dhe nuk mund të vijë nga Berisha. Ikja e Berishës nga politika mund t’i japë fund tranzicionit të stërzgjatur shqiptar.
Me rezultatin e manipuluar të zgjedhjeve dhe me mungesën e arsyes të kryeministrit Berisha pritet një rrezik jo i vogël për Shqipërinë, nëse Berisha merr përsëri pushtetin. Njerëz të punësuar në administratë parashikojnë reprezalje në njerëz, nëse Berisha fiton zgjedhjet. Unë për vete e kam një zgjidhje: do të largohem sa më parë për në Frankfurt dhe do të vij sa më rrallë në vendin tim, nëse Berisha fiton zgjedhjet. Se si do të shkojnë punët për Shqipërinë kësaj radhe, nuk jam i sigurt dhe nuk mund ta parashikoj. Por, duke parë mënyrën se si ka qeverisur Berisha në 4 vjet, ku fuqinë e ligjit e ka marrë urdhri nga lart, nuk shpresoj se punët do të shkojnë mirë për këtë vend, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike globale dhe pas një vlerësimi paralajmërues, që bënë vëzhguesit ndërkombëtarë për standardet në zgjedhje.