Dhunohen varrezat e fshatit Shëngjergj
Të vdekurit nuk mund të prehen të qetë në fshatin Shëngjergj të Rrethit të Korçës. Janë të paktën 25 varre, të cilat janë thyer dhe dhunuar gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Ndonëse u duk se fenomeni i bastisjes së varrezave u harrua, dje është rikthyer në një prej zonave rurale të qytetit juglindor. Banorët e fshatit kanë qenë të parët që kanë pikasur dhunimin që u është bërë vendeve ku prehen të afërmit e tyre. Një pjesë e pllakave të mermerit ishin thyer, ndërsa një pjesë e madhe e objekteve prej bronzi ishin grabitur. Të shqetësuar ata kanë sinjalizuar policinë lokale. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një patrullë e uniformave blu korçare dhe nga verifikimet në vend është konstatuar dëmtimi i të paktën 25 varreve dhe vjedhja e objekteve dekorative në pjesën më të madhe të territorit të varrezës së fshatit. Ekspertët kanë konstatuar thyerje dhe copëtim të pllakave të mermerit. Pjesa më e madhe e objekteve dekorative prej bronzi janë vjedhur nga varrezat, ndërkohë që policia ka deklaruar se ka nisur kërkimet ndaj autorëve. Ende nuk ka emra konkretë autorësh, ndërkohë që dyshohet se objektet e hequra kanë pasur si destinacion shitjen në tregje të fshatrave me çmim të ulët për të humbur gjurmët. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur gjatë orëve të natës, nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë përfituar nga errësira për të kryer larg syve të dëshmitarëve aktin e tyre barbar. Varrezat nuk kanë roje natën, duke e bërë dhe më të lehtë punën e grabitësve të tyre. Ndërkohë, burime nga policia lokale bëjnë të ditur zyrtarisht se dyshohet që akti i dhunimit të jetë kryer nga persona minorenë, për qëllime fitimi. Të njëjtat burime referojnë se veç kësaj piste po hetohen edhe persona me precedentë të mëparshëm në dhunimin e varrezave publike. Kjo është e disata herë që në juglindje të vendit varrezat publike bëhen pre e dhunimit e vjedhjeve. Dhunimi i varrezave publike është kthyer në fenomen për zonën e Korçës, që në shumicën e rasteve ka pasur për qëllim shitjen e objekteve të bronzit, ndonëse me përfitime fare minimale. Të gjitha rastet janë kryer natën, ndërsa në mëngjes dyert e varrezave gjenden të hapura dhe në to mungojnë objekte dekorative. Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga ana e policisë së Korçës u ndaluan tre grupe personash, kryesisht të mitur, të cilët dhunonin sistematikisht varrezat e qytetit. Por edhe pse u duk se zona e Korçës ra në qetësi për pak kohë, muaji gusht ka rikthyer edhe një herë sulmin ndaj varrezave. Burimet e policisë kanë thënë se dyshohet për autorë nga zona e Korçës, që edhe më parë kanë kryer veprime të tilla për qëllime fitimi.