E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i emigrantëve, radhë në portet kryesore të vendit

Fluks emigrantësh në dy portet kryesore të vendit, në Durrës dhe në Vlorë. Rreth 800-900 automjete me targa të Italisë dhe rreth 2500 emigrantë i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm pikës kufitare të kalimit të Portit të Vlorës. Shumë prej emigrantëve janë shprehur të pakënaqur nga mungesa e masave në port, ndërkohë që problem sërish ka qenë numri i biletave të shitura mbi kapacitetet e lejuara nga tragetet. Tre tragetet e linjës Vlorë-Brindisi kanë një kapacitet prej jo më shumë se 650 automjetesh dhe 4500 pasagjerësh, ndërkohë që dje në port kanë qenë disa herë më shumë emigrantë që prisnin në radhë për të kaluar traun e kufirit. Me gjithë masat e marra nga policia kufitare, me hapjen e katër sporteleve të tjera, nga katër që funksiononin normalisht, fluksi i emigrantëve ka qenë i madh.

Në ndihmë të policisë kufitare për të përballuar ngarkesën e punës ka qenë e pranishme edhe policia e rendit dhe ajo rrugore. Shefi i rrugorëve të Vlorës, Adriatik Kuta, ka thënë për "Shqip" se janë marrë masa për të mos krijuar kaos gjatë ditëve të ikjes së emigrantëve. Ndërkohë që drejtori i kufirit për Qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, ka premtuar se të gjithë emigrantët që janë në radhë do të kalojnë për në Itali, pavarësisht se kapaciteti i trageteve është i kufizuar. Ndërkohë mësohet se më shumë se 24 mijë veta janë larguar tri ditët e fundit nga porti detar i Durrësit, ndërsa dita e diel premton një tjetër fluks largimesh. Vetëm gjatë 48 orëve të fundit kanë lënë Shqipërinë e Kosovën përmes kësaj pike kufitare rreth 16310 persona me 3728 automjete. Raporti i hyrje-daljeve është përmbysur ndjeshëm. Gjatë të njëjtit hark kohor në vend kanë hyrë 1885 pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë që i kanë shtyrë për në fund të gushtit pushimet pranë familjeve të tyre. Fluksi i kthimeve është në pikun e tij dhe për ta përballuar shërbimet e policisë kufitare dhe ato doganore vazhdojnë të punojnë me kapacitet të plotë, për të siguruar një imbarkim sa më të shpejtë dhe pa vonesa. Gjithsesi, emigrantët thonë se vonesa ka në rast se do të krahasohej me kohën e përpunimit gjatë hyrjes në vend. Kohëzgjatja justifikohet me forcimin e kontrolleve në dalje nga shërbimet policore, pasi shumë persona tentojnë të përfitojnë nga fluksi për të kaluar qoftë me dokumente të parregullta, apo për të transportuar mallra të paligjshme përtej kufirit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›